TIRANE-Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka propozuar qeverisë së kryeministrit Edi Rama një plan ekonomik me 8 pika në mënyrë që shtresat në nevojë dhe biznesi të mos përfundojë në kolaps nga masat që janë marrë kundër përhapjes së koronavirusit, pasi vendi është në karantinë. Basha thotë se duhet t’i paraprijmë kësaj krize, dhe jo ta ndjekim pas, pasi në të kundërt do rrezikojmë shumë. Për këtë arsye kryedemokrati i kërkon Edi Ramës që pa asnjë vonesë të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2020 dhe të ndërmarrë këto masa në mbështetje të qytetarëve, të të punësuarve dhe të bizneseve te vogla, të mesme dhe sipërmarrjes në tërësi.

8 propozimet e PD në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve
1.  Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
 
2.  Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
 
3.  Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
  
4.  Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.
 
5.  Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.
 
6. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Sa i përket mbështetjes për shtresat në nevojë ku Bankës Botërore, në Shqipëri janë të paktën 300.000 familje që në kushte normale nuk sigurojnë dot ushqim të mjaftueshëm. Këtyre u shtohen edhe mijëra qytetarë të tjere që si pasojë e tërmetit jetojnë në kushte të vështira, në cadra pra në pamundësi për të siguruar ushqim dhe materiale higjeno-sanitare.

Prandaj për këto shtresa i kemi propozuar këtë paketë mbështetëse qeverisë:

1. Furnizimin me ushqime dhe detergjent te te gjithe familjeve qe jane ne pamundesi ekonomike, duke perfshire qindra familje qe po jetojne ne cadra dhe ne kushte aspak te favorshme si pasoje e termetit.
 
2. Mundësi per të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë.
 
Muaji mars shënon muajin e detyrimeve më të rënda për bizneset dhe qeveria duhet të tregohet solidare për të mbajtur në këmbë ekonominë. Prandaj i bëj thirrje qeverisë që të ndihmojë biznesin dhe qytetarët duke shtyrë deklarimin e TVSH, pagesën e kontributeve, deklarimin e pasqyrave financiare, pagesën e kësteve mujore të tatim fitimit si dhe çdo lloj deklarimi tjetër të kërkuar me ligj gjatë kësaj periudhe.

Marrja e këtyre masave është mbështetje jetike për njerëzit sot, por edhe garanci për të mirën e përbashkët nesër. Ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo krizë, por e sigurtë është që nëse nuk marrim këto masa sot, do të jetë shumë vonë nesër.

Qeveria jo vetēm gjoba për qytetarët. Duhet transparencë pë kapacitetet e sistemit për përballimin e fluksit. 

Dua të jem i qartë. Transparenca është armiku numër një ndaj panikut në këtë periudhë.
 
Qytetarët duhet të informohen në kohë nga qeveria jo thjesht për gjobat dhe sanksionet ndaj tyre, por mbi të gjitha për:
-      Kapacitetet pritëse të shërbimit tonë shëndetësor;
-      Numrin e pajisjeve respiratore që ka në dispozicion vendi ynë;
-      Pajisjen me medikamentet e nevojshme që ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të virusit, sipas protokolleve shëndetësore të miratuara nga OBSH.
-      Planin e masave për përballimin e fluksit.

Sot të gjithë ne kemi nevojë për solidaritet, mirëkuptim dhe mbështetje. Ne jemi të gjithë bashkë në këtë sfidë të paprecedentë për ne si individë, si familjarë dhe si shoqëri.
Prandaj ne si opozitë, po punojmë përditë me ekspertët tanë për t’ju informuar, për tju ofruar transparencë sa të mundemi, por edhe për ti’ propozuar qeverisë masa dhe plane të mirëstudiuara.
 
Siguria, shëndeti dhe mirëqenia juaj është objektivi ynë i vetëm.