Nuk besoj të ketë të tjerë të ngjashëm me ne. Në një autostradë në Itali, nëse hasim targën shqiptare, dicka e papërshkruar mund të ndodhë me cilëndo autoveturë, autobus, motocikletë a cfarëdo mjeti qoftë: boria merr dhenë, dritat pulsojnë si një zemër plot emocion, por ka dhe më shumë, si këtë herë; për të na përshëndetur, një makinë e bardhë nga ato që të parakalon me shpejtësinë e erës, frenoi, uli dritaren e pasme e pasagjeri gati doli në gjysëm të makinës duke na bërë të ditur se sa gëzoi që na pa. Ne ishim me targën AL me shqiponjën tonë, përshëndetësit me targë të huaj, dhe bashkë treguam se e duam njëri-tjetrin në Autostradën e Diellit, rrugës për në Bari-Durrës. Sa të dashur jashtë kufiri, po në Shqipëri?

Edhe ky vit i vështirë po kalon. Edhe këtë vit të vështirë u shamë e shamë, urryem e na urryen në ekstrem, sic dimë të bëjmë vetëm ne shqiptarët: dashurojmë e urrejmë pa kufi, pa karar sic do të thonin të moshuarit. Sonte është dita më e shkurtër e vitit dhe nata më e gjatë. Pas 21 dhjetorit dimri është zyrtarisht mes nesh me ftohtësinë, lagështirën, reshjet, më pak dritë, por dhe me mundësinë për të ndëzur zjarrin dhe ngrohur zemrën, për të parë brenda vetes dhe për të bërë të mbizotërojë ana jonë më e mirë: ajo e dashurisë pa kufi, e galanterisë dhe fisnikërisë.

Me shpërthimin e rrjeteve sociale ndjenjat, fjalët, veprimet tona, arrijnë njëri-tjetrin me shpejtësinë e dritës; sa hap e mbyll sytë. Disa prej nesh e kanë kaluar ditën, muajin, gjithë vitin vetëm duke sharë, ofenduar, kritikuar e mallkuar, pa pushuar as një ditë të dielë. Ndjehen më mirë kështu? Kanë ndjekur natyrën e tyre, kanë folur me kokën e tyre, me faktet e tyre, apo me mendjen, faktet dhe fjalët e të tjerëve? Do të ishte mirë që të gjithë të bënim një reflektim për këtë Vit të Ri. As pandemia e Covid nuk ndali disa prej nesh, thanë gjëra të pavërteta, kërkuan gjëra të parealizueshme, bënë pak nga sa thanë. Cdo vit është një mundësi për të gjithë për t’u përmirësuar: si ishim një vit më parë, si jemi këtë vit e si mendojmë për vitin që vjen?

Për mua, nga kjo Periferi, tepër e lexuar kur shkruaj për politikë (e sidomos kur kritikoj ndonjë, Berishën e frymën e tij zakonisht), e më pak e ndjekur dhe e shpërndarë (edhe pse shtohen nga viti në vit) nëse shkruaj për natyrën, kulturën, shoqërinë; harmonia, mirësjellja, mirëkuptimi, toleranca, respekti i të kundërtave ka shumë rëndësi.

Unë dua të përmirësohem në këtë 2021. Dhe me durim do të pres të shtohen dita ditës bashkëatdhetarët që i japin më rëndësi dashurisë sesa urrejtjes; harmonisë, sesa grindjes; lavdërimit, sesa sulmeve; kritikave, sesa sharjeve dhe ofendimeve. Qoftë 2021, viti shqiptarëve të mirë. Të shohim mes nesh atë që te ne panë Eduard Lir, Lord Bajroni e Edit Durhami.