Uji i rrjedhshëm i qytetarëve që protestojnë në bulevard po bëhet pis nga mbetje të rrezikshme socio-politike. Kështu shprehet Kryeministrit Edi Rama, duke dashur të evidentojë një ndarje të thellë, mes shqetësimeve reale të qytetarëve, dhe drejtuesve që sipas tij fshihen pas kësaj proteste për interesa dashakeqe.

“Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë", shkruan Rama. 

Për pjesën tjetër, personat që Rama thotë se manipulojnë protestën, përdorin dhe abuzojnë me hallet e qytetarëve, ndau këtë qëndrim:

"Korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është: Shëmbëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve", shkruan Rama. 

Me qytetarët prej një muaji tashmë poshtë zyrës së tij, kryeministri Rama, tregon të mirën e madhe sipas tij të kësaj proteste:

"Në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin. Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shëmbëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika", thekson Rama. 

Për protestën, shefi i mazhorancës thotë se do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale”

 

Postimi i Kryeministrit Edi Rama