19 protestuesit e arrestuar për përplasjet para Kuvendit gjatë seancës plenare të enjten, ndodhen në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë.

Gentjan Serjani, avokati i një pjese të protestuesve, pretendoi këtë të shtunë se njëri prej të arrestuarve është dhunuar nga policia. Këtë informacion ai thotë se e ka marrë pasi e vizitoi në paraburgim të arrestuarin Niko Qarkaj, i cili sipas avokatit, vuan nga epilepsia dhe tashmë është transportuar në spital. 

“E kanë kapur tre herë krizat e epilepsisë. Personi s’duhet të mbahet në arrest në burg, i kemi bërë kërkesë prokurorisë, por s’kemi marrë një përgjigje. Më tregoi kanatjeren e gjakosur ”, tha avokati.

Report Tv mësoi përmes burimeve nga policia, se N.Q. ka shfaqur probleme shëndetësore, dhe për to është transportuar disa herë në spital, ku ka marrë shërbim sipas vlerësimit të bluzave të bardha. Nga momenti i shoqërimit, thanë të njëjtat burime, ai ka refuzuar të konsumojë ushqim, dhe është dashur dërgimi në spital për të marrë serum. Por në një moment, i paraburgosuri, ka refuzuar të bëjë serumin, ka ofenduar, dhe ka hequr me forcë vigonin nga venat, çka i ka shkaktuar gjakderdhje. 

Kjo thanë burimet, shpjegon edhe bluzën e gjakosur që avokati tha se është prej dhunës nga efektivët. 

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, një nga organizatoret e protestës, thotë se i arrestuari ka qenë i pavetëdijshëm gjatë krizave epileptike, dhe në këtë gjendje mund të ketë ofenduar policët, por sipas saj, ata i janë kundërpërgjigjur me dhunë. 

“Sipas deklarimit të tij, gjatë këtij episodi mund të ketë ofenduar punonjësit e policisë, por në vend që të merrte ndihmën e nevojshme, ai pretendon se është dhunuar fizikisht nga efektivët e policisë, duke mbetur edhe i gjakosur”, shkruan në një reagim në rrjetet sociale Vatknikaj.

Një reagim bëri edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili tha se nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, prokuroria duhet të nisë verifikimet, dhe policia duhet të bëjë një sqarim zyrtar mbi ngjarjen.

Thirrje për reagim, Bardhi adresoi edhe për Avokatin e Popullit. “Heshtja institucionale nuk bën gjë tjetër veçse shton dyshimet dhe cenon besimin e publikut ”, theksoi ai. 

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari reagoi duke sqaruar se pas informacioneve që ka mbledhur nga policia, pretendimet për dhunë janë të pavërteta. Edhe institucioni i Avokatit të Popullit, sipas tij, i ka vizituar të ndaluarit, por nuk ka shtruar asnjë problem për një dhunë të pretenduar.

Protestuesit e arrestuar janë në akuzë për 7 vepra penale, shkatërrim prone, kundërshtim i punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve.

Pritet që të dielën, 19 të arrestuarit të dalin para gjykatës për vlerësimin e arrestit në flagrancë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:41
Pretendimet për dhunë, Avokati i Popullit: Të lirohet menjëherë qytetari i cili ka pësuar kriza shëndetësore, qëndrimi në qeli është e rrezikshme për të

Avokati i Popullit ka reaguar sërish lidhur me protestuesin e arrestuar në komisariatin nr. 3, për të cilin pretendohet se është dhunuar nga policia pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas Avokatit, nuk ka të dhëna që konfirmojnë dhunën, por protestuesi ka kaluar disa herë kriza. Ajo që Avokati i Popullit rekomandon, është mosmbajtja e protestuesit në qeli për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Ndërkohë verifikimi vijon ende dhe janë kërkuar kamerat e sigurisë.

Reagimi:

Për shkak të interesit të lartë publik, Avokati i Popullit njofton paraprakisht mbi verifikimin e nisur sot, pas pretendimit për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të Bllokut të Sigurisë.

Menjëherë pas sinjalizimit, katër ndihmës komisionerë të Avokatit të Popullit kanë shkuar fillimisht në QSUT, ku gjendja shëndetësore e qytetarit nuk lejonte intervistimin. Më pas në Bllokun e Sigurisë, ku pretendohet të ketë ndodhur dhuna, për administrimin e fakteve dhe dëshmive nga personeli dhe të arrestuarit e tjerë. Me transferimin e qytetarit në Spitalin e Traumës, grupi ka vijuar hetimin pranë tij.

Nga dokumentacioni i administruar deri më tani, nuk ka të dhëna që konfirmojnë ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Bllokut të Sigurisë. Konfirmohet ndërkohë se qytetari ka kaluar disa herë kriza shëndetësore, për shkak të sëmundjes nga e cila vuan.

Theksojmë se i njëjti qytetar është intervistuar nga institucioni ynë edhe ditën e djeshme. Siç dokumentohet në dëshminë e tij me shkrim, gjatë intervistës së djeshme, qytetari nuk ka paraqitur asnjë pretendim për ushtrim dhune: as gjatë ndalimit, as gjatë shoqërimit, as gjatë qëndrimit në komisariat apo në Bllokun e Sigurisë.

Verifikimi vijon. Institucioni ka kërkuar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në ambientet ku mbahen personat e arrestuar dhe gjetjet e plota do të bëhen publike pas administrimit dhe analizës së tyre.

Ndërkohë, referuar dokumentacionit mjekësor dhe krizave të përsëritura shëndetësore, mbajtja e qytetarit në kushte qelie përbën rrezik për shëndetin e tij dhe bie ndesh me standardet e nenit 3 të KEDNJ. Për këtë arsye, Avokati i Popullit i kërkon organit të prokurorisë dhe gjykatës të vlerësojnë menjëherë masën e sigurisë dhe zëvendësimin e saj me një masë të pajtueshme me gjendjen e tij shëndetësore.

Ora 22:01
‘Cilit t’i besojmë?’ Pretendimet për dhunë, Lamallari nxjerr deklaratat e avokatit Sejrani: Përgënjeshtroi veten me zë dhe figurë

1781190095_lamallari1.jpg

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar sërish ndaj deklaratave kontradiktore të avokatit, Gentian Sejrani, lidhur me pretendimet për ushtrim të dhunës ndaj një personi të ndaluar prej Policisë së Shtetit. Në reagimin e tij, Lamallari vë në dukje faktin se i njëjti avokat ka përgënjeshtruar veten e tij në dy reagime të ndryshme.

“Cilit avokat t’i besojmë, këtij ‘avokatit të provave’ që thotë me zë e figurë se “mbrëmjen e djeshme klienti i tij është dhunuar nga policia”, apo këtij tjetrit ‘avokat zëdhënës’ që po sot në një reagim të tij përgënjeshtron veten, duke thënë se është e vërtetë ajo çfarë ka konstatuar Avokati i Popullit, se deri të premten (dje) s’ka pasur probleme??? Kjo nuk është propagandë, por detyrimi për të demaskuar keqinformimin që buron qoftë dhe nga papërgjegjshmëria etiko-profesionale!”, thotë ministri Lamallari.

Ai ka bashkëngjitur edhe një postim të Sejranit ku thuhet:

“Lidhur me deklaratën e Avokatit të Popullit, është thënë se deri të premten nuk ka pasur probleme, gjë që është e vërtetë. Megjithatë, sot punonjësit e Avokatit të Popullit po e trajtojnë këtë çështje dhe nuk mund të pritet që ata të dalin menjëherë me një deklaratë përfundimtare”, shkruan Sejrani.

 

Ora 18:25
Avokati i Popullit reagon për protestuesit e ndaluar: 10 ankesa për tejkalim force nga policia, asnjë për dhunë

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me pretendimet për përdorim të forcës në komisariatet e Tiranës ndaj protestuesve të ndaluar për tubimin e 2 korrikut para parlamentit. Deri më tani ka 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e efektivëve, por asnjë të tillë për ushtrim dhune.

Pas pretendimeve të ngritura nga avokati Gentian Serjani se një protestues në komisariatin nr. 3 që vuan nga epilepsia është dhunuar, Avokati i Popullit ka angazhuar dy ekipe për verifikimin e situatës.

“Avokati i Popullit ka vepruar pa ndërprerje që nga dita e parë e ndalimeve për monitorimin e të drejtave të protestuesve të ndaluar ose të arrestuar.

Ditën e parë, institucioni ka administruar dhe verifikuar dokumentacionin përkatës të ndalimeve dhe shoqërimeve.

Ditën e enjte, Avokati i Popullit ka kontaktuar personalisht personat e arrestuar, ndërsa ekipet tona kanë qenë të pranishme në komisariatet 1, 2, 3 dhe 4 të Tiranës si dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar dhe është administruar informacioni i nevojshëm.

Ditën e premte, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës ka zhvilluar verifikime në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku janë intervistuar protestuesit e ndaluar.

Deri më tani janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga ana e punonjësve të policisë. Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ dhe, nëse vërtetohen, do të ndiqen me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati ynë.

Nga intervistat e zhvilluara deri ditën e premte, asnjë prej personave të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë.

Këtë të shtunë, pas një pretendimi për ushtrim dhune ndaj një qytetari brenda ambienteve të bllokut të sigurisë, Avokati i Popullit ka angazhuar menjëherë dy ekipe: një ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa një ekip tjetër do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë.

Avokati i Popullit do të bëjë publike gjetjet e plota me përfundimin e verifikimeve”, thuhet në njoftim.

 

Ora 15:26
‘Policia ka dhunuar protestuesin e arrestuar me epilepsi’, Lamallari hedh poshtë akuzat e avokatit Serjani: Pretendime të pabaza dhe të pavërteta

Ministri Besfort Lamallari ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga avokati Gentian Serjani se policia ka ushtruar dhunë mbi një protestues të arrestuar te komisariati nr. 3, i cili vuan nga epilepsia.

Ai ka ndarë një video të Serjanit duke komunikuar me dikë ku pretendon që protestuesi deri më tani ka pësuar 3 herë kriza epilepsie. Sipas tij, ai nuk është ndihmuar, por dhunuar për shkak të situatës së krijuar nga gjendja shëndetësore. Më tej, Serjani thotë se është kërkuar lirimi i protestuesit, për të cilin pretendohet të jetë edhe në grevë urie.

Lamallari thotë se Policia e Shtetit i ka cilësuar të pabaza dhe të pavërteta këto akuza, ndërsa AMP ka nisur verifikimet. Gjithashtu, vlerësime të situatës janë kryer edhe nga Avokati i Popullit dhe nuk ka asnjë sinjalizim problematikash.

Lamallari thekson se nëse verifikimet e AMP vërtetojnë raportimet e Policisë, kjo e fundit ka të drejtë të denoncojë Serjanin dhe ta referojë në Dhomën e Avokatisë për papërgjegjshmëri etiko-profesionale.

“Duke marrë shkas nga deklaratat e bëra publike si në videon bashkëlidhur i kam kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit informacion mbi pretendimet e rastit në fjalë. Policia e Shtetit më ka informuar se pretendime të tilla janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta.

Më pas Agjencia e Mbikeqyrjes Policore ka nisur menjëherë verifikimet mbi pretendimet e parashtruara duke administruar të gjithë informacionin e nevojshëm.

Por ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka vepruar kryesisht dhe pavarësisht prej Policisë së Shtetit duke i vizituar të ndaluarit për akte dhune, po ashtu nuk ka shtruar asnjë problem të kësaj natyre.

Nëse edhe AMP-ja do të dalë në të njëjtat konkluzione Policia e Shtetit i lind e drejta dhe detyrimi jo vetëm për referimin në prokurori të deklaruesit sipas përcaktimeve ligjore në fuqi lidhur me përhapjen e qëllimshme të thënieve që nxisin urrejtje, por edhe për referimin në Dhomën Kombëtare të Avokatisë ku buron liçenca e një avokati të dyshuar për papërgjegjshmëri etiko-profesionale”, shkruan ministri.