Pushteti, shkruante Balzaku te ‘Lëkura e shagrenit’, sado i madh që të jetë, nuk të mëson se si ta përdorësh atë. Ai na lë ashtu siç jemi prej natyre dhe rrit vetëm njerëzit e mëdhenj, gjë që do të thotë se pushteti nuk mund ta përmirësojë mbartësin e tij.
Pushteti për nga natyra bën të humbasësh drejtpeshimin, orientimin dhe dallimin e kufijve mes asaj që është e dobishme për njerëzit dhe asaj që është e nevojshme për të mbajtur pushtetin.
Kjo ide nuk është vetëm letrare, sepse është i njohur parimi politik, sipas të cilit ‘pushteti priret të korruptojë, ndërsa pushteti absolut të korrupton në mënyrë absolute’.
E thënë me fjalë të tjera, kjo nuk ka të bëjë thjesht me moralin e një individi të caktuar, por është një ligj universal funksionimi, që tregon se kur pushteti nuk kontrollohet, ai mund të vijojë për indvidë të caktuar, por jo për të mirën e përbashkët të shoqërisë.
Prandaj ekziston dhe është domosdoshmëri në demokraci parimi i ‘check and balance’, në mëynrë që pushteti të mos mbetet kurrë pa kontroll dhe asnjë institucion të mos shndërrohet në autoritet absolut. Kontrolli i ndërsjellë mes institucioneve nuk ka të bëjë me mosbesimin, por është një mekanizëm mbrojtës kundër abuzimit, arbitraritetit dhe kapjes së pushtetit nga individë autoritar
Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për këtë kontroll dhe balancë, sepse përqendrimi i pushtetit dhe personalizimi i institucioneve kanë krijuar një klimë të thellë të mosbesimi publik. Kur mungon kontrolli real, çdo pushtet tenton të justifikojë veten me qëllime të “mira”, ndërsa transparenca dhe llogaridhënia nuk kanë pikën e rëndësisë.
Nëse nuk arrihet një gjë e tillë, pushteti i shumtë dhe i pakontrolluar vetëm se do të gërryejë gradualisht vetveten, , ndërkohë, nëë të njëjtën kohë, do t’i shkaktojë dëme të pariparueshme këtij vendi, duke e thelluar ndarjen shoqërore, duke e thyer përfundimisht besimin te institucionet dhe duke e parë shtetin vetëm si një mekanizëm force, jo shërbimi./TemA
Komente










