Ish-prokurori Ervin Karanxha thotë se protesta e organizuar nga kreu i PD, Sali Berisha kishte akte dhune dhe u përdorën mjete të paligjshme.
Në emisionin "Repolitix" në Report Tv, Karanxha u shpreh se pamjet filmike kanë treguar se të mitur qëlluan mbi forcat e policisë. Sipas tij, duhet verifikuar roli i çdokujt në protestë.
"Protesta, në rastin konkret kemi të bëjmë me protestë të ligjshme, është marrë leje. Kemi akte dhune dhe kemi mjete të paligjshme të përdorura. Janë pamjet filmike që përcaktojnë se kush person ka qëlluar konkretisht. Në demokraci ka të drejtë kushdo të protestojë. Edhe protesta ka rregulla. Përdorimi i mjeteve të papërshtatshme, molotovi bazë është shishe qelqi, ndizet me benzinë, kur hidhet në objekt të fortë, thyhet qelqi dhe merr flakë. Fëmijët e mitur ishin para policisë dhe para kamerave, në front të parë me ato pllaka. Ai po numëronte pllakat, m’u duk pak e çuditshme. Pse kanë dalë para kamerave? Një fëmijë i mitur ka përgjegjësi penale mbi moshën 14 vjeç. Pamjet filmike tregojnë që kanë qëlluar. E para mban vetë përgjegjësi penale, në rast se është shtyrë në bashkëpunim me persona të tjera, vepra penale është bërë në bashkëpunim. Përsa i përket dënimit penal, kanë dënime të tjera nga të rriturit. Duhet ta provojmë se kush i ka futur. Duhet të hetohet rasti. Duhet të verifikohet pozicioni i çdokujt. Te protesta e 21 janarit, pjesa më e madhe e të arresturave në flagrancë, nuk kishin lidhje me ngjarjen fare, ishin protestues. Duhet analizuar nga pamjet filmike, kush ka bërë veprime të paligjshme. Duhet pari roli i çdokujt, me prova", theksoi ai.
Ndërkaq, anëtari i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi deklaroi se PD i ka përdorur të miturit si mish për top. Muharremi shtoi se PD mendon se në pushtet mund të vihet me vandalizëm.
Ai i cilësoi personat që hodhën molotov, si grup mercenar.
”Gjatë përshkallëzimit të protestës, po ky i mitur, me disa grupe të rinjsh, orientonte me gishta duke drejtuar se çfarë duhet të bënte. Nuk mund të themi se është marrë një i mitur dhe është çuar kot. Por siç e kanë treguar se kjo forcë politike di t’i marrë fëmijët dhe t’i përdorë mish për top. Jo vetëm për protesta, për çdo gjë për këtë politikën e ndyrë që kanë në mendjen e tyre për të ardhur në pushtet, sepse mendojnë se do vijnë në pushtet me vandalizëm, barbari. Janë grup njerëzish që e orientojnë dhe i përdorin këta të mitur si mercenarë. Ata kanë qenë të grupuar, si ushtri mercenarësh, me kapuça të zinj, me maska. Kam qenë 20 vjeç, shkopat e gomës në kohën e këtyre të dhembnin 4 ditë rresht,. E kam provuar vetë protestën në kurriz", nënvizoi ai.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana deklaroi se prania e të miturve në protestën e PD, mund të jetë skenar i qeverisë. Sipas Kuçanës, pezullimi i Belinda Ballukut, ka frikësuar vetë kryeministrin Edi Rama, sepse mund të pezullohet edhe ai.
"Logjika të thotë qartazi se nëse të miturit dalin kaq hapur dhe përballë policisë, mendoj se është një skenar i pushtetit që është në grahmat e fundit të tij, dhe unë mbaj përgjegjësi për çdo gjë që them. Besojse Edi Rama, për të mbrojtur Lubi Ballukun, po përpiqet të bëjë gjithçka, jo se e shqetëson Belina Balluku, por ka diçka tjetër. Pezullimi i zonjës Balluku, çon te pezullimi i kryeministrit në detyrë. Ramës i dhemb te pjesa e tij. Ne me policët e thjeshtë, as nuk i sulmoj, as nuk kam për t’i sulmuar kurrë. Me policin e thjeshtë, ndjej respekt dhe duhet ta bëjë detyrën në çfarëdolloj pushteti. Por me mercenarë, do merremi në mënyrë personale. Sa i përket në çdo lloj kohe, protesta është e shëndetshme për demokracinë. Kryeministri, pse është i trembur nga SPAK? E gjithë qeveria, statuset e tyre, harruan 2011. Këta kanë harruar protestat e tyre. Moralin nuk mund ta bëjnë, kur në 2011 ishin sipër policëve.", tha ajo.
Pas protestës së dhunshme, PD u ul në komisionin e reformës territoriale.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana tha në emisionin "Repolitix" në Report Tv, se PD është për çdo reformë në të mirë të vendit.
"Çdo reformë në shërbim të Shqipërisë, që i bën mirë demokracisë, ka të bëjë me të mirën publike për shqiptarët, unë jam mbështetëse. Siç e tha zoti Boçi, një reformë që nuk do vendoset nga PS siç ka ndodhur. Jemi mësuar që vitet e fundit të shohim arenë boksi në parlament. Parlamenti duhet të jetë arenë debatesh, idesh, shqiptarët kërkojnë një lloj niveli dhe se çfarë do të bëjmë ne.", tha ajo.
Ndërsa anëtari i PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi deklaroi se kjo reformë duhet të përfundojë në korrik të këtij viti, sipas një afati të vendosur nga BE.
"Ka një afat nga BE që në korrik duhet të mbarojë reforma territoriale. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Janë variante, por do ketë negocim, është për uljen e numrit të bashkive. Është edhe për uljen e numrit të deputetëve, që të jenë më efikase. Kur kemi bashki me 5 mijë banorë, nuk mund të jetë bashki. Kjo reformë do i shërbejë më mirë bashkimit të bashkive", deklaroi ai.
Gazetari Ermal Peçi thotë se protesta e 10 shkurtit, e organizuar nga PD, u zhvillua në momentn e gabuar.
Në emisionin "Repolitix" në Report Tv, Peçi tha se në këtë moment duhet të diskutohej mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe mesazhi i Komisionit Europian për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Sipas tij, protesta nuk dha asgjë politikisht.
"Është shumë e rëndësishme që ne të ndajmë Policinë e Shtetit nga kupola drejtuese, apo profesionistë dhe të ndajmë edhe mënyrën sesi nuk duhet bërë politikë me fëmijët. Nëse ka diçka që shqetëson si qytetar në këtë pjesë, është përfshirja e fëmijëve për të krijuar akte vandale. Është jo e shëndetshme, jo orientuese e mirë për mënyrën si e konceptojmë politikën. Unë mendoj që protesta ka qenë në moment të gabuar. Nëse nuk do ishte protesta e PD, dhe nuk do ishim këto pamje, ne sot mund të diskutonim për Komisionin e Mandateve dhe Faktin që Këshilli i Europës ka thënë, mblidhini Komisionin e Mandateve. Ambasada e Amerikës ka thënë, vija e kuqe është SPAK. E gjithë kjo panoramë ne na zhvendoset, të merremi me një protestë, që në thelb, politikisht nuk ka dhënë asgjë. Zotit Berisha i duhet narrativë, sepse ai është koshient që nuk prodhoi politikë. Duke qenë se pjesëmarrja nuk ka qenë në ato numra që zoti Berisha është mësuar, i duhet të krijojë një narrativë. Gjithashtu, edhe zoti Rama nga ana tjetër, e ka të gjithë retorikë politike", theksoi Peçi.
Komente










