Shqipëria duhet të presë për të marrë një përgjigje nga Këshilli i Bashkimit Evropian mbi Raportin e Ndërmjetëm, që do ta kalonte në fazën tjetër procesin e negociatave.
Këshilli i BE deklaroi sot për Report Tv se për të arritur në një marrëveshje, vendeve anëtare do t’i duhen edhe disa raunde të tjera bisedimesh.
Analisti Mentor Kikia është shprehur në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, se entuziazmi politik që dëshmonte mbështetjen e Brukselit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka rënë ndjeshëm.
Për analistin Kikia, nuk është çështja e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku shkaku kryesor për ‘zvarritjen’ e procesit, por sipas tij, situata është më komplekse.
“Ka ndryshim edhe mes vetë gjuhës së BE-së. Në momentin që Shqipëria po hapte grupkapitujt, kishte një entuziazëm politik që dëshmonte që mbështetja politike në Bruksel për anëtarësimin e Shqipërisë, ishte më e madhja dhe më e nxehta që kishim patur ndonjëherë. Kjo karikoi edhe shoqërinë shqiptare me pritshmëri përtej mundësive dhe aftësive që ne kishim për t’u bërë gati për këtë dasmë të madhe në këtë kohë rekord.
Kjo bëri që Shqipëria të caktonte 2027 për mbylljen e negociatave dhe 2030 për integrimin e plotë. Ne çalojmë në çdo gjymtyrë. Ne menduam se do hynim në BE duke sakrifikuar një udhëheqës të madh. Dhe për këtë arsye, gabimisht është duke u servirur në tryezën publike çështja Balluku si pengesa apo si shkaku që ka krijuar këtë lloj stepje. Unë mendoj që jo, çështja është absolutisht komplekse”, tha mes të tjerash Kikia.
Ndërsa zyrtari i Partisë Socialiste, Alfred Muharremi, është shprehur se procesi i integrimit po vijon me ritme të shpejta. Sipas Muharremit, progresi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, informalitetit, zhvillimit të pronës dhe të drejtave të qytetarëve është i jashtëzakonshëm.
Ai deklaroi gjithashtu se për çdo strategji të aplikuar apo ligj të miratuar nga Parlamenti në Shqipëri, përfaqësuesit e Shqipërisë japin ‘llogari’ në Bruksel.
“Po të dëgjoni deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, progresi që ka bërë Shqipëria në luftën ndaj korrupsionit, informalitetit, zhvillimit të pronës, investimeve apo të drejtës së qytetarëve, ka qenë një progres i jashtëzakonshëm. Kemi një armatë individësh ekspertë, që bëjnë raportime në Bruksel për çdo grupkapitull që kemi hapur. S’ka humbje kohe. Për çdo strategji që ne kemi aplikuar dhe janë të miratuara nga Parlamenti, na pyesin ‘ku je në këtë fazë, ku je me këtë shërbim, etj’. Ka pyetje të ndryshme që bëjnë ekspertët që të mendojnë shumë mirë që Shqipëria po vazhdon dhe është në linjën e asaj që po raporton me atë që është në terren”, tha mes të tjerash Muharremi.
Nga ana tjetër, ish-ministri Enkelejd Alibeaj deklaroi se vota e PS në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, është shkaku kryesor që procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ‘ngecur’.
“S’duhet të ndihet mirë nëse vërtetë procesi ka ngecur. Ky vend, edhe ne bashkë me të do të duhet të ishim nën një ombrellë dhe ombrella më e fortë dhe më e afërt e jona është ajo e BE-së. Dhe askush nuk duhet të hedhë fishekzjarrë nëse procesi ka ngecur. Sot kjo është një nga çështjet më të rëndësishme që duhet të na interesojë ne. Përgëzime juve që jeni të vetmit që keni marrë një reagim të BE-së. Sot në fakt do të duhet të ishte kryeministri që do të duhet të bënte transparencë. Nuk është një ngjarje e thjeshtë. Tani të mundohemi të gjejmë arsyen. Unë vetë e kam pranuar, kam thënë ‘po është e vërtetë, kapitujt janë hapur me shpejtësi’. Dhe kam thënë se arsyet kanë qenë 2, situata gjeopolitike, pra lufta në Ukrainë dhe rezultatet e SPAK. Deri në shtator të vitit të kaluar, ishim të gjithë nën këtë entuziazmin e madh, që negociatat u hapën me shpëjtësi. Nga shtatori i vitit të kaluar, deri më sot, ka ndodhur diçka, entuziazmi është venitur, realizmi i ka zënë vendin. Nga shpejtësia e madhe, duket se jemi në një situatë zvarritje tani, e pranojnë vetë. Në këndvështrimin tim personal, e vetmja gjë që ka ndodhur brenda Shqipërisë, që është kontribut i institucioneve shqiptare, është çështja Balluku. Po i referohem këtu asaj që thanë disa përfaqësues të rëndësishëm, si Davide McAllister, i cili tha për çështjen ‘Balluku’ se është test kritik politik”, deklaroi Alibeaj.
Mendim krejt të kundërt me Alibeajn kishte analisti Arben Meçe. Sipas Meçe, integrimi i Shqipërisë në BE nuk varet nga dëshira dhe plotësimi i kushteve nga ana e Shqipërisë, por nga vullneti i vendeve anëtare të unionit.
“Nëse ne do të bëhemi pjesë e BE-së, kjo më tepër sesa dëshira dhe plotësimi i kushteve nga ana jonë, është vullneti i tyre. Pra ata ose duan të na marrin, ose nuk duan. Dhe nëse nuk duan, mund të gjesh 250 mijë arsye, sepse nëse do të bëjmë analizën, në ekonomi, në peshkim, te fshirja e rrugëve, kemi probleme. Ne u bëmë anëtarë të NATO-s dhe sot e kësaj dite Shqipëria nuk ka ushtri. Pse u bëmë? Sepse ishte vullneti i tyre”, tha mes të tjerash Meçe.
Komente










