TIRANË- Kur të gjitha partitë politike janë të pakënaqura me Prokurorinë e Posaçme kjo nuk tregon se SPAK po ecën në rrugën e gabuar, kështu u shpreh kreu i SPAK Klodian Braho në komisioni për mbikëqyrjen institucionale, moment ky i vetëm që bëri që prokurorët e posaçëm të buzëqeshnin gjatë një seance gati 4-orëshe.

“Më  vjen mirë ndonjëherë që SPAK-u është i papëlqyeshëm nga të dy krahët politikë, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur, ju falënderoj për këtë”, tha Braho.

Opozita ngriti në bllok shqetësimin e saj për krimin zgjedhor, madje duke akuzuar SPAK për standarde të dyfishta. Deputeti demokrat Ivi Kaso tha se gjatë zgjedhjeve u goditën liderët kryesorë të opozitës, por jo bandat kriminale që sipas tij u përdorën për të vjedhur zgjedhjet. Por, këto akuza kreu i SPAK i quajti perceptim duke i garantuar opozitës se hetimet dhe akuzat bazohen vetëm në prova dhe jo në bazë të përfaqësuesve politikë, qoftë majtas apo djathtas.  

"Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe ne na shqetëson si prokurori. Është një fenomen që në pajtohemi me të. Çështjet përfundojnë në akuzë kur gjenden provat. Unë nuk shoh një standard të dyfishtë për përfaqësues të njërës palë apo tjetrës. Mendoj se ky është një perceptim. Por ne nuk nisemi në perceptime, por atë që ka në dosje", tha Braho. 

Kur deputetët e opozitës, e pyetën për masat ndaj Sali Berishës, Braho u tregoi derën ngjitur me SPAK, atë të gjykatës!

"Të gjithë personat që kanë vërejte mund t’i drejtohen gjykatës e cila vendos", tha Braho. 

Opozita u mundua t’i vinte në siklet prokurorët e Posaçëm duke i thënë se i vetmi zyrtar i lartë që nuk është thirrur në SPAK është kreu i qeverisë Edi Rama, por Klodian Braho i sfidoj që të dorëzojnë prova!

"Kush ka prova t’i dorëzojë në SPAK. Asnjë person nuk është imun, dhe ketë e them me bindje", vijoi kreu i SPAK. 

Braho nuk e përjashton mundësinë që në Kuvend të dorëzojnë një kërkesë të re për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Ballukut. Ndonëse në mars të këtij viti PS vendosi të mos i jepte autorizim SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres, me argumentin se nuk i mjaftonte masa e pezullimit për sa kohë ndaj saj nuk ishte ngritur akuza e korrupsionit, kreu i SPAK thotë se kjo nuk i ka penguar që të vijojnë hetimet. Tashmë që SPAK po heton Ballukun edhe për korrupsion e pastrim parash, shefi i Prokurorisë së Posaçme thotë se së shpejti do të ketë një vendimmarrje për çështjen Balluku.

“Nuk mund të them detaje konkrete, është një çështje konkrete, por në një moment të mëvonshëm prokuroria do të ketë vendimmarrje përkatëse. SPAK e ka pasqyruar në diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit”, tha Braho.

Braho iu përgjigj edhe pyetjeve të opozitës nëse ka pasur ndikim nga kryeministri Edi Rama për të shtyrë arrestimin e Ballukut.

Elda Hoti: A ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama për të shtyrë deri në shtator zbatimin e ligjit për çështjen Balluku?

Klodian Braho: Sa i përket ndërhyrjes së Ramës, nëse keni prova paraqitni ato në organin kompetent. Janë të gjithë të barabartë para ligjit.

Gjatë raportimit të gjatë në të ashtuquajturin komisioni ‘Xhafa’, Braho e theksoi edhe një herë se krimi zgjedhor mbetet një fenomen shqetësues edhe për Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pyetur për çështjen ‘Aruba’ tha se në SPAK asnjë provë nuk ‘lihet në gjumë’

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:45
Pse mbahet ende Meta në burg dhe Berisha detyrohet dy herë në muaj të shkojë në Prokurori? Ja si përgjigjet kreu i SPAK

 

I pyetur nga deputetja Elda Hoti se përse Ilir Meta vijon të mbahet në burg, ndërsa Sali Berisha është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj në Prokurori, kreu i SPAK Klodian Braho u shpreh se çdo person i proceduar ka të drejtën të ndjekë rrugët ligjore për të kundërshtuar masat e vendosura ndaj tij.

“Të gjitha pyetjet tuaja lidhen me çështje konkrete dhe unë nuk kam koment. Kush është i proceduar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatë dhe ta çojë çështjen edhe në gjykata më të larta”, deklaroi ai.

Ora 13:36
Braho-deputetëve: Më vjen mirë që SPAK është i papëlqyeshëm nga dy kahet e politikës, jemi në rrugën e duhur! Askush nuk është imun

 

Pas tre orësh e gjysmë raportim në Komisionin e Nisma Qytetare, Klodian Braho iu tha ligjvënësve se fakti që SPAK është i papëlqyeshëm nga dy kahet e politikës, tregon se institucioni është në rrugën e duhur. Deklarata e Brahos erdhi pas disa pyetjeve të opozitës se çfarë garancish jep kreu i SPAK që kryeministri Edi Rama nuk është mbi ligjin.

Erald Kapri: Besueshmëria ishte në kulm, sa kohë ju çuat në ndjekje penale 3 dosje të mëdha, Veliaj, Balluku dhe AKSH-in. E kuptoj presion e madh që ka institucioni juaj. Pak kohë më parë morëm vesh që dumani kërkoi mbrojtje shtesë, dhe ju sapo deklaruar që deklaratat e kryeministri i shihni dhe me një shqetësim sepse bota e krimit mund të marrë guxim dhe të sulmojë prokurorët. Kryeministri ka thënë që keni dalë nga shinat, çorbë qensh, minjsh madje edhe republikë prokurorësh. Nuk kemi parë një veprim ndaj kryeministrit, çfarë garancish jepni ju që kryeministri nuk mund të jetë mbi ligjin.

Klodian Braho: Deklaratat politike, janë retorikë politike. Më  vjen mirë ndonjëherë që SPAK-u është i papëlqyeshëm nga të dy krahët politikë, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur, ju falënderoj për këtë. Nuk janë vendime që merren në bazë të pritshmërive, por janë vendime që merren për shkak të nevojave të hetimit. Është prokurori i zoti i çështjes. Unë i qëndroj asaj që thashë, për SPAK janë të gjithë të barabartë. Sfida është prova. Por askush nuk është imun ndaj hetimit, në rastet kur ka prova se mund të ketë kryer vepër penale.

Ora 13:26
Pse nuk kanë nisur hetimet për çështjen e Rrjollit? Ja si përgjigjet Klodian Braho

 

Deputeti opozitar, Erald Kapri ngriti në komisionin e Nismave Qytetare çështjen e banorëve të Rrjollit të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti nga ndërtuesi dhe botuesi Bashkim Ulaj, të cilin e akuzojnë se u ka grabitur pronat.

Erald Kapri: Kam një kërkesë nga banorët e Rrjollit. Dosja e tyre është si e Zvërnecit, pse nuk keni nisur hetimet?

Klodian Braho: Nuk dua të ndalem në raste konkrete. Por kompetencat e institucionit nuk përcaktohet nga dëshira e kall apo vullneti i kallë. Përcaktohet nga rrethanat faktike. Nëse personat e caktuar s’janë dakord, kanë të drejtë e tyre të ndjekin rrugën ligjore.

Ora 11:33
Hoti: A ka ndërhyrë Rama tek ju për të shtyrë arrestimin e Ballukut? Braho: Nëse keni prova çojini në SPAK

Deputetja demokrate, Elda Hoti e pyeti kreun e SPAK, Klodian Braho nëse kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë tek ai për të shtyrë arrestimin e Belinda Ballukut, të patën deri në shtator. Por kreu i SPAK i sugjeroi që nëse ka prova t’i dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme.

Elda Hoti: A ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama për të shtyrë deri në shtator zbatimin e ligjit për çështjen Balluku?

Klodian Braho: Sa i përket ndërhyrjes së Ramës, nëse keni prova paraqitni ato në organin kompetent. Janë të gjithë të barabartë para ligjit.

Ora 11:22
Do thërrisni Ramën për ‘Albanian Files’? Braho: Kush ka prova t’i dorëzojë në SPAK, asnjë person nuk është imun

 

Deputeti demokrat Gjin Gjoni e pyeti Klodian Braho nëse do e marrë në pyetje shefin e qeverisë Edi Rama për çështjen e librit Albanian Files, të cilin opozita e ka çuar në SPAK. Braho tha se është një kallëzim konkret dhe kush ka prova duhet t’i dorëzojë sepse askush nuk është imun.

Klodian Braho: Është Kallëzim konkret nuk kam asnjë koment. Kush ka prova t’i dorëzojë në SPAK. Asnjë person nuk është imun, dhe ketë e them me bindje.

Gjin Gjoni: Fijet të çojnë tek personi që sot është drejtues i qeverisë. Çështja e pandëshkueshmërisë a mund të shkojë në nivelin, që duhet në rastin konkret, të pyetet qoftë edhe për rastin e inceneratorit, ose në çështjen e Albanian Files. Që në rastin konkret jepen shuma parash nga 60 euro metër katror nga njerëz të cilët sot nuk dihet nëse do ndërtojnë ose jo. Këta po lejen e kryeministrit nuk mund të ndodhë.  

Ora 11:17
Kush janë politikanët që morën pjesë në takimin e Arubës? Braho: Çështje në hetim, provat nuk i lëmë në gjumë

Opozita i kërkoi kreut të SPAK, Klodian Braho që të tregojë se kush janë politikanët që kanë marrë pjesë në takimin e Arubës. Braho refuzoi të komentojë gjatë, duke thënë se është çështje në hetim.

Ivi Kaso: Kush janë politikanët shqiptarë që kanë qenë në takimin e Arubës, kanë pasur mandatin e kryeministrit, për të ndarë Shqipërinë në copa për pastrimin e parave? Ju shqetëson juve ky fakt që ka rrjedhur kjo dosje. A mendoni se keni detyrimin për t’iu përgjigjur publikut, se kush kanë qenë këta politikanë në Aruba. I majtë ose i djathtë, me ose pa mandatin e kryeministrit në xhep. Kryeministri kur i është referuar kësaj çështje, ka thënë le ti nxjerrë ujin e zi SPAK falsifikimin e pronave në bregdet. Praktikisht ju ka thënë inversioni sa të doni, por vetëm falsifikimit të pronave në bregdet, as kush ka shkuar nga qeveria, as çfarë ka premtuat dhe ka marrë perisper qeveria. As kush janë përfituesit fundorë. Ju pengon ky prononcim publik dhje kjo sjellje publike e politikës që ka në dorë agjencitë e tjera që duhet të bashkëpunojmë me ju.

Klodian Braho: Është çështje në hetim, por nuk mund të ndodhë në SPAK që të ketë një provë dhe ajo të lihet aty në gjumë dhe të mos reagohet.

Ora 11:09
Kërkesë të re për arrestimin e Ballukut? Braho: Hetimet kanë vijuar, do të ketë vendimmarrje përkatëse

Kreu i SPAK, Klodian Braho u pyet në komision edhe për çështjen Balluku dhe nëse vendimmarrja e Kuvendit për të mos i hequr imunitetin i ka dëmtuar hetimet. Braho tha se pavarësisht vendimmarrjes së Kuvendit, SPAK ka vijuar me punën dhe hetimet dhe se në një moment të caktuar do ketë vendimmarrje përkatëse.

Ivi Kaso: A është dëmtuar ndjekja penale për rastin balluku? Hetimet kanë vazhduar dhe pozita procedural  e Ballukut është rënduar, bashkëpunëtorëve iu janë komunikuar kauza më të rënda, është vepruar me sekuestrime asetesh që presupozohet se janë asete të ish-zv.kryeministres të fshehura. Ju ende sot nuk i jeni drejtuar kuvendit me kërkesë të re për heqjen e imunitetit. Si duhet interpretuar kjo nga ana jonë. Kur ju thanë jo e vlerësojmë ne kur hiqet imuniteti, është kjo sjellje që iu step ti drejtoheni prapë kuvendit me kërkesë tjetër për heqjen e imunitetit?

Klodian Braho: Prokuroria ka qenë e qartë për atë që ka kërkuar. Por sot nuk mund të vlerësoj qëndrimin e kuvendit për vendimmarrjen. Nuk mund të them detaje konkrete, është një çështje konkrete, por në një moment të mëvonshëm prokuroria do të ketë vendimmarrje përkatëse. SPAK e ka pasqyruar në diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit.

Ora 11:06
Kaso-Brahos: Goditët liderët e opozitës gjatë zgjedhjeve, por jo bandat! Kreu i SPAK: Perceptim, dosjet kanë prova, s’ka majtas apo djathtas

Deputeti demokrat Ivi Kaso ngriti në komision çështjen e krimit zgjedhor, madje duke thënë se SPAK ka përdorur standard të dyfishtë. Ai tha se SPAK nuk ka hezituar të vendosë masa të sigurimit personal ndaj liderëve të opozitës në periudhë zgjedhore, duke përmendur arrestin shtëpiak për Sali Berishën dhe arrestin në burg të Ilir Metën, por ndërkohë sipas Kasos SPAK nuk ka goditur grupet kriminale që kanë influencuar zgjedhjet.

Kreu i SPAK iu përgjigj qartë se krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues, por theksoi se çështjet përfundojnë në akuzë kur gjenden provat. Sipas tij, SPAK nuk ka standarde të dyfishta për përfaqësues të njërës palë apo tjetrës, por e konsideroi një perceptim. “Kushdo që të jetë, nga secila anë do mbajë përgjegjësi”, tha Kaso.

Ivi Kaso: Standard të dyfishtë që keni përdorur sa i përket krimit zgjedhor kur vërehet në fushatë zgjedhore, në raport me atë që ka qenë standardi i lartë që keni vendosur nga ana juaj ndaj politikanëve të opozitës qoftë edhe në periudhë zgjedhore, ju nuk keni patur asnjë lloj problemi për të marrë masa sigurimi personal ndaj liderëve të opozitës në vit zgjedhor, qofshin ndaj arrestit në shtëpi të Berishës, apo arrest me burg të Metës. Të drejta apo të padrejta i ka vlerësuar gjykata, por ky ka qenë standardi i lartë që keni vendosur ju. Në periudhë zgjedhore, ata që janë evidentuar si persona problematikë që kanë influencuar zgjedhjet, rasti i goditjes së bandës të Durrësit, letërporositë që janë ke pa periudhë zgjedhore, janë toleruar nga ana juaj, nuk e dimë ka qenë pamundësi mjetesh apo diçka tjetër dhe janë lejuar ta kryejnë krimin zgjedhor dhe janë goditur për arsye të tjera që s’kanë lidhje me zgjedhjet. Ky standard i dyfishtë mendoni se demotivon krimin zgjedhor, apo e motivon.

Klodian Braho: Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe ne na shqetëson si prokurori. Është një fenomen që në pajtohemi me të. Nuk është krijuar brenda 1 ose 2 vitesh, por ka një periudhë të gjatë që është krijuar. Çështjet përfundojnë në akuzë kur gjenden provat. Unë nuk shoh një standard të dyfishtë për përfaqësues të njërës palë apo tjetrës. Mendoj se ky është një perceptim. Por ne nuk nisemi në perceptime, por atë që ka në dosje. Ju siguroj që nëse dosjet kanë provat, kushdo që të jetë, nga secila anë do mbajë përgjegjësi.