Pohimi i Ristanit: Vendimi në
KQZ  për 8 majin, i gabua

Pohimi i Ristanit: Vendimi në <br />KQZ  për 8 majin, i gabua
Kreu i KQZ, Arben Ristani, pranoi mbrëmë në "Vizion Plus", pas më¬se një viti, se institucioni që ai drejton kishte gabuar me vendimin e ndërmjetëm për votat e hedhura gabim për zgjedhjet vendore të 8 majit 2011.

Keni 1 vit, që pas zgjedhjeve të 8 majit që i jeni shmangur emisioneve të tilla, ku në mënyrë të thelluar ju të përgjigjeni në lidhje me mënyrën si u menaxhua procesi i 8 majit, vendimmarrja e KQZ, ato le të themi presione që janë normale në punën e një komisioni si KQZ apo kryetarit të saj. Ka qenë koshiente apo?
Unë besoj se analiza e zgjedhjeve të 8 majit është bërë e plotë dhe ne nuk i jemi shmangur. Unë nuk e kam as zakon që ti shmangem debateve, jo vetëm unë, por as kolegët dhe zëdhënësi i KQZ. Kemi qenë gjithmonë në bashkëpunim me median dhe publikun për të sqaruar detajet. Por pas asaj sigurisht ishte dhe një punë e lodhshme, vërtet na takonte dhe njëfarë pushimi. Por nuk është se kemi pasur ndonjë kërkesë. Ashtu erdhën në mënyrë të natyrshme gjërat pa ndonjë plan në këtë sens.

Ka mbetur ndonjë gjë pa thënë nga 8 maji?
Pa thënë jo, por ndoshta për ta theksuar. 8 maji të veçantë kishte zgjedhjet në Tiranë. Besoj se në ato vështirësi që u vu KQZ, nga gjithë eksperienca dhe njohuria që kam, do ishte vendosur çdo komision në çdo vend të botës në rast se në sasi aq e madhe votash të numëruara, 250 mijë afërsisht, për dy kandidatët kryesorë, do ishin ndarë me më pak se 100 vota. Dhe në Amerikë kur ka ndodhur komisionet janë vendosur në vështirësi të madhe. Madje ata përdorin një shprehje, i konsiderojnë mbijetues, aq e fortë është lufta që krijohet në raste të tilla. Kështu që konsiderohen të mbijetuar komisionet zgjedhore në këto raste. I'u garantoj që çdo komision zgjedhor në çdo vend të botës do ta kishte mallkuar ti binte ky lloj fati.

Dhe ju e mallkuat?
Për ne do ishte lehtësim shumë i madh që kushtdo nga kandidatët që fitonte, të fitonte mbi 200 vota dhe do ishin gjithë palët të kënaqura me njëri-tjetrin.

Po kur hymë në atë zonën me 10 vota?
Pastaj ky është përballja me presionin që iu krijua KQZ, por besoj se ajo që na shpëtoi ka qenë transparenca. Gjatë gjithë punës sonë i kemi kushtuar shumë vëmendje transaprencës dhe jemi krenar për këtë sepse raporti i OSBE/ODIHR nëse i lavdëroi këto zgjedhje, gjëja kryesore për të cilat i lavdëroi ishte transparenca. U theksua që ishin zgjedhje transparente. Dhe në rastin konkret kjo transparencë na ka ndihmuar për imazhin e komisionit.

Ka pas dhe kritika. Kush ka qenë kritika më e drejtë?
Sigurisht ka pasur dhe kritika. Kritika krysore dhe që është e vërtetë dhe e drejtë, në fakt është dhe kritika e vetme, po të shohësh raportin, është dhënia e vendimit të ndërmjetëm që ne bëmë para se të mbaronim procesin e numërimit të votave në kutitë e gabuara. Vendimi kur u dha, u dha i paarsyetuar në mënyrë të plotë se ne ishim në vazhdën e punës dhe u menduam që të kishim një vendim të plotë dhe të arsyetuar. Sikur t'i kthehesha dhe një herë atij momenti, por dhe sikur të mos ishte tensioni dhe presioni i momentit mbase do të kishim dalë me një vendim më të arsyetur në atë moment dhe që nuk do shkaktonte atë pasojë që erdhi. Aty u dha kritika, u tha dhe nga institucionet ndërkombëtare që vendimi ishte i paqartë. Kjo ishte për mua e vetmja kritikë dhe e vetmja gjë që qëndron dhe që mund të ishte më e mirë.

Po kritikëve që thanë se ka qenë vendimmarrja juaj dhe mënyra si u drejtua KQZ që kaloi fitoren nga Edi Rama me 10 vota të Lulzim Basha?
Çëshjta që shtohet është a duhet të numëroheshin fletët e votimit në kutinë e gabuar apo jo? Besoj për këtë nuk ka më asnjë lloj diskutimi dhe nuk kishte as në atë kohë. Sepse është fare e qartë se vullneti i shprehur nga zgjedhësit pavarësisht kutisë, duhet të lexohet.
I vetmi problem që ka qenë ishte vetëm se veprimi që bëri KQZ duhet ta bënte në atë moment, apo në momentin e shqyrtimit të kërkesave ankimore. Kishte të bënte thjesht me momentin procedural por jo me faktin nëse duhet të numëroheshin apo jo fletët e votimit në kutinë e gabuar. Për këtë jemi koshient se as u vu në diskutim, as është pjesë e raportit. Problemi ishte momenti procedural kur u bë dhe mënyra si operoi KQZ. Nëse do të kishim një vendim të ndërmjetëm më të plotë dhe më të arsyetur ndoshta nuk do vinte konkluzioni që u veprua në mënyrë të paqartë. Ky është i vetmi moment kritik.

Një nga pyetjet që u bë në atë kohë është "po nëse zoti Basha do ishte 10 vota në avantazh, KQZ do bënte të njëjtën gjë për zotin Rama dhe do kalonte mandati..."?
Nëse do kërkohej nga subjekti politik sigurisht që do ishim të detyruar ta bënim dhe të jepnim përgigje për këtë çëshje. Por absolutisht për mua vullneti i votuesit i shprehur në fletën e votimit, duhet lexuar. Dhe kjo për çdokënd që do ishte, qoftë për Bashën apo Ramën.

Pra ju nuk ndjeni asnjë peshë që vendimmarrja juaj kaloi, le të themi, fitoren me vota nga zoti Rama tek fitorja me vendim nga ju te zoti Basha?
Së pari vendimmarrja jonë pasqyroi atë që zgjedhësi kishin hedhur në kutinë e votimit. Votat i kanë hedhur zgjedhësit shqiptarë, jo KQZ. Për më saktë zgjedhësit e Tiranës i kanë dhënë fitoren njërit apo tjetrit. Ne kemi bërë punën tonë.

Është sqaruar ai momenti i asaj kutisë që u hap, që u fut dora?
Ne patëm disa kuti të dëmtuara gjatë transportit. Kutitë kur vendosen në magazina vendosej njëra mbi tjetrën, merren me pirun kur transportohen për tu çuar nga magazina në KQZ. Qëllonte që binin dhe janë thyer se janë plastike. Çështja është se kutitë të gjitha kanë inventarit që është një formular që e mbajnë mbi 7 vetë që u përkasin subjekteve të ndryshme, dhe garancia është se inventarin e kanë 7 vetë që i përkasin PD, PS, LSI etj. Dhe në momentin që ndryshon diçka brenda kutisë nuk do të gjejë pasqyrim tek procesverbali. Në këtë kuptim kutitë e votimit në atë moment sikur në mes të Tiranës ti lësh të hapura, nuk mund të vazhdojnë rrugën e tyre për të qenë ndryshe nga ajo që ka në procesverbale.

Pra nuk mund ta tjetërsosh vullnetin e shprehur me vota?
Nuk mundet pasi ka një procesverbal që e kanë 7 vetë. Kutitë e tjera hapeshin aty, ballafaqoheshin me inventarin, nëse ishin njëlloj kalonin. Por nuk na ndodhi ndonjë rast që mos ishin të njëjta me inventarin.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë