Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndodhet në gjykatë për dosjen “Sterilizimi”, ku ai ka lexuar para saj nenet e Kushtetutës, konventës e Kodit të Procedurës Penale që sipas tij nuk janë zbatuar.

“Mua ende s’më është komunikuar akuza e re, as me shkrim, as me gojë, po të doni hapim audion e seancës”, raportohet të ketë thënë ai në gjykatë. “Mesa duket qëllimi i prokurorëve është të dënohet Ilir Beqaj, s’ka rëndësi për çfarë akuze”, ka shtuar ai.

Avokatët e ish-ministrit pretenduan se SPAK ende nuk ka bërë saktësimin e veprës penale pas sugjerimit që iu bë nga gjyqtarja e seancës paraprake ku ndaj tij u kapërcye nga akuza shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Ndërsa GJKKO tha se qartësia e akuzës është e rëndësishme për mbrojtjen, ndërsa ftoi SPAK që ta përgatisë me shkrim dhe t’ia komunikojë Beqajt. Gjithashtu ka kërkuar argumente për ndryshimin e akuzës nga shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim në shpërdorim detyre në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Edhe kjo do t’i vendoset nën dispozicion Beqajt dhe avokatëve të tij.

Seanca e radhës është caktuar më datë 7 prill, në orën 13:00.

Ish-ministri u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK e masë të GJKKO, për dosjen e skandalit me fondet e SASPAC. Krahas kësaj dosje, Ilir Beqaj akuzohet edhe për koncesionin e “Sterilizimit” në shëndetësi. Beqaj ndodhet prej më shumë se një viti i izoluar në paraburgimin e Durrësit.

Disa ditë më parë, GJKKO mbylli shqyrtimin gjyqësor për 8 të pandehurit e tjerë dhe pritet të shpallë vendimin më 4 mars në orën 15:00.