'Repolitix'/ Surprizojnë studentët, zbulohen dy kërkesat e reja, ligj të ri për Arsimin e Lartë dhe të ikë Nikolla

Në fokus të emisionit "Repolitix"Report Tv mbrëmjen e sotme ishte protesta e studentëve, të cilët prej katër ditësh me radhë janë tubuar përpara Ministrisë së Arsimit. Pasi fituan "betejën" për heqjen e tarifës për lëndët e mbartura pjesë e katër kërkesave të tyre, studentët sot ngritën edhe katër kërkesa të tjera, duke i çuar ato në tetë (Lexo këtu).

Por gjatë debatit në emisionin "Repolitix", ku të ftuar në panel ishin Arlind Qori, përfaqësues i 'Lëvizja për Universitetin', Olti Rrumbullaku, pedagog i Universitetit të Tiranës, Plarent Ndreca, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Taulant Muka, ish zëvendësministër i Arsimit, u zbuluan edhe dy kërkesa të tjera, duke i çuar ato në 10-të dhe për rrjedhojë rrezikohet të thellohet edhe më tepër hendeku mes qeverisë dhe studentëve.  

Pedagogu i njohur Arlind Qori, tha se studentët, por edhe trupa pedagogjike, kërkojnë edhe ndryshimin e ligjit të Arsimit të Lartë, pasi sipas tij, ligji aktual ka rënë. Të njëjtin qëndrim ndau edhe studiuesi dhe ish-zv/ministri i Arsimit Taulant Muka, mbështetës i protestës, i cili shkoi edhe më tej kur tha se ministrja Lindita Nikolla duhet të japë dorëheqje nga posti. Ndër për ish-sekretarin e Përgjithshëm të MAS, Plarent Ndreca, kërkesat e studentëve janë të dyshimta, pasi sipas tij ata po refuzojnë dialogun me qeverinë. 

Nga ana tjetër, pedagogu i Fakultetit Ekonomik, Olti Rrumbullaku, i cili gjithashtu mbështet protestat e studentëve, tha se pozitive është fakti që të rinjtë kanë dëbuar partitë e politikën dhe po e mbrojnë vetë kauzën e tyre. 

Sa i takon kërkesave të studentëve, paneli ishte dakord te pjesa e investimeve nga ana e qeverisë në infrastrukturën universitare dhe atë akomoduese, pasi konviktet në vendin tonë lënë për të dëshiruar, duke mospërmbushur as kushtet më minimale të jetesës në një komunitet studentor.

VIDEO/Pjesa e dytë e debatit në Repolitix për protestën e studentëve

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:52
A kanë në plan studentët të rrëzojnë Ramën? Pedagogu i njohur: Askush nuk e di, qeveria është në siklet

Pedagogu i Shkencave Politike, Arlind Qori i ftuar në "Repolitix"Report Tv tha se kërkesat e studentëve mund të shtohen ditët në vijim. I pyetur nëse studentët kanë një skenar për rrëzimin e qeverisë, aktivisti i lëvizjes "Për Universitetin" tha se këtë askush nuk e di, por nga ana tjetër, sipas tij, qeveria dhe ministrat janë në panik. "Askush nuk e di, por qeveria është në panik. Këtë nuk e përcaktoj unë. Qeveria e di dhe prandaj është në panik. Qeveria është gati të bëjë gjithçka...edhe sparkatën...por të shohim se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, mund të shtohen edhe kërkesat. Askush nuk e di, qeveria nuk e di, qeveria është në siklet", u shpreh aktivisti i lëvizjes Për Universitetin dhe një prej protagonistëve të protestës së studentëve përpara Ministrisë së Arsimit. 

Ora 21:56
'Repolitix', Olti Rrumbullaku: Rinia po ndahet nga partitë, larguan politikën nga protesta

Olti Rrumbullaku, pedagog i Fakultetit Ekonomik në Tiranë, tha në studion e "Repolitix" se protestat e studentëve treguan një fakt interesant sipas tij, ndarjen nga politika. Sipas tij, studentët që protestojnë sot përpara Ministrisë së Arsimit janë të datëlindjeve '97-'98 dhe nuk janë kultivuar me atë frymën që përjetoi ndryshimet e '90-ës. 

"Rinia po ndahet nga pjesa partiake. Nëse pyet të rinjtë nëse ndjekin orientimin partiak të familjes, ka një thyerje të madhe së fundi. Ka një thyerje që mbase nuk është kuptuar ende, por kjo protestë e tregoi se është një thyerje e tillë. Besoj se kjo mund të krijojë një mundësi për të dhënë opinionin e tyre, për të ndikuar politikën dhe duke lënë menjanë politikën. Vetë fjala politikë është e lidhur me partitë. Dhe kur i pyesim nëse janë për arsimin apo për një politikë tjetër, patjetër që mund të kenë një opinion. Por kur futen interesat e partive që janë larg grupeve sociale, thjesht duan të marrin atë drejtimin e saj dhe ta orientojnë, ndaj shpresoj që të jenë kështu në vijim. Ata studentë janë të ditëlindjes '97-'98, i përkasin periudhës dixhitale, nuk janë formuar siç janë formuar brezat e mëparshëm. Kjo distancë, ky këndvështrim negaticv i partive aktuale, shpresoj t'i mbrojë nga keqpërdorimi i partive", u shpreh Rrumbullaku. 

Ora 21:47
Plarent Ndreca: Kërkesat e studentëve të dyshimta, duke refuzuar dialogun po shkojnë drejt ultimatumit

Për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Plarent Ndreca studentët po kalojnë nga kërkesat te ultimatumet. I ftuar në studion e "Repolitix" në Report Tv, entuziazmi dhe fryma e protestës është për t'u vlerësuar, por është absurd fakti që studentët nuk pranojnë të dialogojnë me qeverinë. Ndreca ngre dyshime për qëllimet e protestës nisur nga shpalosja e kërkesave të reja. "Është për t'u përshëndetur fryma dhe mënyra si është bërë protesta, por nëse nuk dialogon me atë që po i kërkon diçka, atëherë kjo kthehet në ultimatum. Qeveria është e votuar nga aq milion njerëz dhe ti po i bën ultimatum. Këtu i bie që të ndryshojmë kushtetutën. Unë po dyshoj për këtë", tha Ndreca. 

Ora 21:35
Protesta e studentëve, Taulant Muka: Lindita Nikolla duhet të japë dorëheqje, në qeveri ka plot 'ngelësa'

Ish-zv/ministri i Arsimit, Taulant Muka tha se kryeministri Edi Rama duhet t'u kërkojë falje studentëve kur i quajti ngelësa në ditën e parë të protestës. Në studion e "Repolitix", Muka tha se kryeministri ka plot "ngelësa" në qeveri. Ai shtoi gjithashtu se ministrja Lindita Nikolla duhet të japë dorëheqje.

"Rama t'u kërkojë falje studentëve që i quajti ngelësa. Ka shumë ngelësa në qeverinë e vet. Në një mbledhje na tha unë jam mësues vizatimi, Lindita është mësuese, ne nuk dimë ta bëjmë reformën, reformën e bëjnë studentët. Ministria po saboton universitetet publike. Këto nuk kanë programe të akredituara. Sot shteti shqiptar nuk e njeh ligjërisht diplomën nga publiku, ndërsa universitetet private i kanë të akredituara. Për mua si Taulant, ministrja Nikolla nuk ka më vend në atë institucion. Dhe faktikisht largimi i saj nuk e zgjidh problemin, por këtu duhet garanci nga shteti për një reformë cilësore në Arsim. Ata e pranuan vetë që janë mësues. Por nuk e njohin punën e Arsimit të Lartë sepse është kërkim shkencor që është baza e një universiteti", u shpreh Muka. 

Ora 21:31
'Repolitix'/ Arlind Qori: S'pranojmë dialog me Ramën pa përgjysmuar tarifën e studimeve

Përfaqësues i "Lëvizja për Universitetin", Arlind Qori tha në "Repolitix" në Report Tv se studentët nuk do pranojnë të ulen në negociata me qeverinë, pa marrë vendimin më parë për përgjysmimin e tarifës vjetore të studimeve. Sipas tij, protesta ka rrëzuar edhe ligjin e Arsimit të Lartë. Sipas tij, reforma duhet të ribëhet nga e para. 

"Sa i takon ftesës së Ramës për dialog me studentët, Arlind Qori tha se kryeministri gënjen, pasi dy ditë më parë i quajti ngelësa. Këto janë fjalë në erë. Qeveria duhet të shprehë vullnetin e saj. Duhet të dalë dhe të thotë që këto kërkesa si përgjysmimi i tarifave, ne biem dakord. Ajo që ata quajnë negocim duhet të ribëhet reforma në arsimin e lartë. këtu qeveria duhet të jetë ajo që të thotë bëjeni, më jepni një version të rënë dakord brenda universiteteve dhe ne japim vullnetin tonë politik në bërjen e ligjit.

S'do pranohet asnjë lloj takimi me qeverinë sa nuk pranohet përgjysmimi i tarifës. Kjo është e vetmja kërkesë momentale që i bashkon të gjithë. Mund të ketë 20 kërkesa të tjera, por nëse qeveria kërkon të tregojë vullnetin e saj të mirë është, kjo që është kërkesë të bëhet realitet. Ne jetojmë në një vend ku njerëzit janë shumë të varfër. Duke rritur tarifën e bëjnë gjithmonë e më të pamundur për studentë të mirë dhe shumë të mirë por që nuk kanë mundësi të paguajnë. Mundësisht zero tarifa, të të mbështesë edhe qeveria me bursë, atëhërë konkurrojmë në kushte të barabarta", u shpreh Pedagogu i Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, Arlind Qori. 

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin