Profil- Histori/ Sokol Teme Sejko, djaloshi që sfidoi vdekjen

Profil- Histori/ Sokol Teme Sejko, djaloshi që sfidoi vdekjen

Djaloshi Sokol Sejko i pushkatuar nga komunistët

45 vite më parë, më 6 mars 1974, në moshën 24 vjeç, u pushkatua Sokol Teme Sejko.  Është një ngjarje e rëndë, tepër tragjike dhe me akuza nga më absurdet për të.

Ai ishte vetëm 10 vjeç, kur i arrestuan babain dhe xhaxhain Taho  Sejko, 11 vjeç kur pushkatuan dhe zhdukën  varrin  e Temes, 12 vjeç, kur pa gjyq dënohet dhe pushkatohet pa u marrë vesh xhaxhai Taho dhe 13 vjeç,kur vetëvritet për motive politike, xhaxhai  tjetër Sulo Sejko. Përfytyroni një djalë të moshës së tij, ende fëmijë, ashtu si dhe i vëllai Mondi dhe në Shkodër djali i xhaxhait të Sokolit, Hektori, të rritej me imazhet e vdekjes dhe qenies pa varr të prindit. Ëndrrat e Sokolit fëmijë, të Sokolit adoleshent dhe të Sokolit të ri, ishin bërë copë e thërrime. E megjithatë Sokol  Teme Sejko ruajti krenarinë dhe dinjitetin  e të parëve të tij, siç ishin Sejkatët e Filatit dhe Çamërisë. Sokoli, Mondi, Hektori në tollovinë dhe egërsinë e viteve të diktaturës komuniste, nuk e ulën kokën. Sokol Teme Sejko, mendoj  se ruajti deri në çastet e fundit të jetës së tij të shkurtër tri gjëra: krenarinë për prejardhjen e tij, dinjitetin dhe pastërtinë shpirtërore. Pas 45 viteve, në këto momente përkujtimi, unë them: “Lum  ai djalë! Lum ai, që e mbylli jetën në kulmin e rinisë, me dinjitet! Faleminderit Sokol Teme Sejko, që sot  i rikthehemi jetës dhe kujtimit tënd dhe na bën krenar”!

     Momente të tilla, si ky i sotmi kanë me vete edhe emocionin, edhe nderimin, edhe reflektimin. Them reflektimin, sepse ne shqiptarët e veçmas ne që vimë nga një krahinë, ku dhimbjet dhe tragjeditë, më shumë se kudo, i kemi mbajtur si ca pesha të rënda mbi supe nga brezi në brez, kemi nevojë t’u rikthehemi dhimbjeve tona të mëdha, por edhe dinjitetit dhe mënyrës sesi i kemi përballuar ato.

     E tillë është edhe tragjedia e familjes Sejko, por edhe Demi, Plaku, etj, etj.

     Po të lexosh procesverbalin  “Mbi ekzekutimin  e Sokol Teme Sejkos”, që unë do ta quaja kronikë vrastare, shkruar me një gjakftohtësi kriminale, ndjen çuditërisht përveç krismave, edhe zërin e fortë, shumë të fortë , deri në ulërimë të Sokolit. Procesverbali nis  me vendin ku është mbajtur dhe ata që kanë kryer krimin!” Në qytetin Berat, sot në orën 24-oo të datës 6 mars 1974, unë Orhan  Frashëri, Prokuror i rrethit Berat, në prezencë të z/ kryetarit të Degës së P. Brendshme Berat Refat Nenaj dhe të mjekut ligjor Andon Koka.... etj, etj.

Pastaj vinë fjalët: “Për këtë, ju pyes juve Sokol Teme Sejko se cila është fjala juaj e fundit. I dënuari me vdekje Sokol Teme Sejko, tha:

     “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time. “ Dhe i dënuari Sokol Teme Sejko, duke ju drejtuar skuadrës së ekzekutimit tha: “Afrohuni dhe pak dhe shtini”.

     Kur e lexon këtë procesverbal vrastar, befas të duket që ky djalosh 24 vjeçar, do të ringjallet për të rrëfyer atë çka ndodhi në orën 24 oo- të datës 6 mars 1974. Dhe ne do të dëgjojmë zërin bubullimë të tij:” Afrohuni dhe pak dhe shtini”.

     Ku e kishte burimin kjo forcë  dhe trimëri e rrallë? Mendoj se, ashtu siç nënvizova më lart, karakteri i Sokolit u formua në ca rrethana të veçanta dhimbjeje, që e burrëruan para kohe duke ja shtuar krenarinë, dinjitetin, forcën, trimërinë.

     Jo vetëm kaq. Do të shtoja se në formimin  e tij dhe karakterin burrëror, ka luajtur rol origjina dhe veçmas traditat e derës së madhe Sejko. Ata që e njohin historinë e Çamëërisë e dinë se gjyshi i Sokolit, Mehmet Sejko, i lindur në Filat më 1876, në një familje me tradita patrotike, më 20 shtator 1908 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria, ku sekretar është një emër tjetër e njohur Musa Demi. Në vitin 1912- 13 Mehmet Sejko, bashkë me qindra çamë të Filatit, Gumenicës, Margëlleçit, Paramithisë, mbrojtën  me armë në dorë Çamërinë nga forcat pushtuese të ushtrisë greke. Emri i Mehmet Sejkos, është përkrah emrave të tjerë të patriotëve çamë si Aqif Plaku, Rexho Plaku, Alush Taka, Hasan Pilafi etj, në një memorandum që  i dërgojnë në vitin 1919 Konferencës së Paqes në Paris.

     Gjyshja e Sokolit, Shyqyrania, ishte e heshtur, shumë kurajoze dhe me një stoicizëm, që është karakteristikë e shumë nënave dhe gjysheve çame.

     Kjo grua përballoi dhimbjen dhe helmin  për humbjen tragjike të tre djemve të saj: Tahos, Temes dhe Sulos. Dhe siç më ka rrëfyer Hektori, në heshtjen dhe stoicizmin e saj, u dha kurajo nipërve e mbesave, derisa u shua në vitin 1964.

     Ajo u varros në Shkodër dhe prap  siç më ka thënë Hektori,  në varrimin e saj ishin vetëm 4 persona: I nipi, pra Hektori, Hafiz Sabri Koçi, Kujtim Demi dhe Ramiz Draçini.

     Babai i Sokolit është Teme Sejko, komandanti i shquar i Flotës Luftarake Detare të Shqipëris, admiralit të njohur, dhe një nga më të talentuarit të ushtarakëve shqiptarë të kohës. Teme Sejko ka lindur më 25 gusht 1922. Në vitet 1930- 1935 është nxënës në Sarandë, në konviktin  Çamëria” për të vazhduar më pas studimet në Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë. Ai u radhit në rreshtat e antifashistëve shqiptarë që në moshën 20 vjeç, fillimisht në Konispol e më pas në Brigadën e Parë Sulmuese. Ai ka mbajtur dekorata të larta, si Medaljen e Kujtimit, Trimërisë dhe  Çlirimit, Urdhërat e Trimërisë, Flamurit dhe Shërbimeve Ushtarake. Teme Sejko studioj në 2 akademi ushtarake: “ Frunze” dhe “Voroshillov” në Moskë, me rezultate të shkëlqyera. Ai zotëronte italishten, rusishten dhe pjesërisht greqishten dhe frëngjishten. Fundi i tij është tragjik: u pushkatua, pasi u torturua barbarisht nga ata, me të cilët kishte qenë dikur shok armësh dhe idealesh.

     Nëna e Sokolit, Shpresa, përballoi  mes dhimbjes, lotëve, por edhe stoicizmit , pushkatimin e të shoqit. Përballoi edhe internimin, duke iu përkushtuar dy djemve të saj: Rajmondit dhe Sokolit. Nuk përballoi dot pushkatimin e Sokolit, gati një vit pas tragjedisë së të birit, u vetvra. Para vetvrasjes ka shkruar disa letra kundër regjimit tiranik të Enver Hoxhës. Në trupin e pajetë të saj, gjetën fotografinë e të birit, Sokolit.

     Dhe meqë jemi në familjen e Sokol Teme Sejkos, i vëllai i tij Rajmondi, i mbetur krejt vetëm, u përball  më 27 maj 1975, pra gati një vit e ca muaj pas pushkatimit të Sokolit dhe as 3 muaj pas vetvrasjes së nënës,  me vendimin e Gjykatës së rrethit Berat me akuzën “Për agjitacion e Propagandë” dhe u dënua me 8 vjet heqje lirie në Spaç. U lirua me 18 tetor 1982 dhe me vendim të  Komitetit të Dëbim Internimeve, në vitet 1983- 1990, u internua në fshatrat e Beratit.

Taho Sejko, xhaxhai i madh i Sokolit, një nga burrat dhe personalitetet e rralla të Çamërisë, lindi më 14 shkurt të vitit 1912. Mësimet e para i mori në Filat, për t’i vazhduar në Liceun e Korçës në vitet 1932- 1933 dhe më pas në Universitetin Francez të Athinës, në degën Shkenca Ekonomike- Politike. Qeveria shqiptare e kohës, nëpërmjet ndërhyrjes së Safet Bej Dinos, i akordoi bursë Tahos, gjatë viteve që studioi në Athinë. Ai zotëronte, pra i fliste dhe i shkruante italishten, greqishten e re dhe të vjetër, frëngjishten. Me 11 korrik të vitit 1939, caktohet kryetar i komunës së Pandelejmonit  të nënprefekturës së Çamërisë. Taho Sejko është nga kuadrot e parë të çetës “Çamëria”. Në këtë pozicion ai asnjëherë dhe me askënd nuk bëri kompromise në dëm të çështjes çame. Për të Çamëria ishte mbi gjithçka. Prandaj nuk është e rastit, që në një informacion, që i dërgohet qarkorit të Gjirokastrës thuhet se  “Hakiu (Rushiti) dhe Tahua duan më parë të jenë çamër sesa komunistë”. Më 21 gusht 1948 shkarkohet si drejtor Drejtori në Komisionin e Planit të shtetit dhe më 22 qershor 1956, emri i tij përfshihet në listën e elementeve antiparti të Konferencës së Tiranës. Po atë vit e transferojnë në qytetin e Shkodrës, në parkun e Ndërmarrjes së Transportit Shtetëror. Arrestohet në të njëjtën ditë me të vëllanë, Teme Sejkon. Në hetuesi, si askush tjetër, ka mbajtur një qëndrim burrëror, duke përballuar me dinjitet akuzat që i bëhen.Kështu, më 10 gusht 1960, pyetjes së hetuesit Stavri Madhi: “A e pranoni  akuzën që të bëhet?” ai i përgjigjet : "Nuk e pranoj  akuzën, sepse nuk kam qenë kurrë agjent i asnjë zbulimi  të huaj, nuk i kam dhënë asnjëherë kurrkujt informata me karakter sekret dhe nuk  kam punuar kurrë për rrëzimin e pushtetit Popullor në Shqipëri”.

     Është me interes një shënim i lënë me dorën e tij dhe që e ruan i biri, Hektori, ku Taho Sejko shkruan: "Çështja ime është gabim. Unë jam viktimë e intrigave të agjenturave të huaja, nëpërmjet shpifjeve shtazarake të njerëzve të tyre në vendin tonë. E di që kjo  letër sjell pasoja negative për mua, megjithatë e bëra”. Letra mban datën 12 maj 1961, vetëm katër ditë para fillimit të gjyqit. Taho Sejko nuk doli në gjyq. Përse? Një enigmë që e mundon  prej vitesh dhe vitesh Hektorin. Ç’fshihet pas vendimit të 24 shkurtit 1962 për dënimin me vdekje pushkatim të Taho Sejkos? Regjimi komunist nuk e mposht dot karakterin e fortë dhe burrërinë e Taho Sejkos dhe prandaj hakmarrja ndaj tij dhe familjes ka qenë e tmerrshme. Xhaxhai i vogël i Sokolit ishte Sulo Sejko, lindur më 20 nëntor 1917. Ai u shkollua në Tiranë, në kolegjin e Harri Fullcit dhe zotëronte anglishten, italishten dhe greqishten. Ka përkthyer librin “Kujtimet e një berberi”, por nuk ia kanë vënë emrin si dhe librin “Vëllezërit Çervi”.

     Edhe fundi i tij është tragjik: me 5 shkurt 1963 vetvritet për motive politike. Në Shkodër kur ndodhi gjëma e tretë në familjen Sejko, ka qenë babai i këngëtares së njohur Myfarete Laze, që i ka qëndruar pranë kësaj familje. Ai me duart e tij ka nxjerrë nga pusi, trupin  e pajetë të Sulos. Halla e Sokolit, Merushja, ishte gruaja e një emri të njohur në trevën e Çamërisë, Rexho Plaku, komandantit legjendar e të pakthyeshëm, njeriut që kuptoi shpejt intrigat dhe padrejtësitë e regjimit të ardhshëm dhe që e pagoi  me 33 vite burg, ndërsa familja e tij u internua jo pak , por 25 vite në Savër të Lushnjës.

Proçesverbali i pushkatimit

Shpirti i Sokol Teme Sejkos në këtë 45 vjetor të pushkatimit nuk është i qetë. Nuk  janë të qetë as shpirtërat e e Taho, Teme dhe Sulo Sejkos. As shpirti i Shpresa Sejkos…As të gjallët nuk janë të qetë, përderisa viktimat e familjes Sejko janë pa varr.

     Ky është Sokol Teme Sejko, djaloshi 24 vjeçar që vjen dhe rivjen, shfaqet dhe rishfaqet, në të gjitha pranverat post tragjike të marsit 1974: dinjitoz, i kulturuar, trim, kurajoz… Koha e ka fiksuar në përjetësinë e saj emrin dhe veprën e tij, si dhe familjes tragjike Sejko.

 

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vlla: 27/10/2020 09:39

    Sprove shume e madhe per familjen Sejko .

    Përgjigju
  • Plaga: 03/03/2019 17:47

    PO vrasesit Jane sot NE parlament.GRAMOZ RUCI VRASES I Alksander Kondos, Qinushi deputet .ca PROKURORE te ndyre.SOLLAKU PO vret sy me sy.KUR SOLLAKU LIRON NJE SUPERKRIMINEL SI AGIM BORICI NE FIER VIKTIMAT VRITEN PER SE DYTI .MAFIA NE PUSHTET , SOCIALIZMI PO NA VRET .

    Përgjigju
  • Bruno: 03/03/2019 12:21

    Histori e dhimbshme, por po te ishit informuar pak me mire, me siguri qe edhe disa nga politikanet e sotem kane dhene ndihmen e tyre ne kete tragjedi.

    Përgjigju
  • Lymi Tutit: 03/03/2019 09:44

    Histori tejet e dhimbshme....Gjithemone ka vend per reflektim,nga kushdo.Asgje nuk kthehet pas.Solidariteti njerezor dhe respekti per kete familje,duhet te jete shume i larte.Zoti ju dhente force pasardhesve te kesaj familje te nderuar,te "perballojne historine".Rralle ose asfare,pinjolle te ketyre familjeve,te cilat shume ashpersisht jane goditur nga sistemi i kaluar,jane te perfshire (ose me mire,lejuar) ne politiken e ketyre viteve.Besoj shume qe shoqeria jone do te ishte shume me teper humane dhe tolerante.Te vjen te peshtire te shikosh dhe degjosh sot,pjesen me te madhe te politikaneve,pa le ti ballafaqosh me keto histori flijimesh.Respekt dhe solidaritet per kete familje te sakrifikuar padrejtesisht.Lymi Tutit

    Përgjigju
    • Vals: 06/09/2020 11:55

      Filati gjithmone ka nxjerre burra te mencur e me tabane.Ndaje she te gjithe ishin me nga tre gjuhe te huaja.!!!!

    • Xhike: 03/03/2019 10:31

      U prefshin ne paqe ky fis i nderuar dhe i respektuar Mbaj mend i vogel nr fshat kishim Hamit Sejko me dy femojet Eduard dhe Nevreze Te nderuar nuk i di ku ndodhen Respekt per emrat e tyre

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën