Pse Berisha i duhet Ballkanit
edhe këtë dekadë

Pse Berisha i duhet Ballkanit<br />edhe këtë dekadë
Një nga simpatizantët më të mëdhenj të liderit opozitar shqiptar Edi Rama, ish-ambasadori amerikan Withers, jo një herë, por shumë herë, në takime private dhe publike me gazetarët shqiptarë kishte shprehur një shqetësim, sërish dashamirës, por të vërtetë në lidhje me figurën e liderit opozitar shqiptar Rama. Shqetësimi i Withers-it përmblidhej në faktin se Rama nuk kishte dimensionin e një lideri rajonal, ishte më shumë i përfshirë në çështjet e brendshme lokale, duke aluduar në të njëjtën kohë se Rama kishte pak njohuri politike mbi rajonin dhe posaçërisht mbi Kosovën dhe Maqedoninë. Withers atëbotë ishte shprehur fjalë për fjalë: “Uashingtoni nuk e ka akoma të qartë çfarë pikëpamjesh ka Rama mbi Kosovën apo Maqedoninë”.

Edhe pse atë periudhë Rama ishte njëherësh dhe kryetar Bashkie dhe kryetar Partie dhe shpeshherë, jo për faj të tij, pozicioni i parë merrte më shumë peshë se pozicioni i dytë, druaj se edhe sot, kur ai është eskluzivisht një lider opozite, mund të përballojë qoftë dhe një drekë punë me liderë ballkanikë apo dhe më gjerë, ku të diskutojë për rajonin, të japë zgjidhje politike, madje dhe të rrezatojë kulturë politike mbi çështje politike rajonale. Gjithë këtë dekadë, sërish ndoshta jo për faj të tij, ai dhe për shkak se ka qenë kryetar bashkie për më shumë se një dekadë, është investuar, në gjithë kuptimin e mirë të fjalës, krejtësisht dhe thellësisht në çështje lokale, madje inaugurimet e tepruara, qoftë të mbjelljes së një pemë në kryeqytet, apo inaugurimi i një rruge prej 200 metrash, apo prerja me sëpatë në dorë që mund t’i ketë bërë një peme vetë ai, ia kanë shtuar akoma më shumë këtë imazh, të një lideri ekstravagant, me mungesë të theksuar të interesit politik për rajonin dhe më gjerë.

Këtë mungesë interesi Rama ka vazhduar ta dëshmojë, madje dhe ta reflektojë në Partinë Socialiste, ku deklaratat për çështjet rajonale apo dhe më gjerë janë më të pakta se LSI, e një partie me katër deputetë, për shembull, më të pakta se PDIU, vetëkuptohet më të pakta se Partia e Re e Kreshnik Spahiut. Për të mos kujtuar këtu dhe gafa të tilla si letra dërguar Haradinajt, që ndodhej në burg, që edhe pse mund të mos jenë përgjegjësi personale e Ramës, por e kabinetit të tij, dëshmojnë neglizhencën e tij mbi këto aspekte.

Vetë eksponentë të PS-së pranojnë se dhe ato dalje të pakta publike me deklarata mbi rajonin më shumë kanë qenë të iniciuara nga vetë këta eksponentë si një refleks i vjetër i mbetur nga PS-ja e Nanos, sesa iniciativa personale të Ramës si lider. Ramës i mungon ky lloj stofi politikani rajonal, madje ai as nuk bën përpjekje për ta rikuperuar këtë minus jo të vogël, që disa politologë mendojnë se mund të jetë dhe i lindur. Këtë lloj stofi e gjen lehtësisht në lider partish më të vogla se PS-ja. E gjen lehtësisht te Ilir Meta, i cili jo thjesht lexon, informohet për çdo ngjarje në rajon, pavarësisht çfarë pozicioni ka për momentin. E gjeje te Fatos Nano, pavarësisht nga indiferenca karakteristike për çdo gjë, por që i mahniste liderët rajonalë dhe botërorë me kulturën e gjerë mbi çdo çështje globale.

Ndërkohë, te Berisha, ky lloj stofi është me tepri, dhe e kalon rajonin: Berisha interesohet dhe për Sirinë apo dhe Indinë, që Ramës mund t’i duken si dy vende UFO.

Ballkani sot ndodhet në një situatë delikate. Delikate, sepse ndryshe nga shumë herë të tjera, asgjë nuk dihet dhe çdo gjë është e paparashikueshme dhe me gjasa për të zgjatur gjithashtu në një kohë të paparashikueshme. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, tensione po ndodhin kryesisht në ato zona të banuara me shqiptarë. Dhe për vetë Perëndimin dhe ShBA-në situata nuk është thjesht delikate e shpërthyese, por është në të njëjtën kohë dhe eksperimentale dhe e mbushur me enigma. Gjithkush e ka të vështirë të thotë apo të parashikojë se ç’do të ndodhë me Veriun e Kosovës. Maqedonia është si një shalqi i çarë, që tashmë po i bien edhe farat dhe sërish askush nuk mund ta dijë se ku do shpërndahen këto fara. Në këtë periudhë do ishte një luks i madh për perëndimin dhe ShBA-në, që në Tiranë, në të ashtuquajturën toka amë dhe zemra e shqiptarisë shtatëmilionëshe, të vinte një lider deri diku eksperimental në këtë kontekst, si Edi Rama, për të cilin jo vetëm siç thoshte Withers “Uashingtoni nuk di asgjë çfarë mendon për Kosovën apo Maqedoninë”, por pasi, mbi të gjitha, ka shumë pak influencë për të mos thënë aspak mbi liderët aktualë shqiptarë në rajon, sepse dhe marrëdhëniet personale që ka vendosur me këta liderë, në të shumtën e rasteve nuk i ka vendosur vetë, por nëpërmjet sekserëve mediatikë.

Në këtë situatë shpërthyese në rajon dhe veçanërisht në trevat shqiptare Uashingtoni dhe Brukseli, në rast se do i duhet ndërhyrja e të Parit të Shqipërisë për të zbutur gjakrat në Maqedoni, nuk e di a do e dëgjojë Ali Ahmeti apo Menduh Thaçi Edi Ramën, në qoftë se ky do jetë Kryeministër i Shqipërisë më 2013. Nuk di nëse do ia dëgjojë fjalën Thaçi në Kosovë, apo Haradinaj e kështu me radhë. Në këto kushte, siguresat e liderit Rama për rajonin janë tejet të dobëta. Nuk e them dot nëse Edi Rama i duhet apo nuk i duhet Shqipërisë më 2013, por Brukselit dhe Uashingtonit them se jo. Sërish e theksoj, jo për faj të Ramës si politikan shqiptar Shqipërie, po për “faj” të Ramës si model politikani aspak rajonal.

Ndërkohë që në këtë kontekst, Rama për Brukselin e për Uashingtonin, ka shumë zgavra, shumë të panjohura dhe në të njëjtën kohë me një peshë rajonale të pamatshme për ta në peshoren e zhvillimeve ballkanike, Berishës, dhe për shkak të një kohe të gjatë si politikan, ia dinë dhe Kilogramët Politikë në Peshoren Ballkanike dhe Masën e Kostumit dhe pluset dhe minuset, ia kanë lexuar me kohë edhe dritën, edhe errësirën. Dhe për më tepër, pas vitit 1997 kanë një partneritet më shumë se të besueshëm që përfundoi, përveç të tjerave, dhe me anëtarësimin në NATO. Brukseli dhe Uashingtoni e kanë shumë të qartë se Berisha mund të luajë me liderët shqiptarë në Maqedoni, siç luajti më 1994; mund të luajë më liderët e Kosovës, siç ka bërë rëndom dhe, ai që luan, dëshmon se është i vetmi që edhe mund t’i qetësojë, është i vetmi që, thënë troç dhe shqip, mund t’i merret në konsideratë dhe fjala. Sepse, ndryshe nga Rama, Berisha jo vetëm për shkak të të qenit për një kohë të gjatë në majën e shtetit, jo vetëm sepse ndryshe nga Rama, kontaktet personale me liderët shqiptarë në rajon nuk i ka vendosur nëpërmjet sekserëve mediatikë, por vetë si Presidenti i parë i Shqipërisë Postkomuniste, duke i zhvilluar më pas qoftë dhe mes përplasjesh, pajtimesh, konsultimesh e dëgjimesh, për të ardhur në këtë pikë pas 20 vjetësh, kur, dua apo nuk dua unë, duan apo nuk duan disa të tjerë, Berisha konsiderohet “de fakto”, jo vetëm nga opinion mbarëshqiptar, por veçanërisht dhe nga këta liderë që nesër mund ta trazojnë apo qetësojnë Ballkanin, si lider spiritual i mbarë shqiptarëve.

Unë nuk e di në i duhet ose jo Berisha Shqipërisë më 2013, por jam i sigurt që Ballkanit po. Ndërmjet një lideri pa eksperiencë dhe me shumë të panjohura e shumë pikëpyetje siç është Rama, që me vështirësi të madhe u zhvendos nga kollaret me topa te kollaret lisho, nga çorapet e verdha te ato të zeza, Perëndimit i bëhet më e lehtë puna me një lider të sprovuar 20-vjeçar, që gjithmonë ka mbajtur kollare lisho, gjithmonë ka mbajtur çorape të zeza, që ia dinë çdo dhëmb dhe dhëmballë, që ia dinë dhe dritën dhe hijen, që ia njohin dhe komplekset, që në fund të fundit është i aftë qoftë t’i nxjerrë shqiptarët kudo që janë në rrugë, apo qoftë dhe t’i mbajë mbyllur në shtëpi.
Marre nga gazeta MAPO
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SKY ECC/ Organizata kriminale e Suel Çelës trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, korruptoi shefin e krimeve e gjyqtaren në detyrë në atë kohë! Zbardh rolin e gazetarëve Elton Qyno e Artan Hoxha

Zbërthimi i SKY ECC/ Organizata kriminale e Suel Çelës trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, korruptoi shefin e krimeve e gjyqtaren në detyrë në atë kohë! Zbardh rolin e gazetarëve Elton Qyno e Artan Hoxha