Për 42 ditë, protestuesit vijojnë të mblidhen poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama me fjalime e thirrje kundër klasës politike e qeverisë aktuale.

Nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, protestuesit thonë se nuk do të largohen derisa Rama dhe qeveria e tij të japë dorëheqjen. Ata thonë se investimi prej 4 milionë euro për koncertin e Kanye West që do të mbahet mbrëmjen e sotme në Tiranë, ishte i panevojshëm dhe se ato para mund të shërbenin për të tjerë sektorë që kanë nevojë për përmirësim.

“Fermerët i ka shpallur armiq të vendit. Në vend që të dëmshpërblejë fermerët e përmbytur, shkon i jep 4 mln euro një këngëtari që nuk i hyn njeriu në punë”, tha një fermer.

“Ne jemi rritur mes gëzhojash. Mos harrojmë Gërdecin, 21 janarin dhe aferat korruptive. Infrastruktura është lënë përgjysmë, në fshatin tim rruga nuk bëhet prej 40 vitesh, ndërkohë 4.2 milionë euro shkojnë për një fashist”, tha aktivisti Arbër Lleshi.

Një tjetër qytetar, i bëri thirrje intelektualëve për t’iu bashkuar protestuesve me qëllim rindërtimin e një shoqërie të re demokratike.

“Kjo lëvizje ka nevojë për intelektualë, mbështetje juaj me shkrim është e vyer por nuk mjafton. Egoja juaj nuk duhet të bëhet pengesë për bashkimin tonë”, tha qytetari.

Dje, protestuesit bënë thirrje për të bojkotuar koncertin e këngëtarit amerikan Kanye West. Kjo thirrje erdhi pas gafës se sulmeve që iu bë bizneseve shqiptare, ku persona të organizuar i cenuan nëpërmjet review-ve negative në google.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:44
Feremeri nga protesta: Na ka shpallur armiq, s’jemi dëmshpërblyer nga përmbytjet, por i dha 4 milionë euro një këngëtari

Një fermer i është bashkuar protestës në Tiranë teksa tha se kryeministri Edi Rama ende nuk ka dëmshpërblyer fermerët që u prekën nga përmbytjet ndërsa dha 4 milionë euro për koncertin e këngëtarit të huaj Kanye West.

“Fermerët i ka shpallur armiq të vendit. Në vend që të dëmshpërblejë fermerët e përmbytur, shkon i jep 4 mln euro një këngëtari që nuk i hyn njeriu në punë. Ata fermerë që kanë kërkuar të investojnë në Shqipëri, kanë kërkuar të marrë tokat bujqësore me qira, por jo, ka nxjerrë ligj dhe ua jep të huajve. Janë mbi 300 fermerë që kanë aplikuar për të zgjeruar biznesin ne tyre te ministria e Bujqësisë. Po bëjmë 3 vite që i zvarrit, kërkon dokumente shtesë, se në mesin e protestave, çoi ligjin që tokat bujqësore t’i kalojnë shtetasve të huaj. Të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë së bashku me ministrat e tij. Sot jemi kthyer në vend importues”, tha një protestues.

Ora 20:27
Aktori Mehdi Malkaj nga protesta: Rama nuk ka plotësuar asnjë nga premtimet e dhëna, ku është shëndetësia falas?

Aktori Mehdi Malkaj nga protesta tha se kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet që i ka dhënë popullit kur ka marrë mandatin.

Mehdi Malkaj: E keni vënë re që kryeministri thotë unë do ta çoj deri në fund se unë kam një kontratë?  Në kontratën që kemi bërë bashkë, ai ka thënë mjekësia falas, ku është? Arsimi model ku është? Pensionistët që do gëzonin ku janë? Ku e gjen ai të drejtën t na thotë se çfarë do të bëjmë? Të vijë këtu dhe t’ia tregojmë kush është. Ne jemi populli shqiptar trim. Ne kemi vrarë frikën.

Ora 20:23
Aktivisti Arbër Lleshi: Nuk ikim derisa Rama të japë dorëheqjen, infrastrukturë nuk ka, por 4 milionë euro shkojnë për koncert

Aktivisti Arbër Lleshi në fjalën e tij para Kryeministrisë tha se protesta ka arritur shumë, por ka ende për të bërë. Ai tha se do të vijohet deri në dorëheqjen e Ramës pasi ai nuk është më kryeministër i shqiptarëve.

“Vetëm në 2 javët e para PE e bëri të qartë se ligji që masakron zonat e mbrojtura duhet anuluar. Kemi akoma shumë për të bërë, na duhet të jemi këtu deri në dorëheqjen përfundimtare të qeverisë më të korruptuar që ka parë Shqipëria ndonjëherë. Bashkimi i shqiptarëve kundër dipolit politik është më i fortë se kurrë dhe po iu kujtojmë sa padrejtësi është bërë ndaj nesh.

Ne jemi rritur mes gëzhojash. Mos harrojmë Gërdecin, 21 janarin dhe aferat korruptive. Infrastruktura është lënë përgjysmë, në fshatin tim rruga nuk bëhet prej 40 vitesh, ndërkohë 4.2 milionë euro shkojnë për një fashist.

Rama nëse nuk ka pasur dijeni për vjedhjet duhet të largohet për paaftësi, në të kundërt të largohet, por në të dyja rastet nuk është më kryeministri ynë. Ministrat dhe deputetët nuk përgjigjen, Parlamenti është bllokuar me hekura si burg. Njerëzit duhet të futen dhe të takojnë deputetët”, tha ai.

Ora 20:12
Protestuesi: Ky sistem nuk na përfaqëson, Rama të japë dorëheqjen! Intelektualët të vijnë këtu, nuk mjafton mbështetja me shkrim

Një protestues bëri thirrje nga bulevardi për të vijuar protestën deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndër të tjera ai i bëri thirrje intelektualëve t’i bashkohen protestës për të diskutuar mbi krijimin e një shoqërie të re.

“Jam i gatshëm të rri dhe për 420 të tjera derisa sa kjo klasë politike të shporret. Ky sistem nuk na përfaqëson ne, shqiptarët e ndershëm që për 42 ditë po i tregojnë vetës e botës që nuk pajtohen me të keqen. Pajtohem me 5 kërkesat themelore e mbi të gjitha me atë për dorëheqjen e kryeministrit. Ju që nuk keni ardhur akoma në protestë, mos e shisni lirinë për një thes miell ose për një përfitim financiar nga shteti. Kjo lëvizje ka nevojë për intelektualë, mbështetje juaj me shkrim është e vyer por nuk mjafton. Egoja juaj nuk duhet të bëhet pengesë për bashkimin tonë. Jemi evropianë dhe kemi nevojë për ndihmën e aleatëve, por jemi ne ato që duhet të përpiqemi më shumë për të drejtat tona. Mos e lëshoni frontin, rezistoni dhe duroni. Mos u dorëzoni në këtë betejë”, tha një protestues.