Ndonëse Imami tha se demokratët do të dalin me një figurë potenciale të tyren, duke garantuar se i kanë votat për zgjedhjen e Presidentit. Ndërsa Ruçi ka qëndruar sërish në idenë se s'kërkojnë një president nga PD as nga PS, por të jetë garant i Kushtetutës me besimin politik të të gjithë aktorëve politikë.
"PD është për zgjedhjen e një presidenti sipas Kushtetutës. Do të jetë një figurë politike, ne jemi në fazën e konsultimeve me forcat e tjera politike brenda mazhorancës, por dhe jashtë saj, për një figurë përfaqësuese për kreun e shtetit. S'duam të na imponohet presion nga opozita për një kryetar shteti jashtë politikës. Ne do kemi kandidaturën tonë si PD, askush s'na pengon", deklaroi Imami në emisionin "Fakt" në UTV.
Ka qënë kreu i Asamblesë së PS, Gramoz Ruçi ai që është shprehur qartë se duhet një takim mes Ramës e Berishës për gjetjen e një figurë konsensuale. "Mazhoranca ka zvarritur reformën parlamentare e zgjedhore me faktin se kërkon të mbledhë të gjitha këto votime në procesin e presidentit. Opinioni do që të dijë kush janë kandidatët, jo të shkojmë si numrorë topi në kuvend. Duhet një takim i liderëve për presidentin. Unë s'kam emër të PS. Mazhoranca, nëse s'arrihet në një kompromis për një emër, e dimë se do shkojë drejt tentativës për zgjedhjen e Presidentit me shumicën e thjeshtë", tha Ruçi. Ai u shpreh se PS s'do një president që të jetë noter i PD e PS, por mbi palët ku këto kërkesa i plotëson një proces politik i dakortësuar nga të gjitha palët", tha Ruçi. Ndërkohë që Imami, teksa është shprehur se propozimi për president me 71 vota ka ardhur nga PS, kërkon një president politik që të shmangen gafat e papërgjegjshmëria politike, duke nënvizuar se pavarësisht kundërshtive të LSI, PD është e vendosur për kandidatin e saj. Deklaratë e cila, është kundërshtuar nga Ruçi i cili u shprehet se nëse s'zgjidhet një president me konsensusin e të gjitha forcave politike, duke mbajtur dhe përgjegjësinë para partnerëve ndërkombëtarë që e kërkojnë një gjë të tillë, do ketë probleme me integrimin.
Ai ka nënvizuar se "nëse s'janë numrat 71, atëherë ne jemi gati të marrim përgjegjësinë dhe për zgjedhjet e parakohëshme". Por tha se nëse zgjidhet me 71 vota, pavarësisht se në planin moral e politik nuk e pranojnë, në planin institucional ai është kreu i shtetit. Ruçi nuk i ka shpëtuar komentin për Nanon kandidat për president. "Kërkojmë një president konsensual. S'jemi për të shprehur konsiderata që e meriton ose jo Nano. Nëse jeni në analizë për Nanon si person, jo si kandidat për president se do ma keqinterpretoni nesër, deklaroj se kam vlerësime maksimale si intelektual, si shtetar, si politikan, ashtu sikurse kam vlerësim maksimal që ka bërë një burg nga mazhoranca katër vjet. As Nano s'pretendon të jetë kandidat i PS, por dhe të pretendonte, PS s'i ka numrat për ta zgjedhur atë", tha Ruçi.
(sg/shqiptarja.com)