Po zhvillohet në Tiranë protesta e 29-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Qytetarët u mblodhën fillimisht sheshi 'Skëndërbej', për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, teksa nuk mungon thirrja simbolizuese e këtyre tubimeve. "Rama n'burg, Berisha n'burg".

Thirrja ndaj Ramës për zbatimin e 5 kërkesa të protestuesve u përsërit edhe në këtë tubim. Kësaj radhe, kërkesat u cituan nga Andi Tepelena, i njohur si një prej organizatorëve të 29 protestave të zhvilluara deri më sot në kryeqytet. 

"Kërkesa 1 e panegociueshme është dorëheqja e Ali Babës me 40 hajdutë. Ky njeri, me librin Albanian Files, tregon arrogancën e tij se si i trajton shqiptarët, si çifligun e tij ky antishqiptar. Ky njeri, i cili nuk është në aleancë me shqiptarët, por me oligarkët, krimin e organizuar dhe antishqiptarët, bën ligje antishqiptare. Kërkon t'ua shesë pronën shtetërore të huajve. Është një projektligj që po qarkullon këto ditë, me urgjencë, të paratë, do t'ua hapë të huajve, ndërsa shqiptarët vuajnë akoma ligjin 7501. Të bërë nga ai dhe Sali Berisha, që i kanë lënë shqiptarët pa pronë",- tha Tepelena. 

Të gjithë kërkesat e artikuluara nga Grupi Koordinues janë:

"1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.

* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre.”

Më herët, për herë të parë që nga fillimi i protestave, një prej anëtarëve të Grupit Koordinues, Përparim Gjeka, ka publikuar dhe ajo që mund të quhet, platforma politike e protestës, “vullneti popullor i shprehur në mënyrë direkte gjatë Protestave të Mëdha Kombëtare të Qershorit 2026, dha pëlqimin që të krijojë tre institucione të reja shoqërore për të garantuar ndryshimin e sistemit shoqëror politik dhe nisjen e një rendi të ri më përparimtar dhe popullzhvillues".

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:24
I riu kundërshton programin e grupit koordinues të protestës: Duhet ta marrim fatin tonë në dorë, autokrati (Rama) nuk dorëhiqet, ai hiqet

Një student që mori fjalën nga podiumi, kundërshtoi platformën e propozuar sot nga grupi koordinues i protestës. Ai propozoi një tjetër formë të zhvillimit të protestës, ndërsa mikrofoni iu ndërpre disa herë nga personat që koordinojnë folësit.

“Ka 2 variante që diskutohen për zhvillimin e protestës. Njëri është protesta siç po vazhdojmë, dhe jam shumë dakord, është e bukur. Synimi nuk është vetëm të jetë e bukur, por edhe e suksesshme.

Më vjen keq, por shoh mendime se ky pushtet, ky regjim, nuk ikën me parrulla e brohoritje. Ka edhe ata që propozojnë dhunë. Nëse unë futem në Kryeministri dhe i vë flakën, ky institucion është vetëm një simbol, ai përsëri e ka pushtetin.

Unë do ta deklaroj të suksesshme këtë protestë kur policët të jenë me fytyrë nga Kryeministria, jo nga ne. Mos bini pre e idesë se Rama ikën vetëm me kaq. (I fikin mikrofonin.) Në Bullgari pati një vit protesta. Qeveria kishte vetëm 1 vit në pushtet, prandaj u rrëzua. Nuk ka ndodhur që një autokrat të dorëhiqet, autokrati hiqet. Këta janë të gjithë të lidhur me krimin. (I fikin mikrofonin.)

Shohim problematikat që kemi. Ky institucion është vetëm simbol. S'mund t'i mbështetemi BE-së, duhet ta marrim situatën vetë në dorë. As nuk mund ta lëmë fatin në dorë të SPAK-ut. Propozimi është, në radhë të parë, të kemi një kanal të përbashkët komunikimi. Jo kërkesa të tipit që të dalë njëri që Skënderbeu është heori ynë kombëtar, këtë e dimë të gjithë. Propozoj të krijojmë një program, të regjistrohemi si individë me fytyrë. Nuk kemi frikë”, tha i riu.

Ora 21:13
Kryebashkiakja shqiptare në Itali i bashkohet protestave në Tiranë, Sindi Manushi: U shqye velloja e propagandës që Edi Rama ka qëndisur

Po zhvillohet në Tiranë protesta e 29-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, fjalën e mori edhe Sindi Manushi, kryetare e bashkisë në Pieve di Cadore, në zonën Belluno të Italisë, e cila tha se kishte ardhur në protestë si shqiptare dhe jo si përfaqësuese e një institucioni italian.

Manushi, kryebashkiakja e parë shqiptare në Itali, falënderoi protestuesit për durimin dhe guximin e treguar, duke e cilësuar qëndresën e tyre si një moment të rëndësishëm për vendin. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë organizimin e tyre.

“Këtu nuk kam ardhur si institucion italian, nuk kam ardhur si eurodeputetët që vijnë këtu të shtyrë nga kurioziteti. Unë jam njëra prej jush, jam shqiptare, kjo është shtëpia ime dhe ju jeni njerëzit e mi. Të më falni nëse më dridhet zëri nga emocionet, por erdha enkas vetëm për një ditë e gjysmë. Erdha vetëm për t’ju falënderuar për durimin dhe guximin që keni treguar. Shqipëri e re! Shqipëri e re! Shqipëri e re! Ju, të dashur bashkëkombas, në shumë pak ditë arritët të shqyeni vellon e hipokrizisë që Edi Rama ka qëndisur. Edi Rama e nisi karrierën e tij duke i marrë me fasadat e pallateve dhe e vazhdoi duke u marrë me fasada dhe propagandë, por kundër propagandës së Ramës është realiteti shqiptar. Ju jeni realiteti shqiptar, ju jeni e vërteta. U erdhi fundi. Unë kam një kërkesë për ju, një lutje: mos u dorëzoni, mos u dorëzoni, organizohuni në shesh, në institucione, në lëvizje, në kolektive. Sepse boshllëkun që lënë partitë e kalbura në Parlament do ta zëvendësoni ju. Mos kini frikë nga politika, vendi është i juaji. E gënjen mendja Edi Ramën se do të shkrihet kjo protestë dhe do të përçahemi. E gënjen mendja, sepse këtu na ka, këtu do të na ketë. Ta dini se ju jeni edhe përfaqësuesit, keni nderin dhe përgjegjësinë të përfaqësoni edhe njerëzit që nuk mund të vijnë këtu, por edhe zëri i tyre do të dëgjohet me anë të votës. Kjo do të ndodhë shumë shpejt. E gënjen mendja Edi Ramën që ne do të përfundojmë, kur është ai në fund, në ngrysjen e karrierës së tij, ne jemi vetëm në fillim. Ky është fillim i ri. Kjo është Shqipëri e re. Ju jeni fati i Shqipërisë, jeni e ardhmja. Faleminderit që ekzistoni, ju dua shumë",- tha Manushi.

Ora 20:36
Protesta e 29-të para Kryeministrisë, i riu: Partitë e vogla mos ta përdorin për fushata dhe qëllime personale

Në protestën e 29-të që po zhvillohet sonte para Kryeministrisë kërkoi që “partitë e vogla mos ta përdorin këtë protestë për fushata dhe qëllime personale. Jo vetëm Rama dhe Berisha, por 140 parlamentarët në burg. Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve.”

Ora 20:31
Protestuesi: Rama nëse nesër del në zgjedhje, do të jetë funerali yt! Presidenti ynë është qesharak, ikni si burrat ose do ju largojmë ne

Një qytetar nga podiumi i protestës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e Sali Berishës. Ai ngriti një sërë shqetësimesh nga çmimet e shtrenjta, te emigracioni.

“Ne jemi populli që kemi treguar këto 35 vite durim. Kemi duruar mashtrimet e tyre, gënjeshtrat, braktisjen. Asnjë gjë, asnjë projekt, asnjë sipërmarrje që është marrë nga këta, qoftë nga Berisha apo Rama, asnjë nuk është kryer me sukses deri në fund. Me të gjitha është vjedhur, abuzuar, mashtruar.

Fatkeqësisht, Kushtetuta thotë që Presidenti ushtron vullnetin e popullit. Presidenti ynë është qesharak. U zgjodh që të mos dilte asnjëherë në media e të mos fliste asnjëherë për asnjë gjë. Nuk kemi nevojë për të, se ne flasim vetë.

Rama, ti po kërkon të ndërtosh një narrativë të re. Përdore fenë, s'ka turp më të madh që shqiptarëve t'u kujtosh fenë. Jemi shembull botëror. Kërkove algoritmin, të ka rënë sot. Ti ke frikë nga vota e lirë. Më thoni një deputet që është zgjedhur nga vota e popullit e të dalë këtu e të kërkojë falje. Kush ka kërkuar falje për këtë vend, për emigracionin masiv, për plaçkitjen masive që i bëhet këtij populli?

Çfarë standardi plotëson ti për Evropën? Ti s'ke vendosur minimumin jetik në këtë vend. Çdo gjë është shtrenjtë. Bujqësia është përtokë. Ne prodhojmë gjithçka, si ka mundësi? Ju gjithmonë e keni sabotuar këtë ekonomi, këtë popull. Ne duam konfiskim të pasurive të politikanëve të korruptuar, edhe atyre që kanë qenë para këtyre që janë tani, që kanë marrë rolin e biznesmenëve. Kjo është shqiptaria e re e një gjenerate tjetër.

Ti e di shumë mirë që tani të kanë ikur edhe ata vëllezërit, Erdogan e Vuçiç. Nesër, po të dalësh në zgjedhje, nesër është funerali yt politik. Ne kërkojmë që ti të dorëhiqesh, se po nuk u dorëhoqe, do të të bëjë një Shqipëri e tërë të dorëhiqesh. Shqipëria është kundër teje. Të ikësh sa më parë me atë pak nder që të ka ngelur”, tha qytetari.

Ora 20:22
Protesta e 29-të në Tiranë nis me thirrje për vigjilencë: Mos bini pre e provokimeve të patronazhistëve

1782670834_proteste.jpg

Po zhvillohet në Tiranë protesta e 29-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubim, një prej qytetarëve tha se protesta ka rrëzuar paragjykimet se shqiptarët nuk bashkohen për kauza të përbashkëta, duke theksuar se qëndresa disajavore ka forcuar besimin mes qytetarëve.

“Kjo protestë rrëzoi njëherë e përgjithmonë paragjykimin, sidomos ndaj brezit të ri, sepse ishim mësuar të na thoshin se ne nuk çohemi, shqiptarët nuk bashkohen, nuk ngrihen për problemet. Pas kësaj qëndrese disamujore, tashmë besimi te njëri-tjetri është rritur dhe duket se shqiptarët e kanë mendjen të mos i ndahen bulevardit derisa qeveria të japë dorëheqjen. Para se çdo qytetar të marrë fjalën për të shprehur mendimin e tij ashtu siç e ndjen, dua t’i bëj një thirrje policisë që të mos provokojnë qytetarët dhe, nëse merr urdhër për t’i provokuar, të mos i zbatojë kundër popullit të vet. Pasi ju jeni këtu për të siguruar popullin, nuk jeni këtu për të siguruar pushtetarët. Gjithashtu e kam një thirrje për të gjithë qytetarët që ndodhen në shesh, që të mos bien pre e provokimeve. Javën e fundit janë intensifikuar provokimet dhe mund të themi që kryeministri ka vendosur të hyjë në një luftë frontale me protestuesit. Mos bini pre e provokimeve të patronazhistëve të futur në turmë si qytetarë. Ne jemi të vendosur, siç kemi qenë për 29 ditë, që ta vazhdojmë qëndresën në mënyrë paqësore derisa kjo qeveri të japë dorëheqjen",- tha i riu.

Ora 20:11
Protesta/ Aktivisti Andi Tepelena rikthekson kërkesën e panegociueshme për Ramën: Dorëheqje e Ali Babës me 40 hajdutët e tij

Një prej anëtarëve të grupit organizator të protestës, Andi Tepelena ritheksoi kërkesën e dorëheqjes së panegociueshme drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Ndër të tjera, aktivisti i bëri thirrje BE-së zyrtare e SHBA-së për të reaguar publikisht për protestën, nëse janë ose jo në mbështetje të qytetarëve.

“Kërkesa 1 e panegociueshme është dorëheqja e Ali Babës me 40 hajdutë. Ky njeri, me librin ‘Albanian Files’, tregon arrogancën e tij se si i trajton shqiptarët, si çifligun e tij ky antishqiptar. Ky njeri, i cili nuk është në aleancë me shqiptarët, por me oligarkët, krimin e organizuar dhe antishqiptarët, bën ligje antishqiptare. Kërkon t'ua shesë pronën shtetërore të huajve. Është një projektligj që po qarkullon këto ditë, me urgjencë, të paratë, do t'ua hapë të huajve, ndërsa shqiptarët vuajnë akoma ligjin 7501. Të bërë nga ai dhe Sali Berisha, që i kanë lënë shqiptarët pa pronë.

Ai ka ndërtuar Kopshtin e Edenit. Akoma s'ka bërë transparencë si e ka paguar. Fondi Shqiptar thotë nuk është bërë me fonde publike. Rama punon me oligarkët, për kapriçot e oborrit shpenzon 4.5 milionë euro, ndërkohë që këto para mund të shkonin për ilaçe, për shëndetësi.

Natyrisht, kjo nuk është një protestë e lehtë. Ka mijëra fije interesash që e lidhin me oligarkinë, por kjo na bën edhe më të fortë. Ju jeni dëshmitarë të një ndryshimi epokal, që nuk do të largojë vetëm Ramën, por të gjithë klasën politike. Vuçiç, si vëllai i Ramës, paralajmëroi dorëheqjen. Iku dhe një diktator. Tani do të marrë me vete edhe Ramën.

Dje kemi pasur një eurodeputete, nesër do të kemi disa të tjerë. Kjo tregon që protesta po merr mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Ende nuk janë shprehur qartë se çfarë mendojnë për protestën. S'kemi akoma një deklaratë të qartë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Duhet ta ndani mendjen: jeni me popullin shqiptar apo me Ali Babën dhe 40 hajdutët? Edhe një thirrje për SPAK. Nuk jemi të kënaqur. Duam të çojë përpara drejtësisë këtë njeri. Vetëm atëherë do të jemi të kënaqur nga puna e SPAK”, tha Andi Tepelena.