Aulon Kalaja ka dalë kundër protestave të organizuara nga Sali Berisha, duke theksuar se ato nuk arrijnë të përmbushin pritshmëritë dhe nuk mobilizojnë më qytetarët.
I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, ai shtoi se opozita duhet të zbresë në terren dhe të ketë takime me qytetarët.
‘Njerëzit mund të jenë të gatshëm të shkojnë një orë, dy, dhe pastaj nuk munden dot që të rrinë pafundësisht aty. Njerëzit janë shumë të mërzitur, ashtu siç do ishte ndoshta edhe për protesta të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Unë gjykoj që me këtë lloj proteste, opozita nuk bën asgjë tjetër vetëm se mobilizim të njerëzve të saj.
Çfarë kushtesh të tjera do t’i duheshin opozitës për të mbushur sheshin dhe për të qëndruar aty, qoftë edhe për të shkuar në grevë, sepse unë besoj që kauzat që janë tani përmbushin të gjitha kushtet që deputetët e parë të futen në një grevë, pra, të gjitha këto sigurisht që ne nuk i kemi përgjigjet sot. Opozita duhet të jetë në terren, madje me këtë protestë duhet t'u ngacmojë nervin qytetarëve’, u shpreh Kalaja.
Avokati Edmond Petraj tha se Berisha nuk ngjall më shpresë me protesta. Ai theksoi se ka zaptuar partinë dhe të rinjtë nuk lejohen të marrin drejtimin e saj.
‘Opozita e bashkuar nuk po arrin dot të nxjerrë Tiranën në shesh, dhe këtu është problemi më i madh, pra Tirana, me atë pjesëmarrje që më duket pak jo e saktë, ajo shifër për të cilën pretendohet se morën pjesë. Problemi është ky që deputetët e rretheve e bënë atë betejën e tyre, i sollën ata 10 njerëz, ata 30 njerëz dhe të tregohet indiferente baza elektorale e PD-së.
Mua nuk më pëlqen më dhuna, nuk dua ta shikoj më atë dhunë. Problemi është që protesta duhet të ketë tjetër frymë. Edhe brezi i ri nuk po përparon dhe ajo pengesë të cilën unë shikoj në këtë rast janë figurat e vjetra që se lejojnë brezin e ri, nuk po fusin kualitete brenda parlamentit, nuk ka më kualitete në parlament’, tha ai.
Gazetari Ermal Peçi, teksa u fokusua tek aleanca e PD me LSI, tha se aleanca kjo aleancë e ka dobësuar Partinë Demokratike.
‘Unë ndaj mendimin ndryshe nga Auloni, sepse problemi që ndan sot PD nuk njësohet me empatinë që kanë qytetarët. Jam dakord që qeveria e Ramës është më e korruptuar në këto 35 vite. LSI për mendimin tim ka përfituar nga PD dhe pastaj është ulur në prehrin e Ramës. Në optikën time PD do ishte më e shëndoshë pa LSI, sot ajo paguan shumë nga Partia e Lirisë. Kjo aleancë qelbësirash prodhoi këtë situatë, ka perfeksionuar pozicionin e Ramës’, u shpreh Peci.
Komente








