Rama: Porti i Durrësit si investimi më i madh i huaj në rajon, një portë e bukur e Mesdheut turistik dhe ‘esatët’ që ia marrin frymën vendit që prej 1912

Që të jemi që në krye të herës të qartë se për çfarë do flasim sot! Një port si në Mesjetë ku tregtohet krom ne zemër të qytetit, ku lulëzojnë sipërfaqet e ndryshkut dhe ku kalben mjetet e vdekura lundruese, ku shtrihen mijëra metra katrorë ferra dhe ndryshqe dhe qytet turistik”. Kur dëgjon ju dhe shikon këto pamje e kupton se pse jeni të shqetësuar. Ju jeni fiks si këto.

Një port ku vinçat e kohës heroike të Adem Rekës e kanë kaluar me kohë edhe moshën e pensionit, ky port është një skandal mjedisor. Një gërhitje teknologjike, një plagë urbane nga e cila rrjedh pisllëk prej dekadash mu në qendrën e gravitetit të portit më të madh të Shqipërisë, të Durrësit.

Kjo zonë e mbetur kancerogjene është ndërfaqja e sotme e asaj zonës së deridjeshme kancerogjene të qytetit të dytë më të madh të vendit tonë, atij ‘’malit’’ më të madh me plehra dhe me derra tanimë të zhdukur në Porto Romano dhe njësoj si ai mal plehrash edhe kjo platforma e zezë e ndotjes dhe e ndryshqeve që s’ka asnjë lidhje me shekullin XXI, s’ka asnjë lidhje me Europën dhe me standardet e saj, s’ka asnjë lidhej me turizmin dhe me vizionin e Shqipërisë 2030, duhet dhe do të zhduket nga faqja e dheut përgjithmonë. Nga zhdukja e malit të plehrave në Porto-Romano, sot Durrësi ka fituar një ekopark fantastik. Po nga zhdukja e kësaj platforme të zezë ndotjeje dhe ndryshku, çfarë duhet të fitojë Durrësi?

E tamam këtu zë fill dhe arsyetimi që ne na ka sjellë në këtë ditë ku personalisht jo vetëm si kryeministër, por edhe si deputet i Durrësit me shumë padurim edhe me gëzim do të thoja, po numëroj orët deri sa të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në historinë e vendit tonë. Ky investim do ta kthejë portin e vjetër të Durrësit nga një platformë të zezë, si surrati i të gjithë atyre që e përndjekin Shqipërinë qysh prej 1912-s, në një prej porteve më të mëdha turistike të Mesdheut, në mos më i madhi po të llogarisim kapacitetet akomoduese për jahtet e mëdha dhe jo thjesht numrin e vend-ankorimeve.

Kjo është edhe dita për tua dhënë disa përgjigje zëdhënëseve të rinj të një mallkimi, të një lloj poshtërisë të vjetër që e përndjek si hije këtë vend qysh prej 1912, e cila mund të përmblidhet me shprehjen e lëshuar mbi fytyrën e një patrioti si Abdyl Ypi të nesërmen e shpalljes së Pavarësisë nga një gjysmë-anadollak dhe nga një gjysmë levantin, “s’kanë fare entuziazëm për Shqipërinë, me duket si një lodër”.

Më duket si një lodër, lodër është. Ka 110 vjet që lodër është e shkreta Shqipëri për anadollakët dhe për levantinët që ndryshojnë kohë, emër, fytyrë, por janë shëmbëlltyra e të njëjtës hije të atij mallkimi të vjetër. Një lodhje që siç thoshte Konica, është njësoj si punët tuaja të brendshme, e ngatërruar, shtrembër, e ndryrë.

Po na marrin portin, portin antik, portin më të madh në vend, për ta falur tokën tek një kompani pa emër me partnerë të regjistruar në parajsa fiskale, e cila do të hedhë jo 2 miliardë, por vetëm 80 milionë, dhe për herë të parë është regjistruar në QKB me vetëm 100 mijë lekë kapital, është kompania e vëllezërve Rama me vëllezërit Karriç, të cilët së bashku me Lulzim Bravën, pastrojnë nëpërmjet Mohamed Alabbar paratë e Lukashenkos dhe të Alexandër Vuçiçit.

“Po e shohim”, - shkruan tamam për këtë Mit’hat Frashëri në 1914-ën, “se duke heshtur s’u bëka punë, thamë që të mos qortojmë njeri, të mos flasim për njeri hidhur dhe me zemërim, na ka pëlqyer gjithnjë urtësia, të mos ashpërsohen punët, të mos egërsohen mendimet, duam fjalë pak të urta dhe punë shumë , por për fat të keq njeriut i vijnë ca gjëra në kokë që e shtrëngojnë të flasë, të mos pushojë më. Herë e parë që folëm ishte mbi punën e Esat Tiranës dhe të atyre vagabondëve që ishin mbledhur rreth tij si krimbat rreth kërmës, mirëpo sikur të mos na dilte hesapi, na doli tani një farë Dervishi , sikur s’na ishim mjaft tradhtitë dhe ligësitë e Esatit me shokë, ja dhe Dervishi na doli këlyshi i tij”.

Tani hajde ma thoni mua, a s’është e vërtetë që Esati dhe ky këlyshi Dervishi janë gjallë mes nesh duke lodruar me Shqipërinë bashkë me vagabondët e 1914-s?

Bashkë, bashkë, gjithmonë bashkë me lodrën Shqipëri në duar dhe poshtërsinë e vjetër në gjak, duke pleksur çdo ide, çdo projekt, çdo punë për Shqipërinë me punët e tyre të brendshme të ngatërruara, të shtrembëta dhe të ndyra.

Tre vite e kusur ecejake nga lutjet tek Princi i Kurorës për të investuar edhe në Shqipëri dhe jo vetëm në rajon dhe kudo nëpër botë. Biseda të panumërta, bindëse informuese, pa u lodhur për Shqipërinë me Mohamed Alabbar për t’ia hyrë punës në vendin tonë që është ende i penguar nga perçja e paragjykimeve të vjetra, pastaj takimet e komitetit të përbashkët ndërqeveritar me Emiratet e Bashkuara, puna e gjithanshme e një batalioni me njerëz për formatin e bashkëpunimit, konceptimin, dizenjimin e një porti spektakolar për Mesdheun. Negociata të stërzgjata ku siç tregojnë protokollet e bisedimeve, në fund janë pranuar vetëm 5 nga 33 kërkesat fillestare të investitorit, i cili na ballafaqonte pa pushim me kontrata të ngjashme në vende të tjera dhe ne këmbëngulnim pa pushim për atë që donim deri në fund dhe deri tek marrëveshja për investimin më të madh të huaj edhe në historinë e rajonit tonë, i cili sipas fazave të zhvillimit për ju që flisni për njerëzit rreth këtij investimi, do të  impaktojë GDP e vendit 1.2% deri 1.8 % çdo vit, Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë që, në një 10 vjeçar operimi, do të jetë një motor ekonomik, me një kontribut 8 miliardë euro me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, ndërkohë që do të ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, vlerën e të gjitha hoteleve në bregdetin e Durrësit, do të ngrejë peshë përfundimisht edhe atë perçe paragjykimesh që ju nuk lini dy gurë bashkë për t’ia mbajtur lidhur pas fytyrës Shqipërisë.

Urdhëro, ngrihen me tam-tame tërë mufo gagaçopulot e këtij vatani, gagaçopullot. “O burrani, shkruan dielli për ju, dielli. Le t’i fryjmë zjarrit, o burrani. Fryjini zjarrit, sillni vajgur. Hajde burrani, do kemi dimër të  ashpër dhe po t’i vëmë zjarrin vendit, do ngrohemi”.

Për herë të parë, në një kontratë publike të këtij shteti, është garantuar imuniteti i pronës publike nga çdo lloj mundësie hipotetike cenimi nga vendime gjykatash vendase dhe të huaja. Gjithashtu, kontrata parashikon se në rast moszbatimi të parashikimeve të saj nga investitori, shkon deri në marrjen e gjithçkaje që ai ka zhvilluar deri në atë moment me zero pagesë nga shteti, si dhe nuk ka asnjë kolateral të pronës shtet për financimin e projektit, gjë që sipas investitorit, është hera e parë që nuk lejohet.

Këto janë vetëm disa nga detajet e panumërta të një kontrate për të cilën jemi shumë krenarë që ia sjellim për votim këtij Kuvendi. Me siguri, do kemi rast dhe do kemi kohë,  fatmirësisht pa limit, që t‘i përballim “dokrrat e hinit” siç i ka quajtur Gjergj Fishta prodhimet e zjarrit të akuzave dhe shpifjeve, të cilat ju është fryrë me një tërbim të veçantë në rastin e projektit për Portin e ri Turistik të Durrësit.

Dikur, në kohën kur në Shqipëri sapo kishte të qeveriste “Napoleoni i gjirizeve”, zbriti në Durrës një farë Piter Mang, sipërmarrës i sërës së lartë nga Kanadaja. Ai ia kishte vënë syrin portit të Durrësit me një vizion të qartë për ta kthyer në një portë të re joshëse për Mesdheun, pranë Amfiteatrit më të madh që romakët ndërtuan jashtë Romës, njeriu i duhur, në kohën e në vendin e duhur, por që ra mes minjve të gjirizit napolonik të kohës, të cilët i kërkuan ta kërcejë Napoleonin me shaminë e ndarë përgjysmë; “Gjys për ty e gjys për ne, plako, se ka zot Shqipëria”.

Ishte diku viti 2006. Iku me të katërta sipërmarrësi vizionar, pasi erdhi vërdallë gjirizeve nja tre herë. E mbajti frymën në Malin e Zi, ku i dhanë gjithë çfarë kërkoi, ndërsa ai u dha mbrapsht investimin që ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj, destinacionin e famshëm turistik me emrin “Porto Montenegro”.

Merreni e shikojeni ecurinë e bilancit të pagesave të Malit të Zi dhe studiojeni kurbën e tyre dhe aty do të vini re se, aspak çuditërisht, një rritje të ndjeshme e rrogave në të gjithë Malin e Zi, në sektorin privat dhe publik.

Hapini sytë.

Çfarë sy të hapni ju, nuk ju lë mallkimi që keni mision. Rritje e ndjeshme dhe e qëndrueshme përkon pikërisht me periudhën kur mori jetë investimi i kanadezit që u përzu nga Shqipëria. Ai investim ishte, sidoqoftë, thuajse 10 herë më i vogël në vlerë, sesa investimi që do të miratojmë ne sot këtu për Durrësin, të cilin po të mos e kishin trajtuar atëherë, si lodër në duart e tyre të pista, zëdhënësit e sotëm të hijes së mallkimit që përndjek Shqipërinë, do të kishin prej vitesh atje, portin e tij turistik dhe shqiptarët, që nga durrsakët, por edhe të gjithë të tjerët, do të kishin prej kohësh të mirat dhe të ardhurat e mëdha që ai port do t’i kishte sjellë vendit tonë, jo Malit të Zi.

Edhe bilanci i pagesave të Republikës së Shqipërisë do të ishte influencuar sot për mirë nga ai investim por më mirë vonë se kurrë, thotë populli, dhe ja, me të vërtetë vonë, por ama do të kemi një investim dhe një vepër shumë më të konsiderueshme në masë dhe me impakt ekonomik sesa Porto Montenegro.

Ju mua më dini si veten dhe nuk ju vë faj. Edhe pse e kam shumë të vështirë të gjej paqen, unë nuk ju vë faj, nuk keni si ta dini dhe as nuk kuptoni dot sesi njeriu mund të jetë krejt ndryshe nga ju që jeni mëkuar me ujin e zi të punëve të brendshme, të ngatërruara, të shtrembra dhe të ndyra napoleonike të gjirizeve dhe jeni mësuar të vini vërdallë si gomaricat e Zullullandit të Faik beut, që i ndrittë shpirti nga aty prej ku na sheh sot. “Këmbë e bufit prapë është thyer dhe kukuvajka ka lëngjyer, e sesi luftoni për darën ju, o trima, që kur shkulni gozhdën, iu mbetet vrima? A do qumësht, a do dhallë, gomaricat vijnë vërdallë, bandi, damdi, kandi, randi, rroftë e qoftë Salillandi”.

Po i tërë soji dhe sorollopi i gomaricave të këtij katundi politik dhe mediatik, të mblidhet e të hidhet përpjetë, nuk ka shans që t’ia vrasë përsëri Durrësit dhe Shqipërisë shansin historik të këtij investimi transformues në çdo aspekt, se që të mos ta harrojë askush dhe këtë, ky projekt, jo vetëm e ka marrë vulën e pëlqimit të komunitetit durrsak me votën e tyre, në zgjedhjet që na kanë sjellë ne, në këtë sallë në shumicë dhe ju në atë që mufo gagaçopullo thotë se mu mu mund të quhet, në shqip “Lidhja e të poshtërve”, në italisht “La cooperativa dei mascalzoni”, në anglisht “Scounders Union”.

Koha e futjes në valën e gjirizit të korrupsionit të investitorëve të huaj dhe imponimit të ndarjes gjysmë për gjysmë “të shamisë së Napoleonit”, nga “çuni i Napoleonit”, pasi katandisen në kërcimtarë nga belaja, ka vdekur dhe ka vdekur bashkë me atë pushtetin e “mos o zotshëm” që e tmerroi dhe e sikterisi Piter Mangun dhe që kurrë, kurrë ju nuk keni për ta kthyer dot në këtë vend.

Le të vazhdojë dhe të përbetohet sa të dojë “Napoleoni i gjirizeve” të këtij vendi, me atë sokëllimën që ia pat vrarë veshin qysh atëherë Faik Beut “Jam mëmëdhetar, kam vdekur disa herë dhe do të vdes përsëri për mëmëdhe”.

Le ta përsërisë sa të dojë, bashkë me këlyshin e tij Dervishin atë kërcënimin 100 e kusur vjeçar, që në këtë shekullin tonë e lëshojnë si jargë nëpër kanale dhe portale digjitale. Një të treguar unë dhëmbët dhe të gjithë do të ikin me vrap, le ta hapin sa të duan gojën katran për të folur për punën tonë si mynxyra dhe për ne si njerëz të shitur dhe vagabondë, duke bërtitur përditë, që nga 1912 siç na e tregon dhe Faik Beu “O tradhëtorë, o tradhëtorë”.

Unë i jam zotuar durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve se ne do hapim 4 porta nga qielli dhe 4 nga deti, për ta kthyer Shqipërinë e 2030-s, nga një vend ku deri para disa  vitesh turizmi mbahej vetëm me frymën patriotike të Kosovës motër, në një vend kampion të Ballkanit në turizëm dhe e ka marrë rrugën edhe për këtë zotim. Porta kryesore natyrale nga deti për ta ngjitur Shqipërinë në atë në atë majë është Durrësi, ndërsa vendi natyral për ta hapur atë portë është zemra e Durrësit  ku s’mund të vazhdojë të tregtohet krom në natyrë dhe as të ngarkojnë, shkarkojnë anijet e mallrave apo të pozojnë përballë turistëve si gjirafat e ndonjë filmi post apokaliptik vinçat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Prandaj pikërisht aty duhet dhe pikërisht aty do të transplantohet edhe një zemër e re për Durrësin turistik, ku do përdoren vetëm gjysma e 800 mijë metrave katrorë në dispozicion ndërkohë që gjysma tjetër, ajo që patë do të jetë hapësirë publike e transformuar rrënjësisht përfshirë dhe 700 metra plazh që sot as nuk ekziston fare. Sot 17 % e territorit ku do të marrë jetë porti i ri turistik është tokë e ndotur, e pashfrytëzuar, e pashfrytëzueshme, njësoj si ajo partia me vulën e humbur që i ngjan asaj vrimës që ju ka mbetur në dorë mbasi ju doli gozhda, ashtu sikundër dhe zona e afërt ujore ku do të ndërtohet plazhi i ri ka një ndotje të frikshme të shtresëzuar me vite njësoj si gjithë lukunia juaj, shtresë vit pas viti në kohë nga jashtëqitjet e portit të ardhur në shekullin e ri si një zonë arkeologjike e ndryshkeve komuniste.

 

Të dyja këto pjesë do të kthehen në një hapësirë shembullore, si kudo ku ne vëmë dorë, shembullore, europiane si kudo ku ne vëmë dorën. Ka mufo e mufo mes këtyre dhe atyre, ka lloj-lloj mufosh.  Gagaçopullët janë fis i madh. Kanë hedhur dokrra në një vorbull maskaragjozllëqesh të thëna e të shkuara për këtë aferë të madhe, se e keni vënë re çdo punë që ne nisëm këta e pagëzojnë si aferë të madhe. Fisi Gagaçopulli! Njëri nga mufët me buzët që i janë holluar brisk nga urrejtja gërryese e 110 vjetëve dhe me sytë e zbardhur nga një helm i pakurueshëm në gjak i cili e bën të shohë zgurdullimthi në çdo shpresë të re nga një afere të madhe, një shpresë për përmbysjen me dhunë të regjimit. Lebetitej një ditë sesi mund të hiqet që aty porti më i madh i vendit, epo pikërisht dhe për këtë hiqet që aty sepse është porti më i madh i vendit dhe s’mund të rrijë në zemrën e një qyteti turistik ku jo vetëm ndot ajrin, ku jo vetëm shkatërron akustikën, ku jo vetëm degradon panoramën e qytetit mikpritës, por tek panorama unë nuk pres mirëkuptimin e fisit Gagaçopulli po ku dhe s’ka asnjë mundësi zgjerimi, prandaj do të ikë që aty për t’ju përshtatur pikërisht kohëve të sotme. Dhe për t’ju përshtatur pikërisht ambicies së Shqipërisë të shekullin XXI si një vend i pozicionuar strategjikisht, jo vetëm për turizëm, por edhe për të qenë porta më e rëndësishme hyrëse nga deti në ekonominë e krejt Ballkanit Perëndimor. Më atë palavi atje do bëhet Shqipëria porta hyrëse komerciale nga deti e Ballkanit Perëndimor? Por kjo s’është një gjë që e themi sot, unë e kam thënë këtë prej vitesh. I vetmi ndryshim sot është se tërë mëmëdhetarët pa atdhe që vijnë prej një shekulli vërdallë si gomaricat e Faikut për qumësht a për dhallë, janë përndezur tani në sulm frontal se tani e shikojnë që ne e kemi me gjithë mend, tani e shikojnë që do të bëhen të dyja, edhe ai turistik edhe ai komerciali, doni apo s’doni ju që s’doni dhe kurrë mos daçi se nuk na duhet fare se çfarë doni.

Por megjithatë duhet ta them, nuk po flas unë, po flasin ca të tjerë. Unë thjesht po lexoj, ata që ju kanë njohur më parë kur as ju nuk e dinit që ishit gjallë. Keni qenë atje pas shpinës së qeverisë së parë  dhe të re të në 1912 dhe kjo është fatkeqësia juaj se ju nuk e dini, jeni në mision. Unë nuk po them fjalët e mia, janë gomaricat e Faik beut, ai ju ka parë dhe ju ka quajtur gomarica jo unë. Unë thjesht po ua u sjell këtu për ta parë. Dhe nuk i dëgjova mufot madje as këtë mufon që sapo përmenda, i cili aty nga vitet ’30 spërdridhte buzët e holla te kafe Kusali duke përqeshur projektin e bulevardit apo duke ironizuar atë parkun nën kuotë tek kompleksi i ministrive që të hapnin gojën ku u paraqit jo një herë, por më shumë se një herë porti i ri tregtar në Porto Romano, publikisht, madje edhe në Prishtinë në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës. Një projekt i qëndisur nga mjeshtrat e njërës prej kompanive më të mëdha prestigjioze ndërkombëtare, holandezja Royal Haskoning me të cilin kemi hapur me këtë projekt jo vetëm një dritare nga ku mund të shihet një e ardhmen e ndritur për Shqipërinë dhe për Kosovën si partnere në këtë vepër madhështore për ekonominë e së ardhmes, por dhe një kanal bashkëpunimi me NATO-n që ka shprehur interes të lartë dhe me të cilin po diskutojmë për përfshirjen në financimin e seksionit ushtarak të portit të ri. Po kur thonë ‘do na lënë Shqipërinë pa port tradhtarët’. Kujtoni se e thonë sot? E kanë thënë gjithmonë dhe çka kanë vërejtur ata të cilët kanë mbajtur shënim për ta, është se për portet ankohen më shumë ata që s’dinë not, nuk e them unë. Mërziten, thonë ç’është kjo gjuhë. Kjo është gjuha e mësuesve të mi dhe sot kam ardhur t’ju fals përmes tyre, unë thjesht lexoj. Ata ju kanë njohur, ata ju kanë parë , ata ua dinë mirë kokën dhe shpirtin. Po si mor do e lënë pa port si? Si do e lënë pa port kur e para, është e shkruar, puna nis me fazën e parë që është jashtë portit. Aty ku vetëm sot ka vetëm plehra, ferra dhe do hapet një plazh i ri dhe do të behet blloku i parë. Si dolëm pa port kur kontrata është e qartë se të gjitha spostimet nga porti i vjetër nga aktivitetet tregtare që janë aty të koncesionuara më parë, më parë nga qeveria e Napoleonit të gjirizeve do të vazhdojnë të pandërprera deri kur të jetë gati porti i ri. Janë të shkruara në marrëveshje, i dinë dhe këta. I dinë, por tani ndryshon puna se tani iu duket të tërëve me mufo e me çufo deri tek Napoleoni i gjirizeve, dervishi i spiunëve që lodra Shqipërinë për të cilën po japin dhe po marrin si të marrë që ta ri lyejnë me vajguri, po ju largohet, po ikën larg. Fryjini zjarrit, sillni vajgur sepse siç e thonë kudo mes veti, “po e bëri dhe këtë Rama, iku Durrësi, se marrim më kurrë, ta shikojmë me dylbi”. Levantinët s’janë një grusht qesharakë, por janë turmë që vete duke u shtuar na mëson Faik beu. A nuk e shohim dhe ne përditë e përditë sesa të drejtë ka ai kur na thotë sa më tepër të shtohet numri i tyre, aq më tepër përhapet ideali i një shoqërie për cipë dhe pakësohet ideali i një shoqërie për rrënjë që kur i sheh dhe i dëgjon të turren me gurë e me baltë për të mbrojtur mëmëdheun nga ty deri dhe ta të dy, njëri i sapodalë nga gjirizat përsëri dhe tjetri i sapo zbuluar mes spiunëve dhe thua me vete: o Zot po si ka mundësi. Habitet njeriu vetë me vete por dielli i imzot Nolit i njohtë dhe i dinte. Si i dinte dhe si i njihte, hajde ma thoni ju. Citoj, për këta të dy, citoj, nuk janë fjalët e mia. “Këta njerëz kanë mbajtur kurdoherë rekordin në Shqipëri për vrasje dhe për grabitje. Gjetkë, fjala vjen në Amerikë, do t’i kishin shpënë që me kohë në fron elektrik dhe në Shqipërinë të Re, jo vetëm nderohen por shesin edhe patriotizmë duke kujtuar se me të thirrur “rroftë mëmëdheu’’ do të shpëlahen nga gjaku dhe nga hajdutësitë”. I dinte, pra i dinte dhe i njihte që ç’ke me të dielli i paraluftës së këta ishin, këta janë të njëjtët, po janë ata pra dhe më vjen keq që shumëkush mendon se unë këtë e them si metaforë, më besoni, është shkencërisht e provueshme, janë të njëjtët që mu si pykë i rrinë Shqipërisë mes saj dhe të ardhmes, aty rrinë që nga viti 1912-të, katran me bojë në çdo Shqipëri të Re.

E vutë re? Edhe dielli thotë “ në Shqipëri të re”, kohë kur njeriu normal me të drejtë ligjore thotë: “epo, sa herë vjen një kohë e tillë, nuk do të shpëlahen më nga gjaku dhe nga hajdutësitë”. Mirëpo ata vazhdojnë, dalin nga dheu dhe thërrasin “rroftë mëmëdheu, poshtë tradhëtorët”.

Me foltore, pa foltore, këto janë detaje të vogla dhe urdhëroni tani: ne tradhëtorët po u falkemi sot një copë nga mëmëdheu, nga mëmëdheu i këtyre që sipas llogarive të mëmëdhetarëve na qenka 600 a 700 milionë, se shifrat që i lyejnë me vajgurin e gjuhës së urrejtjes së tyre janë lloj-lloj, e keni parasysh, në këmbim të një investimi që na qenka 80 apo 120 meleonë, “sepse kështu thonë letrat”, këmbëngulin mufot dhe çufot. Në të vërtetë ne s’po falim asgjë, asnjë metër tokë, por po japim të drejta zhvillimi mbi një pronë shtetërore, ku pikërisht pse shteti është pronar, shteti për herë të parë është edhe ortak me një investitor të huaj i cili nga ana e tij nuk do të investojë as 80 as 120, po 2.1 miliardë të paktën, të paktën! Por mëmëdhetarët që vijnë prej të shkuarës, të ngarkuar me atë misionin e asaj poshtërsisë së vjetër, ortakut –shtet ia numërojnë tërë vlerën e pronës ndërsa investitorit ia zënë veç, vetëm likuiditetin që ai deklaron si financim, i gatshëm për fazën e parë dhe duke qenë se turpin, këta të paudhë e kanë ngrënë me bukën e pavarësisë, plot 110 vjet më parë, i çajnë daullet e veshit miletit që dhe taksat na qenka falur të tëra.

Po jo more, asgjë nuk është falur, janë plot 1.069 miliardë euro që shteti shqiptar do të përfitojë nga TVSH-ja, nga tatim-fitimi dhe nga kontribute të tjera.

Ndërsa taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk falet, por është kontribut i ortakut-shtet i cili zotëron 33 % të aksioneve, dhe ky 33 % nuk ndryshon në asnjë moment ndërkohë që ky ortaku-shtet i futur në këtë investim nga ne tradhëtorët, për të qenë i pranishëm aty në emër të të gjithë taksapaguesve shqiptarë, ka VETO për të miratuar buxhetin në dispozicion të këtij projekti si dhe të borxhit dhe të çdo vendimmarrje me rëndësi. Kur ka ndodhur ndonjëherë? Kur? Që shteti shqiptar të hyjë në investim si ortak dinjitoz, me aksionet e veta, apo ka ndodhur kur Shqipëria iu ofruar investitorëve me 1 euro, njëckë, njëckë nga ‘’Napoleoni i gjirizave” dhe Piter Mangut i kërkohej gjysmë për gjysmë me “gjirizin napoleonik”, ndarja e shamisë së kërcimit nga belaja në këmbim të marrjes vetëm për 1 euro, vetëm 1 euro të tërë zonës.“Jeni ortakë”, thonë, - “në një kompani offshore”, mufot dhe çufot, ku nuk mungojnë dhe gjelat e detit sepse janë një prurje e re demokratike.

Ndërkohë që kompania “Eagle Hills” është e regjistruar në Abu Dhabi, me përfitues fundor të ditur, të bërë publik në komisionet e Kuvendit, madje dhe garantët konfidencialë që më thanë se kishin rrjedhur diku në kanalet dixhitale, janë në Abu Dhabi.

“Po nuk është Emaari”, thonë, “prandaj ky është mashtrim”. Duke mos pasur asnjë lloj cipe që këtu nuk më akuzojnë mua, nuk na akuzojnë ne, se mirë dakord, mua më dinë si veten e tyre, llupës të pangopur trojesh, ujërash dhe gjelash deti, po akuzojnë për mashtrim një personalitet të ekonomisë globale, themeluesin dhe drejtuesin e “Emaar Group”, i cili është në të drejtën dhe në lirinë e tij të vijë në Shqipëri me një kompani fringo të re, ta quajë ‘’Eagle Hills Albania’’ njësoj siç ka shkuar në Serbi, me ‘’Eagle Hills Serbia’’, njësoj siç ka shkuar në vende të tjera me Eagle Hills vendi tjetër e tjetër, ama boll që në ballë dhe në shpinë të këtij operacioni masiv të jetë ai, Mohamed Alabbar, një investitor, një sipërmarrës dhe ndërtues i mirënjohur dhe i respektuar botërisht, Allahu i tij e di se ç’taksirat kishte që të përfundonte në dhëmbët e Esatit dhe kulishit të tij, Dervishit së bashku me vagabondët e 1914-s!

Çfarë mendje duhet të kesh për të ngritur akuza të tilla për një personalitet të ekonomisë globale i cili kur i thonë llafit, duhet pritur me lule këtu, pa dallime partiake fare sepse do të japë një kontribut historik për ekonominë e vendit dhe do të hapë rrugën më të gjerë të punësimit në historinë e këtij vendi nga një investim i vetëm, 12 mijë vende pune dhe të mirë paguara.

 

Ja u them çfarë mendje duhet të kesh. Duhet të kesh mendje hajduti, duhet të jesh vetëm me një mendje hajduti si e atyre që jepnin copat e vendit me 1 euro dhe nën dorë kërkonin gjysmën e “shamisë të kërcimit nga belaja”, apo si të atyre që nuk e kanë tregtuar për hir të së vërtetës ndonjëherë ndonjë copë Shqipërie hajdutëshe, po jo se s’kanë dashur po se s’kanë patur gjë në dorë. Po që po t’ju bjeri në dorë, kur e dëgjon, e kupton që do e shqyejnë “shaminë” fare, e shqyejnë. Vetëm një mendje e tillë mund të prodhojë akuza llum, zi, që të marrë ujërat e të shkojë deri në Dubai.

“S’kemi gjë me atë burrin”, thonë, “ç’punë kemi ne me Mohamed Alabbar? Ne e kemi me Edi Ramën, hajdutin, kriminelin, mafiozin Edi Rama që na vjedh zgjedhjet me paratë e krimit dhe të korrupsionit prandaj këtu s’duhet të ketë asnjë investim, këtu duhen ndaluar PPP-të, këtu duhen ndaluar të gjithë tenderat, këtu duhen ndaluar edhe investitorët e huaj” dhe mos o Zot, mos o Zot tani, na vjen ky burri I Portit të Durrësit që të fillojë punë në Shqipëri.

Prandaj Lumo Skëndua s’e kishte gabim as atëherë, se ka gabim as sot, se na e shpjegon: “zilia dhe egoizma janë dy sëmundje të mëdha dhe fort të dëmshme dhe të rrezikshme të racës sonë, dy sëmundje që burojnë ngaqë nuk kemi jetë politike dhe jetë patriotike , nuk kemi gjykim të shëndoshë dhe të vërtetë për interesat tona, interesa lëndore ose morale. Kjo zili dhe ky egoizëm na shtyn të themi, pse të jetë ay aty dhe të mos jem unë?  Këto sëmundje na bëjnë të themi, po të jetë asekushi që dua unë i madh mirë, ndryshe më mirë të mos ketë fare Shqipëri!” Histori bajraqesh domethënë dhe të sëmurësh për mendtë e kokës, ndërsa unë ça të them unë?

Këtu që nga 1912 është përmbysur themeli i civilizimit tonë, e drejta romake, e drejta romake thotë se barra për të provuar akuzën, i takon akuzuesit dhe jo të akuzuarit. E çuan komunistët përmbysjen e të drejtës romake deri në skajet e ferrit, ku të ngjeshin akuzën bashkë me disa dëshmitarë të rremë, të kërdisin në dru dhe pështyma dhe thonin “Hajde dhe provoje tani që nuk e ke tradhtuar popullin dhe Partinë”, pastaj u ngritën dhe këmbët dhe t’i bien kokës, siç thoshte Çeço Musaraj, e si përfundim, deti u bë kos dhe kosi u bë dhallë, bashkë me kokën e shqiptarit që i bërtasin hajdutët “Çohu, ngrihu, eja bashkohu të kapim hajdutët. Çohu shkuma party, fut e bjer, po vidheni përditë, po ju vjedhin miliarda këtu, miliarda atje, miliarda që nuk mbarojnë, vidhen përditë miliardë, çohuni shqiptarë se tani ka dhe rubla. Rubla, rubla, hajde shqiptarë ngrihu çohu, çohu se dhalla do bëhet prapë kos”.

Ajo e shkretë e drejtë romake presupozon se akuzuesi është njeri me një minimum edukate morale, minimum respekti për detyrimin ndaj prindërve, të paktën, që ju kanë rritur kur keni qenë të vegjël para se t’iu rrëmbente hija që e përndjek Shqipërinë që nga 1912, apo ndaj fëmijëve që rrisni, një minimum cipe, cipë mbi fytyrën që perëndia jua ka dhuruar bujarisht, duke ju dalluar me zemërgjerësi nga kafshët dhe vetëdije në drejtimin e gjuhës së njeriut, e cila, gjuha e njeriut ndryshon nga llapa e kafshës, pikërisht sepse përveç funksioneve të përbashkëta që kanë, e bekuara gjuhë ka dhe atë funksionin më të përveçëm, fjalën, fjalën që libri i shenjtë thotë është Zoti.

Por, ne dimë edhe tjetrën. “Edhe engjëlli edhe djalli flenë brenda tek i gjalli”. E juaja është hija e mallkimit të 1912, jua ka vënë engjëllin në gjumë të thellë dhe ju mban djallin zgjuar.

Këtu, falë atij mallkimi që na përndjek, e keni parasysh këmbën e atij kinezit të Ismail Kadaresë? Akuzat kanë marrë të drejtën absolute qytetare, madje, t’i thuash tjetrit hajdut, dhe ju sfidoj të më gjeni njëherë të vetme t’i jep drejtuar dikujt dhe i kam thënë “Ti je hajdut, kriminel, mafioz”. Quhet si një kulmim i lirisë së shprehjes dhe si një lloj trimërie, madje. Aq trimëri e madhe është t’i thuash tjetrit kriminel sa duhet të jesh gati të bësh dhe video të manipuluara, me dëshmitarë të manipuluar dhe të përballesh me gjykatat si të ishe një tribun i vegjëlisë.

Ndërkohë që, të jesh politikan do të thotë të jesh automatikisht i korruptuar, të jesh ministër do me thënë të jesh automatikisht shumë i korruptuar, të jesh kryeministër do të thotë të jesh automatikisht i krye korruptuar.

Tani dëgjojeni këtë: “Ismail Qemali është hajdut. Unë nuk dua gjë tjetër përveç shpëtimit të Shqipërisë, dhe pastaj do të tërhiqem”, thoshte pa u bërë ende qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, i njëjti shpirt i keq. Citoj “Mes karakteresh të liga dhe shumë sharlatanësh e gjelash deti u përzien me këto punë dhe çdo gjë mbeti në baltë se kur u nis nuk u mendua fundi”, dhe ja urdhëro sot e gjithë ditën vazhdon po ai shpirt i keq, vazhdon me të njëjtin avaz, çdokush tjetër në krye veç atij ka qenë dhe mbetet hajdut, që nga Ismail Qemali ndërsa ky bartës primar i poshtërsisë 110 vjeçare, kundër popullit të Shqipërisë nuk do asgjë, nuk do asgjë, përveç shpëtimit të Shqipërisë, shpëtimit të sovranitetit të saj, dinjitetit të saj dhe pastaj ai do të tërhiqet, me dinjitetin e rivendosur në vend për veten dhe natyrisht për Shqipërinë.

Nëse as unë, e as kjo qeveri nuk i vijmë, as tek thembra dot qeverisë së Vlorës, kush ka dyshime sot më thoni? Që sot, ne po përplasemi po me ata, që qysh ditën e parë menduan për vajgurin për t’i vënë flakën qeverisë së Vlorës, me po atë flamë, me njerëz të dalë nga të njëjtët gjirize, me zëvëndësa e eprorë Esatin dhe këlyshin e tij Dervishin që të rimishëruar në trupa dhe në surretër të tjerë, natyrisht, që mbajnë brenda të njëjtin shpirt të keq shtegtar, nga trupi në trup, nga gjenerata në gjeneratë, duan të shpëtojnë Shqipërinë gjithmonë nga kryeministra hajdutë.

Në i ardhtë Shqipërisë ndonjë e keqe, padyshim nga fjalët do t’i vije, në parlament, në zyra, në kafene, në mbledhje, tek miqtë nuk dëgjon veçse fjalë, ide gjithnjë e të dështuara, të bëra ujë në nxitim të daljes kurdoherë të përziera me inat, pasion, smirë dhe zili. Mbase thahen rrallë ose kurrë të thëna me qëllim të dëlirtë dhe kështu, fryma, jeta, rrojtja dhe mejtimi i popullit të tërë shkon në tym”.

Fjalë të thëna atëherë, të arta, kur nuk kishte internet, kur nuk kishte Facebook që ta kthente ujemin e neveritshëm të asokohe në kënetën oqeanike të llumit dhe të marazit të sotëm ku gëlojnë si mushkonja helmuese gjysmë të vërteta të panumërta, të cilat janë dhe gënjeshtrat më të mëdha e pastaj ashtu të fryra, nga helmi i poshtërsisë së vjetër, gënjeshtrat marrin dhenë dhe nëpër botë, pasi përtypen dhe ripërtypen mirë këtu një herë, siç ripërtypin lopët bathët, por ama me një qetësi kriminale që e bën lopën të duket si engjëll i rënë nga Cappella Sistina, para njeriut të së njëjtës gjuhë amtare, që i shpërndarë në mijëra e qindra kopje në parlament, në televizor, portal më portal, Facebook më Facebook, duke harmonizuar paturpësisht injorancën dhe ligësinë, bën publikisht hetuesin kompetent nga mëngjesi deri në darkë, sa miliarda vidhen çdo orë.

Këta tru të pazhvilluar, çiliminjsh pleq, - thotë Faik Beu, - nuk zmbrapsen nga asnjë anakronizëm kur marrëzitë e tyre botohen në gazeta shqip. Qarku i atyre që qeshin është i vogël, por këta ekspertë të çuditshëm gjejnë nga ndonjëherë rastin të flasin në vende ku zëri i tyre dëgjohet edhe më lart dhe atëherë mjerë Shqipëria që bëhet qesharake, pa asnjë faj fare dhe të tilla gjëra kanë ngjarë disa herë, ndërsa sot të tilla gjëra ngjasin përditë, bam e bum në çdo hap për çdo punë, “luftë për ca zuzarë që u lindën shqiptarë e armiq të Shqipërisë i fryjnë dritës së lirisë, nuk na lënë dhe ne të tjerët të dalim nga gjumi i errët por ç‘dëgjojnë venë e thonë dhe ç‘shohin e tradhëtojnë”.

Më shumë se 100 vjet më parë, fiks në 1915, pena e ndritur e një njeriu që në fakt, e djathta duhet ta kishte flamur, po të kishte të djathtë këtu, natyrisht, dhe po të mos ishte ajo që quhet e djathtë një çorbë rublash që përzihet çdo ditë nga një ish komunist dru me pre dhe një spiun i dru me preve të komunizmit. Ajo pendë e përshkruante Shqipërinë që mezi pret, qysh atëherë, e dini çfarë? Këtë që po bëjmë ne sot, pikërisht këtë, programin tonë për portat e hapura të detit, ku projekti i Durrësit është xhevahiri më i madh i kurorës.

Dëgjojeni atë që do ta kishit ju flamurin tuaj. Një gjë më ka habitur, mungesa e anijeve dhe e vaporëve. Kemi një bregdet të bukur nga Shkodra në Prevezë dhe s’kemi asnjë detar, veç ca ulqinakë të vendosur në Shkodër dhe himarjotët, Dalmacia dhe Greqia, a nuk na bëhen vallë shembuj me mijëra anijet dhe vaporët e tyre? E pra, Shqipëria 2030 do t’i ketë. Do t’i ketë ato që pret qysh prej 1912-ës. Sepse do të ketë të paktën 4 porte turistike të klasit të parë. Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin. I vetmi që nuk është në fazë të avancuar është Shëngjini. Vlora është në ndërtim. Saranda është në ndërtim. Si dhe do të ketë dhe dy porte moderne tregtare! Jo ky antiku juaj. Njëri në Vlorë është në ndërtim dhe tjetri atje në Porto Romano me rreze rajonale dhe me dy degëzime portesh të thata, një në Prishtinë dhe një ne Strugë, po ua përsëris të konceptuar dhe të projektuar nga Royal Haskoning, jo nga studioja Gjirizi B, as punët e brendshme të ngatërruara, të shtrembra dhe të ndyra të atyre që i kanë sjellë në skenën e historisë, fatkeqësi të përbashkëta, nevoja e hijes së mallkimit që e përndjek këtë vend dhe as gojët që bëjnë të njëjtën punë ne nuk na pengojnë dot. Këtë duhet ta dëgjoni me vëmendje. Nuk keni asnjë shans të na pengoni dot. Natyrisht për tërë të zezat që gojët kanë nxjerrë me furi ndaj meje, unë çfarë të them? Ju kam lënë Zotin. Ju kam lënë Zotin sepse mendoj që vetëm ai mund të zgjidhë ta pazgjidhshmen në këtë rast, por sot po ju lë ju të paudhëve që hoqët gozhdën dhe ju mbeti vrima, edhe Faik Beun. Faik Beu  kasneci i së vërtetave të mëdha të shqipove që të gjithëve në fakt na ka dalë borxhit me qindra herë, por që jo të gjithë kanë dashur ta dëgjojnë. Dhe kush se ka dëgjuar është katandisur fiks si fytyrat që unë shoh po të kthej kokën djathtas.

“Ndër turinjtë me të dendur të Shqipërisë duhet vënë re ai që është gati të vdesë për kombin.

Unë - Kur je gati për të vdekur për Atdhenë? Ç’pret?  S’ka ardhur koha - thotë ai.

Atëherë unë: Në mos erdhi koha për të vdekur djalë, erdhi një kohë tjetër. Erdhi koha të ngrihesh ta kapërcesh me vrap pragun e derës se mjaft më çave kokën!”

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 25/11/2022 09:46

    Urime z.Rama, te besojme plotesisht. Nuk do na vije me njeri me kaq vizion sa ti! Zoti te dhente shendet dhe jete!

    Përgjigju
  • Ademi: 24/11/2022 23:32

    Jepi drejtim vazhdo punene qe ke nisur ..., po te jete per keta te non grates as per 100 vjet nuk behet shqiperia.

    Përgjigju
  • Monda: 24/11/2022 18:27

    Bravi investim shume i mire

    Përgjigju
  • Andi: 24/11/2022 15:45

    Jemi te gjithe te kenaqur qe porti i ri do sjelle shume zhvillim ne Durres

    Përgjigju
  • Dori: 24/11/2022 15:43

    Investim shume i vlefshem per te gjithe ne

    Përgjigju
  • Eno: 24/11/2022 15:40

    Zoti rama akoma meresh me keta!!!

    Përgjigju
  • Ani: 24/11/2022 15:34

    Investim i cili do te rris ndjeshem dhe turizmin ne kete vend

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë