/ATSH-B.Jashari/.- Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka marrë pjesë sot në mbrëmje në hapjen zyrtare solemne të Panairit të 17-të të Librit Prishtina 2015 me mëse 100 botues shqiptarë në kryeqytetin e Kosovës, në ambientet e Pallatit të Rinisë, ku gjatë javës, deri në 7 qershor, priten mijëra vizitorë.
Ajo ka prerë shiritin e çeljes së panairit së bashku me kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin kosovar të Kulturës Kujtim Shala, me të cilin në 20 shkurt në Prishtinë  kanë nënshkruar kalendarin e përbashkët kulturor mes Kosovës e Shqipërisë për vitin 2015.
Panairi organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës do të ketë edhe aktivitete që shënojnë përvjetorë të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore,  150 vjetorin e lindjes së Zef Skiroit, 100 vjetorin e lindjes së Roland Barthes, 100 vjetorin e lindjes së Arthur Miller, 100 vjetorin e vdekjes së Josif Bagerit, 95 vjetorin e lindjes së Mark Krasniqit e 20 vjetorin e vdekjes së Anton Pashkut, ndërsa promovime librash do ketë deri 10 çdo ditë.
Do kete edhe trofe të Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, për librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar, projektin kapital, ndërsa shpallen edhe shkrimtarët e vitit të letërsisë shqipe e të huaj, si dhe stenda më e vizituar.
Panairi, me botues nga  Kosova, Shqipëria, Maqedonia e diaspora,  që e bën Prishtinën edhe kryeqytet të librit, do ketë edhe mysafirë nderi shkrimtarë të shquar. Sipas organizatorëve, në Panairin e Librit Prishtina 2015 numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 1.100, i titujve të viteve të fundit rreth 4.000, ndërsa i vizitorëvë mëse 35.000.
Para 16 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, nga 17-22 nëntor, është organizuar panairi i parë i librit në Prishtinë, i cili ishte ndër aktivitetet e para kulturore në liri bashkë me një koncert të mbajtur në qytetin e Prizrenit të artistëve nga Kosova e Shqipëria.