Ndërsa ecnin ashtu, të vrullshëm, kompaktë në ngjyra e në shprehje mimike, ngjanin me një re të zezë, të mbushur plot me shi, që kërkon të zbrazet mbi qytet, pemë e mbi lule. Një energji e madhe që ecte nga rruga e Elbansanit drejt zemrës së Tiranës për të kërkuar të drejta, dëshira dhe ëndrra që besoj në ditën e 42-të të kësaj proteste i njohim të gjithë. I njohin edhe të huajt, miq të Shqipërisë, të djathtë e të majtë që kanë shprehur tashmë mendimin e tyre.
Eshtë thënë gjithçka për çadrën dhe çdo gjë është dëgjuar të thuhet e të deklarohet përditë aty. Në 42 ditë ka pasur një rritje kërkesash, pretendimesh që kanë qëllim politik e përfaqësojnë mendimin dhe dëshirat e shumë qytetarëve, të cilët identifikohen me atë pjesë të rëndësishme të politikës shqiptare post-komuniste që sot është nën çadër.
Ashtu si çdo veprim, mendim, opinion politik, social apo kulturor, me të marrë "fluturimin" publik, ashtu si farërat e ndryshme të bimëve që era shpërndan, shpërndahen fjalët dhe në mendjet e njerëzve. A do të "mbijnë"? A do të qëndrojnë në zemër e në mendje mesazhet që prej aty kanë dalë?
Nuk do të doja të gjykoja unë askënd "të ngujuar" në çadrën e opozitës në Bulavardin kryesor të Tiranës. Disa prej personaliteteve që flasin aty i kam dëgjuar në shumë vite. Shumë fjalë e punë të tyre kanë kontribuuar për të përmirësuar vendin, të tjera për ta dëmtuar. Shumë të vërteta, por edhe gënjështra janë hedhur prej tyre me nuanca pozitive a negative, apo të ngjashme me diellin a furtunën që ndodh sipas stinëve.
Më kanë interesuar dhe kam vëzhguar me kuriozitet në çadrën e demokratëve gratë pjesëmarrëse. Disa prej tyre i shoh të impenjuara edhe në rrjete sociale. Përpiqem të kuptoj e të mësoj se si e shohin ato politikën, sa prurje të reja, të vërteta e të drejta ato sjellin për shqiptarët.
Vërej se si nëna, kanë bërë fëmijë të mrekullueshëm: Të bukur e plot diell, si drita. Ja kështu do te doja te shihja që ta bënin edhe politikën: te mrekullueshme. Nga goja e tyre të dilnin vetëm fjalë e të vërteta etike, të drejta e të matura. Mendoj, dëshiroj që gruaja shqiptare në politikë ka një mision të ri, të bukur: Të bëjë dallimin me atë që disa burra e kanë prishur: Vendosjen në piedestal të gënjeshtrave, vetëm për përfitime personale.
Ja pse për mua, këto ditë, janë të rëndësishme të shoh çfarë ndodh e kush flet në çadër. Sepse që aty kuptoj, kuptojmë se kush mund ta drejtojë më mirë të tashmen dhe të ardhmen. Prej aty hidhen fjalët e që aty kuptojmë se çfarë do të "mbijë" në Shqipëri prej tyre. Pastaj janë shqiptarët që zgjedhin.