VARSHAVË, 1 dhjetor /ATSH-ANSA/ - Për herë të parë në Poloni një homoseksual i deklaruar zgjidhet kryetar bashkie.
Robert Biedron, 38 vjeç, deputet i partisë "Lëvizja jote" (Twoj ruch), fitoi dje turin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe u zgjodh kryetar i bashkisë së Slupskut, qytet i shtrirë përgjatë brigjeve të detit Balltik.
Biedron mori 57,08 për qind të votave.
Kundërshtari i tij, heteroseksual, Zbigniew Kowinski, deputet i partisë në pushtet "Platforma qytetare", mori 42,92 për qind të votave.
Që nga viti 2001 Biedron është aktivist i lëvizjeve kundër homofobisë dhe organizator i të parës paradë të homoseksualëve në vend.
"Do të jem një kryetar bashkie modest. Do të lëviz me biçikletë dhe jo me makinë", deklaroi Biedron për agjencinë zyrtare polake të lajmeve, PAP./ a.jor.










