Prokuroria Durrës nis hetimet
për ekstradimin e Nezar Seitit

Prokuroria Durrës nis hetimet<br />për ekstradimin e Nezar Seitit<br>
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për mënyrën se si u ekstradua në Itali Nezar Seiti, për fatin e të cilit katër institucione pretendojnë se nuk kishin informacion se ai po hetohej nga Krimet e Rënda, e për këtë arsye ai nuk duhej të largohej nga Shqipëria. Por, megjithëse çelja e hetimeve për Nezar Seitin ishte gjatë muajve të fundit një fakt i deklaruar botërisht në media, nuk dihet ende se si do të justifikohen gjykatat, prokuroritë, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve për këtë mungesë dijenie.

Edhe nëse të gjithë nuk kanë parë asgjë dhe nuk dinë asgjë për këtë hetim, në fakt pranë Ministrisë së Drejtësisë ekziston një sistem on line përmes të cilit verifikohet gjendja e kujtdo që është nën hetim. Nga ana tjetër, siç thonë burimet, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është institucioni i dytë që duhej të dorëzonte një informacion pranë Ministrisë së Drejtësisë, se për çfarë mbahej në paraburgim që prej tetorit 2017 shtetasi Nezar Seiti.

Prokurorët e dosjes “Tahiri”
Dy nga prokurorët e dosjes së ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të cilët kanë përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër të arrestuarit Nazer Seitaj, i cilësuar nga prokuroria e Katanias, si financieri i grupit kriminal që drejtohej nga Moisi Habilaj, janë vënë në ndjekje disiplinore. Bëhet fjalë për prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët sipas verifikimeve që kreu Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka rezultuar se nuk kanë njoftuar prokurorinë e Përgjithshme por edhe nuk kanë pasur një komunikim me prokurorinë e Tiranës, e cila kishte në shqyrtim çështjen për ekstradimin në Itali të Nazer Seiti.

“…Ndalimi i shtetasit Nazer Seitaj është vlerësuar i ligjshëm nga Gjykata për Krime të Rënda dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 20 ditë dhe në përfundim të këtij afati është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”. Kjo prokurori nuk ka asnjë komunikim në lidhje më çështjen as me Prokurorinë e Tiranës dhe as me Prokurorinë e Përgjithshme. Vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit i janë dërguar për zbatim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve…”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokurorët e Tiranës
Veç dy prokurorëve të tjerë Arta Marku, ka urdhëruar ndjekje disiplinore për prokuroren Armida Hamiti (Moçka), e cila ka përfaqësuar akuzën në gjykatë, në dosjen e ekstradimit të Nazer Seitit. Po kështu është kërkuar ndjekje disiplinore edhe për një tjetër prokuror të Tiranës, Shahin Pashen. Njëherësh në njoftim thuhet se Arta Marku “…ngarkon Drejtorinë e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme të studiojë rastin dhe të nxirren udhëzimet me karakter të përgjithshëm për të njehsuar praktikat në procedurën e ekstradimeve dhe më gjerë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm…”.

Nezar Seiti, i njohur ndryshe si financieri i grupit "Habilaj" për trafikun e drogës Shqipëri-Itali u ekstradua para dy ditësh në Itali. Nezar Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës, para këto të fituara nga trafiku i kanabisit. Drejtësia italiane shpalli në kërkim Seitin, pas hetimeve nga prokuroria e Cattanias për grupin Habilaj, ku në tetor 2017 u shkatërrua grupi kriminal me në krye Moisi Habilajn. Nezar Seiti u arrestua në Babicë Vlorës me 19 tetor të vitit të shkuar, gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan afërsisht 4 ton kanabis.

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Vendos trajneri i ri, dy yjet e Manchester United dalin në shitje

Vendos trajneri i ri, dy yjet e Manchester United dalin në shitje