Partia e Lirisë thotë se siguria ushqimore në vend është në krizë si pasojë e mungesës së kontrolleve dhe korrupsionit të qeverisë. Kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, në një deklaratë për mediat, thotë se duhen kontrolle për produktet që hyjnë e tregtohen në vendin tonë. Përpara përgjegjësisë thotë ajo – duhet vendosuri i gjithë zinxhiri i zyrtarëve.

Deklarata e Kryetares së Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami

Shqipëria po përballet me një krizë serioze të sigurisë ushqimore, një krizë e cila është pasojë direkte e neglizhencës, paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisë. Çdo ditë, qytetarët shqiptarë konsumojnë produkte pa asnjë garanci kontrolli, të importuara pa standarde dhe të prodhuara në kushte që rrezikojnë shëndetin publik.

Në tregjet tona qarkullojnë mish i ngrirë për vite të tëra, fruta dhe perime me mbetje të larta pesticidesh, produkte bulmeti pa analizë, dhe ushqime të ambalazhuara që nuk do të lejoheshin të shiteshin në asnjë vend europian. Ndërkohë, organet kompetente që duhet të mbrojnë konsumatorin, janë të paralizuara dhe janë të kapura nga politika.

Mungesa e kontrolleve dhe laboratorëve është turp kombëtar.

Shqipëria sot ka shumë pak laboratorë të certifikuar për analiza ushqimore, shumica e të cilëve janë jashtë funksionit ose të pajisur me teknologji të vjetruar. Kontrolli i ushqimeve në kufi është pothuajse formal, dhe në shumë raste, mostrat as që merren. Nuk ka një sistem të unifikuar analizash, nuk ka transparencë për rezultatet, dhe mbi të gjitha, nuk ka asnjë llogaridhënie për skandalet e përsëritura që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e produkteve ushqimore.

Kjo qeveri ka braktisur çdo detyrim ligjor dhe moral për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është kthyer në një strukturë burokratike që merret më shumë me tendera e propagandë sesa me detyrën thelbësore, garantimin e sigurtë të sigurisë ushqimore për qytetarët.

Ne kërkojmë

Kontroll real dhe periodik të të gjitha produkteve që hyjnë dhe tregtohen në Shqipëri.

Funksionalizimin e laboratorëve kombëtarë dhe transparencë publike për rezultatet e analizave.

Hetim të plotë për të gjithë zyrtarët përgjegjës që kanë lejuar futjen e produkteve të rrezikshme në treg.

Investim serioz në infrastrukturën e sigurisë ushqimore dhe mbështetje për prodhimin vendas të certifikuar.

Qeveria nuk mund të fshihet më pas fasadave të konferencave boshe dhe sloganeve të rreme.

Shëndeti i shqiptarëve nuk është pronë e pushtetit, por detyrim i shtetit.

Dhe çdo ditë që kalon pa veprim është një krim kundër qytetarëve të këtij vendi.

Faleminderit!