Politikania greke Vula Tsetsi, bashkëkryetare e Partisë së Gjelbër Evropiane, i është bashkuar sot protestës në Tiranë dhe gjatë fjalës së saj ka vlerësuar tubimet e organizuara prej 30 ditësh në kryeqytet, kundër investimit në Zvërnec.
Teksa bëri thirrje për shtim të presionit mbi kryeministrin Edi Rama, politikania greke theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE, duhet të kalojë më parë nga respektimi i zërit të qytetarëve.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë. Urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje! Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj, anëtarësimin në BE. Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë, nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë”, tha mes të tjerash politikania Tsetsi.
Më pas një apel Tsetsi e kishte edhe për grupimin e socialdemokratëve në BE, të cilëve u kërkoi që të ndjekin me vëmendje situatën në Shqipëri.
“Gjithashtu duhet të bëjmë një apel te miqtë tanë socialdemokratë. Miqtë tanë atje duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë. Ndaj mos u dorëzoni, çdo ditë është një ditë fitoreje. Jo vetëm për demokracinë, por për ju edhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë në BE”, përfundoi politikania greke.
Lajmi kryesor:
Dita e 30-të e tubimit nis me tensione për një banderolë, protestuesit ‘mësyjnë’ te Politekniku dhe shqyejnë derën! (VIDEO)





