Në një dëgjese publike për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, në lidhje me zhvillimin e territorit deri në vitin 2030, kryeministri Rama tha se ky plan ndryshe nga ata të mëparshmit nuk do jetë një hartë e ngrirë e territorit, por do të pasurohet edhe më tej.

“Ky është një moment i rëndësishëm, drafti është shumë i avancuar edhe pse duhet shumë punë drejt finalizimit të tij, por nëse ka një ndryshim cilësor mes këtij plani të përgjithshëm kombëtar dhe asaj çfarë është planifikuar gjatë këtyre viteve, është fakti se nuk është një hartë e ngrirë mbi të cilin të punohet në mënyrë mekanike nga kushdo që vjen në pushtet më vonë. Këto plane janë kultura të vjetra planifikimi, që nuk përdoren më në ditët e sotme, si në Gjermani, apo edhe në çdo vend europian”,  u shpreh kryeministri Rama.

Sipas tij progresi i territorit është i mundur nëse lejohet që detajet të modifikohen edhe në të ardhmen, duke shtuar këtu se plani përfundimtar do të vijë pas një ballafaqimi edhe me ekspertë ndërkombëtarë.

“Qasja ndaj kësaj sfide me një filozofi të re bashkëkohore, duke e trajtuar territorin si një organizëm, dhe planifikimin si një proces metabolizmi të organizimit, jep një mundësi që ky plan të rimerret dhe të pasurohet në vijim nga të gjithë ata që do ta përdorin, qofshin institucione qendrore, vendore apo sipërmarrje. Progresi i rëndësishëm në territor është i mundur nëse lejojmë që çdo detaj të modifikohet edhe në të ardhmen. Plani përfundimtar do të jetë rezultat i këtij procesi konsultimesh, ashtu si dhe analizash nga ata që e kanë propozuar, duke e ballafaquar edhe me ekspertë ndërkombëtarë që kemi afruar falë ideve dhe energjive që kanë zbuluar te ne, në dëshirën e madhe për t’i dhënë më në fund Shqipërisë një plan të përgjithshëm kombëtar, që të jetë një instrument në dorën e kujtdo që ka lidhje dhe mundësi të japë kontribut në procesin e zhvillimit të vendit. Në këto 20 e kusur vite janë harxhuar parà të shumta, por po të shohim çfarë është shkruar dhe çfarë është realizuar, nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën,” shtoi kreu i qeverisë.

Kryeministri u ndal gjerësisht edhe tek administrimi i burimeve ujore në Shqipëri, si një shembull siç tha ai i paaftësisë në menaxhimin e burimeve natyrore.

Kemi pasur 72 strategji kombëtare për ujin, por Shqipëria edhe sot nuk ka burime ujore të mirëadministruara. Nëse e krahasojmë me Izraelin, që s’ka burime, ndërkohë që Shqipëria është e dyta në Europë për pasuri ujore, nxjerr edhe njëherë kuptimin e plotë të paditurisë së shfrytëzimit të asaj që na ka ofruar natyra”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Sipas tij, zhvillimi urban në Shqipëri në këto 25 vite është kryer si kryengritje individuale e pa administruar. “Nëse shohim zhvillimin e hapësirës urbane e kemi bërë si kryengritje individuale, jo i bazuar tek fuqia dhe mundësia e individëve për t’u zhvilluar, i orkestruar në mënyrë që të jetë i zhvillueshëm,” tha kryeministri.

Në mbyllje të fjalës së tij Rama tha se Plani i Përgjithshëm i Zhvillimit Urban, do t’i qëndrojë kohës.

“Ky plan do i qëndrojë kohës sepse është plan i hapur, jo si planet e bëra deri më sot ku të gjithë kapitujt janë të shkruar dhe të vulosur, por është një liber i hapur që mund të pasurohet me të gjitha të rejat që sjell dija dhe eksperienca. Ajo që ëhstë themelore është që ky plan na jep mundëisnë që të dimë se si të evitojmë gabimet e vjetra,” përfundoi kreu i qeverisë.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)