Prokop Gjergo, financieri që përktheu mjeshtrat e komedisë franceze

Prokop Gjergo, financieri që përktheu mjeshtrat e komedisë franceze

Prokop Gjergo

Prokop Gjergo (3 korrik 1917 – 26 shkurt 1997) ishte një nga qytetarët e shquar të Durrësit. Me një profesion larg artit e kulturës dhe në kushte të vështira shoqërore, ai iu përkushtua përkthimit me një pasion krejtësisht të veçantë. Ky shkrim i vitit 2011 kërkon të risjellë në vemendje kontributin e tij të rëndësishëm në kulturën e qytetit dhe në atë të vendit. Disa vite më parë Shtëpia Botuese “Jozef” nisi botimin e veprave të përkthyera prej tij që nga Molieri e Rasini, Korneji, Bomarshe dhe Rasini.

Tragjeditë, komeditë, romanet e poezitë e përkthyera prej tij kapin shifrën marramendëse prej 75.128 vargjesh. Prokop Gjergo ka sjellë nga frëngjishtja në shqip 49 vepra dramatike, ndër të cilat edhe komedinë heroike “Sirano dë Bërzherak” të komediografit Edmond Rostand. Vepra e përkhyer në vargje dhe e botuar në vendin tonë në mesin e viteve 1970 përbentë një dritë lirie dhe dinjiteti njerëzor, për të cilat personazhi kryesor luftonte njëlloj si edhe për të mbrojtur dashurinë.

Njeriu që e solli në gjuhën shqipe kryeveprën e ekranizuar nga aktorë të famshëm të skenës dhe kinemasë si Xhino Cervi apo Zherar Depardje nuk jeton më që prej 17 vjetësh. Financier, shumë i zoti madje në profesionin e tij fillestar, Prokop Gjergo i kushtoi përkthimit pasionin e pamatë, çka ndjehet edhe sot në banesën e tij modeste.

-Në shtëpinë e përkthyesit-

Familja Gjergo vazhdon të jetojë në rrugicën pranë kodrës së Moisiut, një nga lagjet e hershme të Durrësit. Betoni i hedhur mbi kalldrëmet e vjetra dhe pallatet e larta të ndërtuar rishtaz i kanë dhënë tjetër pamje rrugës së qetë, që të lidh shkurtazi me lagjen e Ekonomisë didaktike, siç e quanim kur ishim nxënës në shkollat 8-vjeçare të qytetit. Në shtëpi na pret zonja Marie, si dhe librat e botuar e të pabotuar të Prokop Gjergos, përkthyesit të njohur që ka ndërruar jetë në vitin 1997.

Përballë, një bibliotekë e madhe me librat që për vite me radhë ka punuar përkthyesi i shquar. Flasim për pasionin e tij të zjarrtë për kulturën, atë frënge në veçanti, por mbi të gjitha për përkthimin. Dhe në çast e harrojmë rrëmujën dhe zallamahinë e rrugës. “Prokopi ishte financier. Ka punuar në shumë ndërmarrje në Durrës, ndër të fundit ka qenë ajo e Karburanteve-tregon znj. Marie Gjergo.

“Por kur mbërrinte në shtëpi ai bëhej tjetër. I shfrytëzonte blloqet e mëdhenj të financës në anën e kundërt, atje ku faqet nuk ishin të vijëzuara me katrore ku duheshin shkruar vetëm shifra. Në ato blloqe me letër të errët ka hedhur përkthimet e 49 veprave të autorëve që nga Molieri e Rasini, Korneji, Bomarshe dhe Hygoi. Dhjetra tragjedi, komedi, romane e poezi, të gjitha të përkthyera në vargje që kapin shifrën marramendëse prej 75.128 vargje, që të gjitha të daktilografuara, të lidhura e të përgatitura për botim.

-Ku e ka gjetur kohën Prokop Gjergo?-

Një pyetje që e ka munduar edhe studiuesin durrsak Sali Hidri, i cili ka botuar monografinë “Një jetë e jetuar - poeti dhe përkthyesi Prokop M. Gjergo”. Një vëllim studimor që ka qëmtuar gjithçka që lidhet me krijimtarinë, lidhjet shoqërore e familjare të një qytetari të jashtëzakonshëm, i cili e kishte ndarë jetën e tij në dy pasione të mëdha: puna e përditshme si financier dhe përkthimi nga frëngjishtja.

“Vinte në shtëpi pas pune dhe qetësohej pak. Pastaj ulej të punonte. I ndizte cigaret një pas një, dhe thoshte se nuk shkruante dot pa cigaren në njërën dorë-tregon znj. Marie me zërin e saj të butë, ndërsa pamja fisnike ia fsheh moshën. “Mërzitej shumë nga padrejtësitë. Nuk i vinte mirë, kur përkthimet qëndronin me muaj e vite në zyrat e shtëpive botuese pa asnjë përgjigje-kujton znj Marie.

Atëherë unë i thoja: ti je me fat, o Prokop. Je me fat, se pasuritë e familjes jua dogji gjermani dhe komunistët nuk kishin se çfarë t’ju shtetëzonin. Je me fat dy herë, se ke pasionin e përkthimit dhe nuk shkon nëpër kafene, ku një fjalë më shumë i ka çuar njerëzit edhe në burg”. Prokopi qetësohej, qeshte e pastaj fliste: Unë jam me fat tre herë, se kam një grua të mrekullueshme si ti, o Marie. Një grua që më kujdeset për djemtë, Pandin dhe Aldin, dhe që më ka krijuar kushtet që të punoj i qetë-fliste Prokopi. Prokop Gjergo bënte një jetë të dyfishtë. Shumë pak njerëz nga ata me të cilët punonte gjatë ditës ia njihnin aftësitë dhe pasionin e tij për kulturën dhe përkthimin në veçanti.

Në fakt që kur ishte i vogël, prindët e tij Mihali e Artemisa, e dërguan në Liceun francez të Korçës, por ai ishte natyrë e drojtur dhe mesa duket askush nuk e kuptoi talentin e tij në fushën e përkthimit. Pas vdekjes së babait, Mihalit, në vitin 1932 Prokopi u largua nga Korça. Ai përfundoi Shkollën tregtare të Vlorës dhe u duk sikur jeta e tij do të lidhej me biznesin dhe shifrat. Të parët e familjes Gjergo kishin ardhur nga Berati në fund të shekullit të 19 dha përveç një agjencie tregtare kishin hapur në rrugën Tregtare të Durrësit edhe një kinkaleri.

-Vargjet e përkthimet-

Thuajse fshehurazi Kopi i ri, kishte filluar të shkruante vargjet e para, një pjesë e të cilave e panë dritën shumë vonë me titullin “Jehonat e mesnatës”. Në vitin 1948 ai shkruan fshehurazi poemën “Dhë rënkoi gjithë Shqipëria” kushtuar Shefqet Bejës, deputetit martir. Prokop Gjergo nuk mund të shkruante letërsi. Ai ishte nga ata që mendonte ndryshe dhe përkthimi ishte një mburojë shumë e mirë për një njeri të ndjeshëm si ai. E provoi fillimisht me “Inkuizitorin e madh” të Dostojevskit dhe përkthimi mban datën 9 mars 1949. Rifillon pas 10 vjetësh me një intensitet të veçantë.

Nga veprat e përkthyera në 10-vjeçarin e parë sheh dritën e botimit vetëm “Krimi i Silvestër Bonarit” nga Anatol Frans.

Më pas ai koleksionon 49 përkthime: 12 vepra nga Rasini “Atalia”, “Ester”, “Berenina”, “Efigjenia në Aulidë”, “Andromaka”, “Fedra”, “Bajaziti”, “Britanikus”, “Mitridati”, “Tebaida”Aleksandri i madh” dhe “Paditësat”; nga Korneji 8 vepra “Sidi”, “Horaci”, “Poliekti”, “Rodogyna”, “Sina”, “Vdekja e Popmpeut” dhe “Gënjeshtari”; nga Molieri 12 vepra “Mizantropi”, “Tartufi”, “Shkolla e burrave”, “Shkolla e grave”, “Gratë dijetare”, “I shastisuri”, “Zemërim dashurie”, Amfitrioni”, “Sganareli”, “Dashuri shëruese”, Siçiliani”, “Princesha Elidës”; nga Viktor Hugo 5 vepra “”Hernani”, “Mbreti zbavitet”, “Ruy Blas”, “Torkuemada” dhe “Lukrecia Borxha”; nga Edmond Rostan 2 vepra “L’Ainglon” dhe “Sirano dë Bërzherak”; nga Bualo veprat “Arti poetik”, “Satira” dhe “Epistolare”; nga Bomarshe “Martesa e Figaros” dhe “Berberi i Seviljes”; nga Volteri “Meropi” dhe “Zairea”, “Margaritarë të poezisë” nga autorët francezë; nga Vikelman “Bukuria në art” (përkthyer nga italishtja).

Pas vitit 1990 gjëndja shëndetsore e Prokop Gjergos u rëndua. Nga Belgjika miqtë Ariana e Riza Hoxha i sjellin origjinalin e tragjedisë “Edipi” të Volterit. Përkthen 330 vargje dhe nuk mundet ta përfundojë. Do të ndahej nga jeta më 26 shkurt 1997. Siç shkruan studiuesi Sali Hidri, e mbylli rrugën e jetës së tij të shqetësuar, duke lënë trashëgim një thesar të madh kulture. Një thesar që meriton të vlerësohet me kujdes studiuesit dhe kritikët. E mbi të gjitha një thesar që meriton të botohet si një korpus i plotë.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare