TIRANE-Dy ditë para tubimit të paralajmëruar përpara Kryeministrisë, Policia e Tiranës ka refuzuar lejen për protestë pa afat të Partisë Demokratike. Selia blu në kërkesën drejtuar policisë kërkonte që leja për tubim që nis në orën 11:00 të jetë pa një afat të përcaktuar se kur do të mbarojë. Por, kërkesa është kthyer me argumentin që të specifikohet orari se kur do të mbyllet tubimi para selisë së qeverisë, ndërsa lë afat orën 24:00 të së shtunës.

Ndërkohë që një tjetër problem në kërkesën për leje të dorëzuar nga PD-ja janë edhe koordinatat.  PD kërkoi leje për protestën në katër rrugët që rrethojnë Kryeministrinë, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” tek sheshi para Kryeministrisë, lulishtja tek Piramida dhe te rruga “Ismail Qemali” në krah të Kryeministrisë.

Por, sipas selisë blu, policia e Tiranës ka refuzuar lejen në koordinatat e kërkuara nga PD-ja me argumentin se hapësira tek “Lulishtja tek Piramida' dhe te rruga “Ismail Qemali” do të jetë territor ku do të dislokohen shërbimet e policisë dhe të Gradës së Republikës. Për PD-në, argumenti i policisë është i pabazuar në ligj dhe i pashpjegueshëm, pasi policia sipas tyre nuk mund të caktojë vendet ku do të bëhet protesta.

Policia e Shtetit pak ditë më parë shprehu shqetësimin se në protestë mund të përfshihen individë me precedent penal që kanë për qëllim destabilizimin e vendit, ndërsa SHBA, BE-ja dhe përfaqësi të tjera diplomatike në Shqipëri i kanë bërë thirrje opozitës që të shmanget dhuna.

Letra e PD drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranës

Deklarata e Partisë Demokratike për lejen për protestën
Në përputhje me Ligjin për Tubimet, Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt 2019, ora 11.00, në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”. Policia e Shtetit, në kundërshtim me ligjin dhe për arsye politike, ka njoftuar ndryshimin e vendit të protestës, duke mos lejuar zhvillimin e saj edhe tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”.

Sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës. Partia Demokratike nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje.

Qëndrimi i Partisë Demokratike i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara nga Partia Demokratike. Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politik të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike. Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë.