TIRANE-Presidenti Ilir Meta zbret në terren në aksion kundër qeverisë për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti. Kreu i shtetit në datë 2 mars ka thirrur sikur tha ai, popullin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' përpara Kryeministrisë për të lidhur besën për të shpartalluar regjimin. Ilir Meta u shpreh se në këtë datë, kur ka thirrur popullin në bulevard do të firmosë edhe dekretin e parë për çmontimin e grushtit të shtetit. 

I pyetur nga gazetarët nëse do të shpërndajë parlamentin duke qenë se të zgjedhurit i cilëson si dele-deputetë në një gjysmë-parlament, kreu i shtetit nuk pranoi që të jepte një përgjigje direkte duke u mjaftuar me paralajmërimin se do të firmosë dekretin e parë kundër grushtit të shtetit duke e lënë enigmë.

Data 2 mars kur Meta i kërkon popullit të bashkohet me të në shesh për të lidhur besën përkon edhe me ditën e Besëlidhjes së Lezhës në vitin 1444, ku duket se është frymëzuar. Ilir Meta kishte një përgjigje edhe për kryeministrin Edi Rama që mbrëmë e injoroi kur tha se 'Ku e ka popullin ky, në WhatsApp?', ndërsa sot Presidenti ia ktheu duke e paralajmëruar "Ata që kërkojnë popullin e Presidentit të WhatsApp të përgatisin poturet e gjëra", referuar datës 2 mars.

Kujtojmë që në datë 8 dhjetor të vitit të kaluar Presidenti bëri tentativën e parë për të zbritur në shesh në Qytet Studenti, në atë që e cilësoi si tubimin mbarëpopullor për referendumin, por në 3 dhjetor e anuloi për shkak të tërmetit tragjik të 26 Nëntorit. Por pyetja që shtrohet është nëse Policia e Shtetit do të japë leje për zhvillimin e tubimit, pasi tre qarqe, Tiranë, Durrës dhe Lezhë janë në gjendje emergjence për shkak të tërmetit deri në datë 31 mars të këtij viti. Sipas ligjit, në kushtet e gjendjes së emergjencës nuk lejohen tubimet.

Foto e postuar nga Ilir Meta në Facebook

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:19
Meta: Në 2 mars firmos dekretin e parë përballë popullit në Bulevard për të shpartalluar grushtin e shtetit

Presidenti Ilir Meta pas anulimit të tubimit të 8 Dhjetorit të vitit të kaluar në Qytet Studenti për shkak të tërmetit, i është rikthyer sërish kësaj kauze duke thirrur popullin në datë 2 mars në një protestë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. I pyetur se përse nuk e shpërndan parlamentin duke qenë se të zgjedhurit i cilëson si dele-deputetë, kreu i shtetit u shpreh se ditën kur ka thirrur popullin në shesh, do të firmosë dekretin e parë kundër grushtit të shtetit, por nuk e specifikoi nëse kjo lidhej me shpërndarjen e Kuvendit.

"Pjesëmarrës në këtë grusht shteti është vetë qeveria dhe gjysmë-parlamenti. Së dyti ka edhe persona të tjerë, që do të ketë padi të reja, cdo ditë do të ketë lajme për grushtin e shtetit. Do të marrim me qetësi çmontimin e plotë të grushtit të shtetit.

Nëse kjo godinë, ky institucion është sot një kështjellë e vetme, për fat të keq, por e pamposhtur e mbrojtjes së demokracisë, nga data 2 mars kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit, përpara popullit në bulevard, ku do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve, me qëllim shpopullimin e këtij vendi, duke e kthyer në një bazë operacionale të krimit të organizuar, por edhe shumë problemeve të tjera.

Në 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", falë popullit shumë shpejt, nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti në mbrojtje të Kushtetutës, por të gjithë këta institucionet që janë në bulevard do i kthehen popullit" tha ai.

Ilir Meta kishte një përgjigje edhe për kryeministrin Edi Rama që mbrëmë e e injoroi kur tha se 'Ku e ka popullin ky, në WhatsApp?' tha kryeministri, ndërsa sot Presidenti u përgjigj duke thënë se "Ata që kërkojnë popullin e Presidentit të WhatsApp të përgatisin poturet e gjëra".

Ora 13:15
Zyrtarizimi i Vorpsit në Fletoren Zyrtare, Meta:Qendra e Botimeve refuzon të më japë aktin

Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se Qendra e Botimeve Zyrtare nuk i ka vendosur në dispozicion procedurën e realizimit të aktit me të cilin është kërkuar botimi në fletoren zyrtare i shpalljes në emër të KED-së së Arta Vorpsit anëtare Gjykatës Kushtetuese. Meta tha se as Komisioni i Venecias që ka ardhur për opinion në Tiranë, nuk e ka gjetur këtë akt, por Qendra e Botimeve Zyrtare, sipas tij, i ka refuzuar kërkesën që t'ia vendosë në dispozicion. Kreu i shtetit i paralajmëroi drejtuesit e këtij institucioni se do të mbajnë përgjegjësi të plotë.

"Jam këtu për të kërkuar të gjithë ndihmën e popullit për të çmontuar grushtin e shtetit, që në emër të disa bandave kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe një pjese të mafies ndërkombëtare që i mbështet hapur aktivitetin në dhunim të sovranitetit. Kam një problem të madh nuk po gjej dot aktin me të cilin është kërkuar dhe realizuar botimi në fletoren zyrtare i gjoja shpalljes në emër të KED Arta Vorpsit anëtare Kushtetuese. Akt me të cilin Kuvendi e konsideroi të zgjedhur dhe vijoi punët e mbrapshta. Ky është shqetësim, pasi parlamenti ka thirrur komisionin e Venecias dhe as ata nuk e kishin gjetur dhe ne nuk e kemi zyrtarisht pasi duhet të jemi seriozë me komisionin e Venecias.

Prandaj i kam kërkuar para 48 orëve, ka skaduar afati, QKZ dhe i është drejtuar me këtë mënyrë "Datë 9 nëntor rezulton të jetë botuar vendimi. Presidenti kërkon menjëherë dërgimin e të dhënave mbi mënyrën e administrimit të kërkesës zyrtare për betimin të vendimit për KED, shoqëruar me praktikën dhe botimit të aktit. Në mos përgjigje, personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi. Për informacionet që kërkon Presidenti institucionet duhet të përgjigjen menjëherë. Na duhet akti që Komisioni i Venecias të jetë edhe më i ndriçuar pas takimit me anëtarët e KED-së së vjetër" tha ai.

Ora 13:00
Meta: Rama, ideatori i puçit të shtetit, ju tregoj provat e reja

Presidenti Ilir Meta sot para medieve ka dhënë prova të tjera, që sipas tij janë grushti i shtetit që qeveria dhe kryeministri Edi Rama po i bën Kushtetutës me ndryshimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve. Kreu i shtetit thotë se në relacionin që shoqëron projektligjin theksohej se për ndryshimet në betimin e gjyqtarëve të Kushtetueses është marrë edhe mendimi i shumë institucioneve, mes tyre KED, KLGJ, KLP, Magjistraturës, Komitetit të Helsinkit, etj. Por, vijon më tej Presidenti, KED, Magjistratura dhe Komiteti i Helsinkit nuk kanë dhënë fare mendim ose kanë qenë kundër dhe kështu parlamenti, sikur i cilësoi ai i dele-deputetëve gënjeu dhe mashtroi.

"Iniciativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese është nga kryeministri, që është ideatori i këtij puçi shteti. Gjysmë parlamenti në relacionin e tij që shquhet për gënjeshtra dhe mashtrime, thotë se kjo nismë, që për të bërë betimin në kafene apo buzë Lanës ka marrë aprovimin e KLP, KLGJ, Magjistratura, Fondacioni Soros (që nuk besoj), ministria e Drejtësisë, etj. Këto përgënjeshtrohen, në radhë të parë nga Dvorani, që thotë se nuk ka dhënë asnjë mendim në mbështetje të këtij grupi shteti. Dhe unë këtu e duartrokas, se veproi në përputhje me ligjin.

Këtu kemi një përgënjeshtrim tjetër të parlamentit të dele-deputetëve. Ku thotë se Shkolla e Magjistraturës nuk ka dhënë opinion për këtë ligj fare, falenderoj edhe zotin Sadushi. Vijmë te Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që thotë se ligjet duhet ti nënshtrohen konsultimit me Presidentin, etj. Lidhur me këtë propozim, pra betimin te Lana, KSHH, vlerëson se ceremonia e betimit te Presidenti nuk mund të realizohet në formë të shkruar. KSHH thotë se akti i betimit duhet të bëhet vetëm përpara Presidentit" thotë Ilir Meta.

Ora 12:55
Meta sulmon sërish ambasadorët: Kanë vite këtu dhe nuk duan të kuptojnë

1582113870_meta3.jpg
Kreu i shtetit nisjen e konferencës sot me gazetarët e ka nisur me një sulm direkt për ambasadorët e huaj në vendin tonë. "Ju kërkon falje për vonesën, por kisha një takim me ambasadoren e Kanadasë, e interesuar për demokracinë. Jam i lumtur që e nis bisedën me demokracinë. Koha vajti më gjatë se duke folur për ‘role of law’, dhe zonja nuk po kuptonte dot gjë, dhe i thashë të takojë gazetarët se ka kolegë të tjerë që kanë vite këtu dhe nuk duan të kuptojnë. Edhe kjo historia e gjykatës Kushtetuese dhe zonja nuk po kuptonte gjë dhe unë i thashë, të lutem të iki të takoj gazetarët se këtu kanë diplomatë vite që nuk duan ta kuptojnë".