'Qëndrimi në shtëpi na ka mësuar se amvisat janë heroina', mesazhe optimizimi nga artistë, sportistë e mësues! (VIDEO)

Java e katërt e luftës kundër koronavirus po tregon se gjithnjë e më tepër njerëzit kanë nevojë për mesazhe pozitive për të mbajtur gjallë shpresën se së bashku do ia dalim. 

Mësues, artistë, njerëz të thjeshtë vijojnë të përcojnë mesazhet e tyre me nota optimizmi. 

Ekspertja e BonTon, Olesia Leço thotë se këto ditë ka kuptuar se amvisat janë vërtetë heroina, kurse mësuesja e gjuhës shqipe, Anjeza Shatku ka një apel për të gjithë nxënësit. 
 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:02
Ky version kaq i bukur vetëm në karantinë mund të 'krijohej', këngëtarja kosovare sjell versionin akustik të 'Dance Monkey'

Këngëtarja kosovare Nita Latifi gjatë ditëve të saj të karantinimit ka sjell vazhdimisht për ndjekësit në rrjetet sociale versionet akustike të kengeve të ndryshme. 

Në ditën e ditëlindjes së saj, të cilën e kaloi në karantinim, këngëtarja sjell këngën aq të njohur 'Dance Monkey' në versionin akustik, për të krijuar atmosferë pozitive nga shtëpia e saj drejt tuajës. 

"Shijoje dhe rri në shtëpi", shkruan këngëtarja. 

Ora 15:58
Solidaritet dhe vëllazëri në kohë të vështira! Flogert Shatraj luan me violinë Himnin e Italisë

Violinisti i Ansamblit Popullor Flogert Shatraj ka sjellë vazhdimisht video ku luan me violinë melodi të këngëve të ndryshme. 

Këtë herë, në shenjë solidarizimi me popullin italian, ashtu si shumë artistë shqiptarë po bëjnë vazhdimisht, violinisti ka sjëllë "Fratelli D'Italia", himnin Kombëtar të fqinjëve tanë. 

Ora 12:43
Përmes humorit, Genti Kame: As horoskopi i vitit 2020, s'e kishte parashikuar këtë që na ngjau (VIDEO)

Regjisori edhe aktori Genti Kame nga shtëpia e tij, së bashku me vajzën përmes humorit përshkruan situatën ku gjendemi, edhe bën apel që të kujdesemi për vete edhe familjarët, duke qëndruar në shtëpi.

“Të dashur miq, siç e shikoni, jemi të gjithë të mbyllur brenda. Na ka ardhur si rrufe në qiell të pastër diçka që nuk ishim aspak në dijeni, nuk kishim asnjë të dhënë, askush s’na kishte thënë gjë. Nuk na kishte ardhur ai libri i vogël me udhëzime që vjen me çdo pako, që të tregon se çfarë duhet të bësh, si duhet ta montosh diçka.

As filxhanët e kafes nuk na i kishin thënë diçka të tillë, as parashikimi i motit, madje as Horoskopi. Edhe kur nuk ta thotë horoskopi i 2020-s, se çfarë do të na ndodhte në mars-prill të këtij viti imagjinoni se çfarë gjëje e keqe është. Pra, shumë prej nesh janë ndarë totalisht nga të afërmit e tyre, nga miqtë e tyre, disa prej nesh kanë humbur punën, nuk e dinë se kur do të fillojnë, nuk e dinë se sa do të zgjas i gjitha kjo” thotë Kame, megjithatë, problemi kryesor është që ne duhet të fillojmë nga A-ja.

“Pasi të zgjidhim këtë, çdo gjëje e gjendet çelësi. Prandaj ne duhet që të ruajmë shëndetin, të tjerat pak nga pak. Sa më shpejt të mbarojë kjo fazë ne do të zgjidhim problemet e tjera. Edhe duhet që të bazohemi diku, në mençurinë e popullit tonë, në shprehjet dhe fjalë e tij të urta, që ne sot na thonë se çfarë duhet të bëjmë për shembull, Guri i rëndë në shtëpi të vet ose Punën e sotme mos e lerë për nesër, shtyje një muaj se s’të gjen gjë. Ose larg syve afër zemrës. Ose kush nuk punon botën e shpëton. E gjitha do të kalojë, por kryesorja është që ne duhet të jemi optimistë, ta marrim me sportivitet edhe të kemi pak durim. Mik, mikeshë e dashur rri në shtëpi, mos tako njeri. Bëje për mua, bëje për vete”, përfundon artisti.

Ora 12:37
Kompozitori Sokol Marsi risjell me fëmijët nga shtëpia 'Këngën e gjyshes' (VIDEO)

Kompozitori Sokol Marsi risjell me fëmijët nga shtëpia këto ditë në bashkëpunim “Këngën e Gjyshes” e kompozuar nga Agim Krajka, edhe e interpretuar fillimisht nga këngëtarja Vaçe Zela.

Ora 12:33
Mirela Kumbaro lexon 'Aventurat e Tom Sojerit': Ja si e përshkruante përkthyesi Ardian Klosi këtë libër...(VIDEO)

Në hapësirën dedikuar leximit të librave, ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka zgjedhur të sjellë fragmentin e fundit të 'Aventurat e Tom Sojer' të shkrimtarit Mark Tëain. 

Ajo sjell edhe mënyrën sesi e përshkruante përkthyesi Ardian Klosi këtë libër, për të cilën Kumbaro thotë se ka lënë përkthime të vlefshme. 

Ora 12:29
Këngëtarja Era Rusi i bashkohet nismës “Adopto një gjyshe” (VIDEO)

Këngëtarja Era Rusi i bashkohet nismës së kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj për të “adoptuar një gjyshe”. Artistja jep shembullin e saj, teksa gatuan për ata gjyshër që kanë nevojë për ndihmë në këtë periudhë vetizolimi në shtëpi.

“Një trokitje afër çdo gjyshi dhe gjyshe në karantinë. Të gjithë ju që njihni një të moshuar në nevojë, i cili nuk mund të dalë në këto ditë izolimi, trokasim ne në derën e shtëpisë së tyre. Ju mund të telefoni (numri në rrjetet sociale të Era Rusit) dhe ndihmat për ushqime apo ilaçe mjekësore do të jenë në derën e shtëpisë së tyre. Rëndësia dhe kontributit i gjithsecilit prej nesh është jetik në këto ditë!”, shkruan Era Rusi në profilin e saj në rrjete sociale.

Ora 12:23
Pedagogu Lekë Sokoli-studentëve: Keni në duar parandalimin e katastrofës (VIDEO)

Pedagogu Lekë Sokoli përmes një shembulli me kutin e shahut shpjegon se si mund të përhapet virusi nga njeri tek njeriu. Ndërsa, u bën thirrje artistëve që të parandalojnë këtë virus, sepse parandalimi është më i thjeshtë sesa kurimi i tij. "Studentë, ju sot keni në dorë parandalimin e katastrofës. Të qëndrojmë siç jemi, të vazhdojmë leksionet online, që të takohemi shpejt në auditorët e UAMD-së", shprehet prof. Dr. Lekë Sokoli, zëvendës-Rektor për Kërkimin Shkencor.

Ora 12:17
Artistët e njohur këndojnë 'Shqipëri o vendi im' të Avni Mulës, si himn për jetën (VIDEO)

Kënga “Shqipëri o vendi im” e Avni Mulës ka bërë bashkë këngëtarët lirikë më në zë të vendit tonë, nga sopranoja Inva Mula tek instrumentistët e Teatrit të Operës dhe Orkestrës së Radio Televizionit Publik Shqiptar. Artistët e kanë realizuar këtë këngë nga shtëpitë e tyre, si një himn për jetën

Ora 10:45
Futbollistja e Kombëtares: 'Fusha' ime tashmë shtëpia, stërvitem rregullisht! (VIDEO)

Kapitenia e Kombëtares Shqiptare të Futbollit për femra Albina Rrahmani thotë se tashmë 'fusha' e saj ku stërvitet është kthyer shtëpia ku cdo ditë vazhdon stërvitjen.

Ajo thotë se ka reduktuar ushqimin, ndërkohë që jep disa ushtrime të thjeshta që të gjithë mund ti praktikojnë gjatë ditës.  

Ora 10:43
Balerina Isida Mollaymeri: Për një artist liria është e shenjtë! Qëndrimi në shtëpi është sfidë, por do ia dalim...(VIDEO)

Balerina Isida Mollaymeri nëpërmjet një video mesazhi ka thënë se ndonëse për një artist është e vështirë të qëndrojë në shtëpi, pasi liria është dicka shumë e rëndësishme për të, është koha që kjo sfidë e vështirë të përballohet. Ajo bën thirrje të qëndroni në shtëpi, të lani duart dhe të respektoni distancimin social. 

Ora 10:41
'Të shpëtojmë të sotmen për të nesërmen', mësuese Anjeza Shatku i drejtohet fëmijëve: Shkollat janë mbyllur, por jo dija! (VIDEO)


Mësuesja e Gjuhës Shqipe, Anjeza Shatku nëpërmjet një video mesazhi thotë se mbyllja e shkollave nuk sjell mbylljen e dijes, pasi fëmijët edhe në shtëpi mund të hulumtojnë për të pasuruar njohuritë e tyre.

Ajo ka apeluar për qëndrimin në shtëpi, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur të sotmen dhe të nesërmen. 


"Për të gjithë ne, shkolla vijon të qëndrojë e mbyllur, por jo dija sepse falë bashkëpunimit me njëri tjetrin ne e kemi vazhduar misionin e saj duke ndjekur mësimet virtuale, udhëzimet, ndaj rri në shtëpi dhe mëso. Me mprehtësinë e mendjes tënde hulumto për mënyra të reja për ta përballuar sa më mirë këtë situatë. 
Bëhesh kështu një nxënës dhe një qytetar i vlefshëm për veten dhe për të gjithë shoqërinë
.", thotë ndër të tjera mësuesja Anjeza Shatku. 
 

Ora 10:37
‘Nuk kam qëndruar asnjë ditë me pizhama', Olesia Leço tregon jetën në izolim: Duhet të ndihemi mirë me veten edhe në shtëpi! (VIDEO)

Nëse për shumë prej jush karantina ka qenë një motiv për të hequr dorë nga veshjet e së përditshmes, ‘detyrimi' për tu dukur të rregullt në pamjen tuaj dhe të shijoni pizhamat dhe flokët e crregullta, për Olesia Leçon, ekspertet e sjeljeve, ditët në izolim nuk kanë qenë aspak të tilla.


Në një video mesazh ajo thotë se është përpjekur të ndihet mirë me veten edhe në kushtet e shtëpisë, t'i dedikohet punëve brenda dhe të shijojë takimet virtuale të mbrëmjes me shoqërinë, duke konsumuar pse jo edhe një gotë verë. 

D.M./G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë