Presidenti, Brozi: Kandidimi i
Nanos ishte kurth i Berishës

Presidenti, Brozi: Kandidimi i<br />Nanos ishte kurth i Berishës
Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit në gjysmën e parë të viteve ‘90 në Shqipëri, Zef Brozi, në një intervistë për “Shqiptarja.com”, thotë se zgjedhja e presidentit nga radhët e PD-së vendosi de facto si president të vendit Sali Berishën. Sipas tij, tashmë ai do t’I ketë duart e lira që të bëjë çfarë të dojë me pushtetet në vend dhe do të synojë që të marrë edhe drejtimin e opozitës për të vendosur diktaturën e vet.

Z.Brozi, në intervistën e fundit që dhatë për "Shqiptarja.com" thatë se duhet një "pranverë shqiptare" kundër kryeministrit Berisha, duke nënkuptuar pranverën arabe. Pranvera iku edhe këtë vit, dhe vera na gjen me një president të zgjedhur nga ana e kryeministrit Berisha. Përse, sipas jush ky popull nuk zgjodhi pranverën, sic propozuat ju dhe po mban mbi krye një qeverisje tashmë të blinduar në pushtet?
Le t'i përgjigjem pyetjes me një thënie të ish-Presidentit Amerikan, Thomas Jefferson: "Gjithçka që i nevojitet tiranisë për të qëndruar në këmbë është që njerëzit e mirë të heshtin". Regjimi komunist u rrëzua kur studentët dhe më pas shumica e popullit e theu heshtjen, guxoi dhe u ngrit në protesta masive. Regjimi i korruptuar e diktatorial i Berishës u rrëzua në vitin 1997 kur populli e theu heshtjen përsëri dhe guxoi. Diktaturat nuk kanë rënë përmes zgjedhjeve, por përmes protestave të guximshme e sakrificave. Edhe regjimi i sotëm diktatorial në Shqipëri mund të qëndrojë në këmbë deri atëherë kur populli ta thyejë heshtjen e tij mortore e të protestojë pa frikë deri në fitore. Përshëndes nismën "Berisha Ik" dhe thirrjen që kanë bërë ish të dënuarit e të persekutuarit politikë, të cilët i bëjnë apel popullit të bashkohet me ta në protesta kundër qeverisë së korruptuar dhe inkriminuar. Opozita, shoqëria civile, gazetarët, studentët, sindikatat, pensionistët, të gjithë ata që nuk janë pjesë e krimit dhe korrupsionit të pushtetit të mos heshtin, por të bashkohen me këtë lëvizje shpresëdhënëse për fatet e Shqipërisë.

Ju besoj e keni ndjekur nga SHBA ku jeni procesin më të fundit, zgjedhjen e presidentit. Çfarë shije ju la?
E gjithë e ashtuquajtura fushatë a procedurë për presidentin më ka lënë një shije që është pak të thuash të hidhur. Ishte një tallje me Kushtetutën, fyerje dhe tallje me Shqipërinë, me institucionin e Presidentit. Por asgjë të papritur për mua nuk pati. Ata që mendonin e shpresonin që Berisha do bënte një proces të ndershëm e në të mirë të Shqipërisë akoma nuk e kanë njohur dinakërinë e dhe makiavelizmin e helmuesit të politikës e shoqërisë shqiptare. Unë gjithnjë kam ndjekur e ndjek me vëmendje dhe emocione gjithçka ngjet në vendin tonë të dashur. Këtë kam bërë edhe gjatë periudhës së procesit dhe debateve për zgjedhjen, a më saktë duhet thënë emërimin e Presidentit. Përmes "Top Channel" kam shikuar emisionin e mrekullueshëm "Fiks Fare" dhe emisionet "Top Story" e "Shqip". Kam lexuar gjatë këtyre dy muajve disa artikuj në shtypin shqiptar, sidomos në gazetat kurajoze Shqiptarja.com, Tema e Shqip. Gjëja më e bukur ka qenë "fushata" e kandidati të "Fiks Fare" -Fonit dhe humori me të cilin e prezantonin në program humoristët e talentuar Saimiri e Doktori, të cilët përfitoj nga rasti t'i përshëndes dhe uroj miqësisht ata dhe gjithë stafin e "Top Channel". Foni si kandidat për President bëri ato që asnjë kandidat tjetër nuk bëri: takime me popullin. Kandidatët e pushtetit nuk e bënë këtë. Dhe as kishin vullnet e kohë të merreshin me popullin. Dhe as ia kishin nevojën votës së popullit. Për më tepër, Foni u tregua i sinqertë me bashkëfolesit duke ua thënë hapur: S'ka punë, S'ka para, S'ka problem. Foni shkoi edhe më tej: mblodhi 19 firma deputetësh. Këtë nuk arriti ta bënte as miku i ngushtë dhe mbështetësi i pushtetit dhe Kryeministrit, përçarësi e sabotuesi i së majtës, Fatos Nano. A nuk është tallje dhe turp që deputetët e mazhorancës nuk firmosën për të propozuar sipas Kushtetutës kandidatin e tyre të tre raundeve të para (Raunde pa kandidat-a është kjo një sajesë e turpshme shqiptare?) intelektualin e mirënjohur dhe gjykatësin Zaganjori? Eshtë e paimagjinueshme për një mendje normale sjellja arrogante e tepër misterioze e mazhorancës me Artan Hoxhën, kandidatin që ajo vetë e kishte përzgjedhur dhe shpallur rreth mesnatës, vetëm disa orë para se të votohej. Mendoj se është në të mirë dhe në dinjitetin e vetë Artanit që ai të bëjë publike çfarë i ka ndodhur mëngjesin e ditës kur u nis të shkonte në Parlament i shoqëruar (apo rrëmbyer!) nga Garda. Edhe prokuroria duhet të fillojë hetimet për këtë akt mafioz të pushtetit berishian. Kjo çështje nuk i përket vetëm ish-kandidatit për president Artan Hoxhës, por ne të gjitheve. Kjo është çështje me interes të veçantë publik që kurrsesi nuk duhet kaluar në heshtje dhe pa u zbardhur e vërteta. Këtë e kërkoj edhe unë, ndonëse për A. Hoxhen si analist politik nuk kam asnjë simpati sepse ai shpesh ka qenë mbrojtes i flaktë deri në marrëzi i Sali Berishës dhe qeverisjes së korruptuar e inkriminuar.

Ishte folur për konsensus, pati shumë thirrje për këtë, por Berisha qëndroi dhe e zgjodhi siç kishte premtuar, një figurë politike nga PD. Ka fituar sërish Berisha apo ka humbur?
Kush akoma beson në premtimet e Berishës (nuk e kam fjalën këtu për premtimet që ky i jep klanit të tij mafioz) e meriton dështimin. Konsensus Berisha di të bëjë vetëm me vetveten dhe e paraqet këtë si konsensus me të gjithë. Berisha ka fituar. Por mundet që kjo fitore të shënojë edhe rrokullisjen e tij. Në fakt këto 20 vjet dëshmojnë se Berisha fiton edhe kur humbet, sepse asnjë gjemb nuk i ka hyrë në këmbë atij, edhe pse ai mbart mbi vete një mal me akuza për krime monstruoze. De fakto Berisha pas një muaji do jetë edhe President. Pas pak kohe de fakto do grumbullojë në duart e tij të gjitha pushtetet. Të fituar janë klani mafioz në pushtet dhe në politike. E humbur është Shqiperia, të humbur janë shqiptarët e ndershem dhe të varfër. Të humbur janë edhe vetë demokratët idealistë.

Ambasadori amerikan në Tiranë, ashtu si pjesa tjetër e ndërkombëtarëve, kërkuan me ngulm presidentin figurë konsensusi, por pasi ai u zgjodh vetëm nga shumica në kuvend, ata e uruan publikisht si një zgjidhje e mirë. Si e shpjegoni këtë double-standard?
Une do të vlerësoja qëndrimet parimore të ndonjë ambasadori që nuk bën kompromise me qeverinë në dëm të Shqipërisë. Për mua është e papranueshme fushata e ndonje ndërkombëtari për persona konkretë sepse Presidenti duhet të zgjidhet nga shqiptarët dhe jo të huajt. Aq më tepër kur bëhej fushatë për ndonjë ish-pushtetar të diskredituar dhe të akuzuar për qeverisje të zhytur në korrupsion. Ndërsa duhet mirëkuptuar fakti se ata ndërkombetare që u lodhën duke folur për zgjedhjen me konsensus të presidentit nxituan ta urojnë presidentin e emëruar nga Berisha. Në marrëdhëniet ndërmjet shteteve kjo është një praktikë kortezie. Në fund të fundit, fajin për mënyrën e zgjedhjes së presidentit nuk na e kanë të huajt. Nëse më lejoni, dua të ndalem disi më gjatë lidhur me qëndrimet e disa ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë dhe të bej apel që ne shqiptarët të largojmë nga vetja sjelljet inferiore dhe servile ndaj të huajve. Për fat të keq disa ndërkombetarë tallen me shqiptarët dhe Shqipërinë. Disa prej tyre janë bërë edhe qesharake në popull dhe nuk ka më besim në ta. Të mos çuditemi nëse disa prej tyre edhe mund të jenë korruptuar nga pushteti i Berishës. Por nga ana tjetër, duhen përshëndetur qëndrimet parimore të Bashkimit Europian dhe ndonjë ambasadori që po insistojnë në arritjen e standarteve dhe nuk i bëjnë elozhe e lëshime qeverisjes së korruptuar. Eshtë e turpshme, madje edhe e ndëshkueshme, sjellja e disa ekperteve dhe zyrtarëve të OSBE si në rastin e sabotimit që bënë për numërimin elektronik të votave pasi mazhoranca dhe opozita kishin rënë dakord për këtë çështje. Janë me dy fytyra edhe qëndrimet ndaj zgjedhjeve në Shqipëri: raportet e tyre kënaqin shumë vjedhësin e zgjedhjeve, sepse nuk thonë se zgjedhjet u vodhën, por përdorin shprehjen që më vjen pështirë ta citoj "Zgjedhjet ishin një hap para në krahasim me…., por nuk i arritën të gjitha standartet". Në të vërtetë zgjedhjet u vodhën dhe manipuluan dhe këtë po e dëshmon edhe rasti i Ruzhdijes, edhe gjykimi i komisionerëve të Dajçit (Lezhë) dhe mijëra raste të tjera që prokuroria nuk ka guxuar të fillojë çështjen penale, edhe pse provat janë më se të mjaftueshme. A nuk janë OSBE dhe disa ndërkombëtare të tjerë që e konsideruan Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës si arrritje e madhe e konsesusit PD-PS? Ndërsa tani fitore e vërtetë për Shqipërinë do jetë shfuqizimi dhe hedhja e tyre në koshin e plehrave.

Frika më e madhe e shprehur për një njeri të PD-së në krye të shtetit, ishte se ai tashmë do të ketë dorë të lirë për të spastruar Prokurorinë, gjyqësorin, përmes KLD-së edhe gjykatat e tjera dhe rolin si komandant i forcave të armatosura. Ju si i parashikoni këto zhvillime të ardhshme pas largimit të presidentit aktual Bamir Topi nga detyra në 20 korrik dhe marrjes së drejtimit nga presidenti i votuar Bujar Nishani?
Unë nuk mund të jap opinion personal se sa do jetë vetvetja President Nishani, as se si do jetë ai edhe po të ishte vërtetë i pavarur nga Berisha. Por fakti se Berisha nuk zgjodhi as Zaganjorin, as Hoxhën edhe pse bëri sikur i propozoi për kandidat për president, tregon se ai preferonte për president një vartës nga kabineti i tij që të kishte dëshmuar bindje të padiskutueshme ndaj Berishës, pra dikë që edhe pse President të ruaje po atë sjellje prej vartësi sa ishte ministër. Pra e përsëris, president de fakto nga fundi i Korrikut do jetë Berisha, dhe de jure do jetë Nishani. Duke ditur se Berisha duhet të përgjigjet para drejtësisë për urdhërin për terrorin shtetëror të 21 Janarit 2011 dhe shumë akuza të tjera, ky pozicion i gjithpushtetshëm i jep atij garanci për mosndëshkim, të paktën sa të jetë në pushtet. Edhe ndonjë shenjë a gjest çerekpavarësie e derisotme e ndonjë organi shtetëror, e prokurorisë, ndonjë gjyqtari etj. do të shuhen nga thundra berishiane. Pra diktatura do jetë më e fuqishme, Shqipëria do bëjë hapa pas, shqiptarët do jenë edhe më të trembur, më të terrorizuar, më të varfër.

Një nga frikërat më të mëdha pas zgjedhjes së presidentit me forcën e kartonëve ishte se vendi nuk do të marrë as këtë vit statusin për në BE. Kush fiton nga ky vendnumërim i vendit?
I pari që realisht nuk e ka dashur dhe nuk e do Shqipërinë në Bashkimin Europian është Sali Berisha. I pari që përfiton duke e lënë vendin tonë jashtë BE është po vetë Berisha. Në Shqipërinë jashtë familjes europiane Berisha ka qeverisur dhe qeveris si të dojë: shtyp e gjakos popullin, sulmon e përndjek opozitën, kontrollon dhe keqpërdor çdo institucionin, bën një politikë financiare dhe ekonomike pa asnjë standart dhe kontroll. Po të hyjë në BE Berisha në pushtet nuk do t'i ketë gjithë këto hapësira për qeverisje sipas mënyrës së tij tiranike dhe abuzuese. Prandaj Berisha ka bërë e do bëjë gjithçka që t'i largohet BE.

Fitorja e radhës e z.Berisha është komentuar edhe si humbje nga ana e z.Rama në krye të PS-së. Realisht, sipas jush çfarë mund të bënte opozita në këtë proces?
Une nuk e shoh humbje të opozitës emërimin e presidentit nga Berisha, pra zgjedhjen vetëm me votat e mazhorancës. Përderisa deputetët e disa partitve të vogla në koalicion me PD i tradhëtuan idealet e tyre për të cilat me shumë të drejtë bënë edhe grevë urie në Parlament me 2008-ën, por me 2009-ën u bënë pjesë e pandarë e qeverisjes së korruptuar dhe inkriminuar, opozita kishte vetëm vullnetin e mirë për një president që të zgjidhej edhe me pëlqimin e saj, por nuk kishte as votat, as ndonjë mekanizëm tjetër që ta detyronte Berishën për një president konsensual. Opozita tregoi pjekuri që nuk ra viktimë e lojës së dyshes komuniste e tepër dhelparake Berisha-Nano, pra që të pranonte propozimin e vetë Berishës që ajo të paraqiste Nanon si kandidat të sajin për president. Po ta bënte këtë opozita sëpari do të shkelte Nenin 86 të Kushtetutës së 1998-ës (pra Kushtetutës që vetë Nano kryeministër e diktoi) sepse ai nuk plotësonte as kriterin kushtetues. Së dyti, do t'i jepte ndihmë të jashtëzakonshme mazhorancës, duke e paraqitur procedurën si shumë demokratike, do t'i jepte armë të forta mazhorancës dhe publikut për të sulmuar PS si parti që dhunon Kushtetutën dhe që mbështet e propozon një person të diskredituar dhe akuzuar për korrupsion sa ishte kryeministër. Do të harroheshin lëvdatat pompoze që Berisha i bëri Nanos në Parlament tek i lutej opozitës të binte në grackën e tij. Pra te fajësosh opozitën për fajet dhe krimet e Berishës është jo vetëm e pandershme, por edhe shumë e dëmshme sepse mbrohet dhe inkurajohet fajtori i vërtetë.

"Livadhisja" e kryeministrit me votimet në përgjithësi, por edhe me 71 vota për presidentin, siç u bë pas ndryshimeve kushtetuese në prill 2008, i është faturuar si mëkat i rëndë politik z.Rama, si bashkëfirmëtar me z.Berisha. Çfarë pasojash kanë këto ndryshime nga ana juridike dhe pastaj në funksionimin e institucioneve, ku ndodh që presidenti i vendit të zgjidhet me 70+1 vota të deputetëve, për të mos folur për të tjerat?
Fakti se Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira e të ndershme bën me faj së pari ata që organizojnë dhe kryejnë manipulimin dhe falsifikimin e zgjedhjeve. Në Shqipëri janë bërë zgjedhje të lira edhe pa një Kod Zgjedhor të detajuar. Nëse Kodi Moral i Zgjedhjeve do pranohej e zbatohej nga politikanët, pushtetarët dhe zgjedhësit atëherë do bëheshin zgjedhje shumë të mira, të lira e të ndershme edhe pa Kod Zgjedhor. Por përderisa politikanët dhe pushtetarët duan të mbajnë pushtetin me vjedhje votash, atehere duhet një Kod Zgjedhor që nuk lë mundësi për manipulime e falsifikime.
Kam qenë në Shqipëri në vitin 2008 dhe kam ndjekur në televizion gjithë seancën kur Parlamenti në mënyrë rrufe dhe pa tranparencë miratoi Kodin e sotëm Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese. U tmerrova me mënyrën si po procedohej. Asgjë lidhur me përmbajtjen nuk mësohej se nenet as lexoheshin, as diskutoheshin, thjesht votoheshin. Meqenëse unë kam qenë kryetar i Komisionit të Ligjeve në vitet 1992-1993, duke bërë krahasim me atë periudhë, mu duk vetja se po shoh një parlament të viteve para 1990-ës. Për fatin e keq Kodi Zgjedhor i vitit 2008 është Kodi më antidemokratik dhe më antikushtetues që ka pasur Shqipëria në këto dy dekada, a mbase edhe më tej. Për këtë përgjegjesia bie mbi të dy autorët e kësaj masakre ligjore: PD-PS. Përgjegjësi të rëndë për këtë Kod mbajnë edhe OSBE dhe ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar që gjoja ofruan ekspertizën. Po, ata dhanë ekspertizën më të keqe dhe të dëmshme, nëse kjo ka qenë edhe frut i asistencës së tyre. Nëse Reforma Zgjedhore që thuhet se po bëhet nuk ndryshon sistemin zgjedhor, nuk krijon një administratë jopartiake për administrimin e zgjedhjeve, nuk ndryshon tërësisht mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ dhe komisioneve te tjera, nuk eleminon Kolegjin Zgjedhor, nuk mbyll shtigjet e falsifikimit të listave të zgjedhësve etj…., atëherë kot sa thuhet se u bë reforma zgjedhore. U bëj thirrje edhe ekspertëve të huaj që të jenë seriozë dhe jo të ngatërrojnë edhe më tej zgjedhjet dhe reformat zgjedhore në Shqipëri. Sa për planin pilot lidhur me numerimin elektronik të votave-këtë edhe po të pranohet-gjë që do jetë marrëzi, të mos i besohet OSBE sepse është edhe në konflikt interesi dhe në dhunim të etikës.
Nëse në zgjedhjet e 2013-ës do shkohet me Berishën kryeminister dhe me Kodin Zgjedhor që është sot, apo me ndonjë Kod Zgjedhor të ngjashëm si ky, zgjedhjet do të jenë si ato të 2009-ës dhe 2011-ës.

(aq/shqiptarja.com)



  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë