TIRANË- Rifillojnë diskutimet për ndryshimin e Reformës në Drejtësi, frikë e cila ka sjellë reagimin e ashpër të ndërkombëtarëve, megjithatë kryeministri Edi Rama u tregua i kujdesshëm duke thënë se këto ndryshime duhet të bëhen vetëm me dakordësinë e tyre. Kreu i qeverisë ka pranuar ofertën e presidentit Meta për t'u ulur në një tryezë për ndryshime në Reformën në Drejtësi dhe për Integrimin me karta të hapura, siç ai e cilëson, por e mohoi që të jetë njohur me planin prej 14 pikash të kreut të shtetit

"Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t'i vëmë pikat mbi "i" të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la. Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s'ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë,Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura. Presidenti t'i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t'i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s'kanë kohë të luajnë "e ka kush e ka" dezhurnin", shkruan Rama.

Në përgjigje të kësaj deklarate, pra që nuk është njohur me draftin prej 14 pikësh, Meta e quan gënjeshtar dhe që për këtë e di e gjithë bota. Fakt e quan, Meta që kjo platformë i është dërguar jo vetëm atij, por edhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e ka pasur në tryezë që në datën 8 prill. "Që Platforma për Integrimin Europian (Non Paper) i është paraqitur Ambasadores së SHBA që më 8 prill 2020 është fakt. Që Rama gënjen nuk është më lajm as për të huajt", shkruan Meta.

Javën e fundit, Reforma në Drejtësi është rikthyer sërish në vëmendjen e palëve politike. Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim hedh dyshime për pazare nga politika, por presidenti Ilir Meta thotë "nuk e ka për mua" duke drejtuar gishtin te Rama. Edhe kryeministri Edi Rama e mohon një gjë të tillë duke thënë se është i gatshëm "të luajë me karta të hapura".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:08
Debati për platformën, Meta thirrje Ramës: Destruktiviteti minon mundësitë për dialog


Presidenti Ilir Meta në postimin që njofton takimin me ambasadorin e Britanisë i kthen edhe një përgjigje Edi Ramës, që u shpreh se nuk e kishte marrë platformën.

Kreu i shtetit thotë se i ka shprehur keqardhjen ambasadorit për mënyrën destruktive të sjelljes ndaj këtij propozimi, duke minuar mundësitë për dialog.

"Kënaqësi të takoja sot Ambasadorin e Britanisë Madhe, Sh.T.Z Duncan Norman. E falenderova për angazhimin e Tij të përkushtuar dhe vendosmërinë për të ndihmuar të gjitha palët për miratimin sa më parë të Reformës Zgjedhore.

Theksova angazhimin tim për Platformën (Non Paper) të 8 prillit të bërë publike sot me qëllim avancimin e axhendës së integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe kërkova një qasje gjithëpërfshirëse dhe vullnet konstruktiv të të gjitha palëve të përfshira.

Gjithashtu shpreha keqardhjen për mënyrën destruktive të sjelljes ndaj këtij propozimi, duke minuar mundësitë për dialog" thotë Meta.

Ora 15:04
E quajti gënjeshtar/ Rama: Që unë nuk gënjej e thotë Meta vetë! Ia ke çuar Kim, por SHBA-ja s'është shërbim postar!

Kryeministri Edi Rama i kthen përgjigje presidenti Ilir Meta, i cili e quajti gënjeshtar. Për Ramën drafti i Metës prej 14 pikash është njësoj si të bashkohet "vaji me uthullën".

"Që unë s'gënjej IM e ka shkruar vetë, se unë nuk quhem Yuri Kim dhe s'di që Ambasadorja e SHBA të mbulojë edhe shërbimin postar + po t'i kisha marrë ato pika do i kisha shkruar pse më duken si pika vaji e uthulle që duhen ndarë, se ndryshe thyhet ena e Kushtetutës dhe Integrimit", shkruan Rama.

Ora 14:02
'Nuk më ka dorëzuar asnjë platformë'/ Meta: Që Rama gënjen nuk është më lajm as për të huajt

1561386983_meta6595x450.jpg

"Rama gënjen". Kështu shprehet presidenti Ilir Meta si përgjigje ndaj deklaratës së këtij të fundit i cili tha se nuk ka marrë asnjë platformë nga ana e kreut të shtetit. Ndër të tjera, Meta shprehet se kjo platformë i është prezantuar ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim që në 8 prill 2020.

"Që Platforma për Integrimin Europian (Non Paper) i është paraqitur Ambasadores së SHBA që më 8 prill 2020 është fakt. Që Rama gënjen nuk është më lajm as për të huajt", shkruan Meta.