Pas botimit  të dokumenteve  zyrtare nga Report Tv, tashmë një pjesë e madhe e opinionit publik e ka të qartë që arrestimi i përdhunuesve  të mitur të Kavajës, u bë disa ditë para denoncimit në facebook të Sali Berishës, duke zbuluar kështu edhe një herë blofin e ish kryeministrit, i cili edhe dje në kuvend pretendonte që shkolla dhe policia e kanë fshehur skandalin, dhe u detyruan të reagonin vetëm pas denoncimit të tij në facebook. Berisha e ka denoncuar ngjarjen në datën 3 shkurt ndërkohë që rezulton qartë edhe nga këto dokumente të gjetura sot nga Report Tv,  se atë ditë  fajtorët ishin tashmë në pranga.

Raporti nga salla operative e Drejtoria e Policisë së Kavajës që Report TV i publikon ekskluzivisht, mban datën 02.02.2019 dhe theksohet se në orën 08.30 në Komisariatin e Policisë së Kavajës janë shoqëruar 7 adoleshentët. Theksohet se shoqërimi i tyre është bërë nga Policia Kriminale në bashkëpunim me Policinë e Rendit dhe për këto shoqërime është njoftuar Shefi dhe zëvendës shefi i komisariatit. Në një tjetër procesverbal, i mbajtur  posaçërisht për një prej adoleshentëve të ndaluar janë specifikuar të gjitha hapat e ndjekur.

Edhe ky procesverbal është mbajtur po në datën 2 shkurt në orën 11: 30 dhe është pikërisht njohja e të arrestuarit me “masën e sigurisë” të dhënë nga Gjykata e Durrësit, seksioni për të mitur në datë 1 shkurt. Ky dokument përveçse nga dy oficerët e Policisë Gjyqësore Orjeta Kërçuku dhe Samir Kazasi është firmosur edhe nga i mituri i arrestuar, avokati i tij, psikologja dhe nga prindi i tij.

Raporti nga salla operative e Drejtoria e Policisë së Kavajës


Data e postimit te Sali Berishes ne Facebook

Kjo praktikë policore me pesë firma, mes tyre edhe pala e akuzuar i jep fund aludimeve për mosveprim nga ana e policisë para shkrimit të Sali Berishës në Facebook, që është bërë për herë të parë vetëm në datën 3 shkurt. Në fakt ngjarja u zhbllokua nga personeli i shkollës në datë 25 shkurt,teksa menjëherë e kanë informuar prindërit  e vajzës. Denoncimi në polici është bërë në datën 29 janar nga prindërit, në datën 30 materialet janë referuar në prokurori ndërsa në 31 është kërkuar masë sigurie në Gjykatë.

Më datë 1 shkurt gjykata ka lëshuar urdhër arrestet dhe në datën 2 shkurt 7 nga 8 abuzuesit ishin në qeli. Postimi i Berishës në Facebook është bërë vetëm pasi të gjitha procedurat ishin kryer dhe të miturit ishin në qeli. Nga ana tjetër edhe në dosjen e referuar në Gjykatë, Prokurorja e çështjes ka specifikuar se denoncimi i prindërve u mor nga policia vetëm pas garantimit që iu bë familjarëve se kjo çështje nuk do të bëhej publike për të mos dëmtuarën të miturën e abuzuar. Por edhe kjo garanci duket se nuk ka mjaftuar pasi opozita prej ditësh e përdor si kauzë politike për të sulmuar qeverinë, duke bërë publike mes të tjerave  edhe shkollën  që  frekuentonte  viktima, një detaj sensitive qe as gjykata nuk e ka përmendur në dosjen e kësaj çështjeje pikërisht për të mbrojtur identitetin e vajzës.