Umberto Galimberti, filozof, sociolog, antropolog i kulturës, psiko-analist dhe akademik: nxënës i Emanuele Severinos dhe Karl Jaspers, të cilëve ju ka përkthyer edhe veprat, është një kërkues shkencor absolut. Mbushi 78 vjec në 2 Maj, vëlla i nëntë motrave dhe vëllezërve, është duke punuar mbi një libër të ri. Fanatik i makinës së shkrimit, këto ditëka shkruar këtë reflektim për situatën sociale të koronavirusit.
«Ndryshimi i diktuar nga koronavirus duket një vuajtje e vështirë për t‘u përballuar, edhe pse njerëzimi ka kaluar edhe më keq. Ndodh sepse jemi në gjendjen në të cilën i gjithë evoluimi ynë, teknologjia, globalizimi, tregu, me pak fjalë gjithçka me të cilën mburremi, dhe e quajmë përparim, papritmas e gjen veten duke u marrë me ekzistencen bazike njerëzore. Jemi përballë të papriturës: kujtonim se kontrollonim gjithçka ndërkohë që nuk kontrollojmë asgjë, në momentin që biologjia po shpreh lehtas rebelimin e saj. Them lehtas sepse kjo është një ndër të parat ndodhi biologjike që do të denoncojë tani e tutje teprimin tonëmeglobalizimin.
Nëse kjo është panorama, ndoshta ka një pamjaftueshmëri për t‘u zhvilluar, si qenie njerezore? Krishtërimi ka shpërndarë në Perëndim një optimizëm që na ka mësuar të mendojmë me këto terma: e shkuara është e keqe, e tashmja është shpengim, e ardhmja është shpëtim. Kjo mënyrë e të vlerësuarit të kohës është përvetësuar nga shkenca, e cila sipas saj thotë që e shkuara është injorancë, e tashmja është kërkim dhe e ardhmja progres. Deri dhe Karl Marks duhet të jetë një i krishterë i madh kur predikon se e shkuara është një padrejtësi shoqërore, e tashmja do të bëjë të shpërthejnë kontraditat e kapitalizmit dhe e ardhmja do kthejë drejtësinë mbi tokë. Edhe Sigmund Frojd, që shkruajti një libër kundër feve, këmbëngul që traumat dhe neurozat krijohen në të shkuarën, që e tashmja është magjike dhe e ardhmja do të jetë shërim.
Nuk është kështu.
E ardhmja nuk është koha e shpëtimit, nuk është pritje, nuk është shpresë. E ardhmja është një kohë si të gjithë të tjerat. Nuk do ketë një bekim që do te vijë drejt nesh dhe do te zgjidhë problemet tona të inertësisë. Shpresojmë, urojmë, janë të gjitha folje që shprehin pasivitet. Ne rrimë në vend-numëro dhe e ardhmja do marrë masat në vendin tonë: nuk është kështu.
Atëherë, çfarë duhet të bëjmë ? Nuk ka asgjë për të bërë, ka vetëm për të pësuar. Të pranojmë që jemi të pasigurtë : e kemi harruar ? Duhet të kuptojmë që ne nuk kemi më fjalë për të thërritur vdekjen sepse e kemi harruar atë. Ta pranojmë që kur një nga të dashurit tanë është pa qejf, ne ja besojmë të jashtmes, një strukture teknike që quhet spital, dhe prej atje ne nuk kemi më asnjë kontakt me të. Një kohë baballarët shikonin fëmijët duke vdekur e kur fëmijët shikonin duke vdekur baballarët. Ishin luftërat, uria, murtaja. Ekzistonte, një lidhje konkrete me fundin. Sot e kemi humbur. Kur dikush është pa qejf, mungojnë fjalët për ta ngushëlluar. Themi: do ta shohësh që do t‘ia dalësh. Cfarë idiotësie! Cfarë gënjeshtre! Sepse kemi humbur lidhjen me dhimbjen, me negativin e jetës. Ndaj si mund të kemi strategji kur negativi shndërrohet në shpërthyes?
Mund të më pyesni: frika për të ndryshuar a është një kufi i kalueshëm ? Le ta pranojmë realitetin, ka tridhjetë vjet që atdheu nuk qeveriset: duhet ta kuptojmë tani që kemi pesë mijë krevate në terapi intensive ndërkohë që Gjermania ka 28 mijë, të zbulojmë tani që burgjet janë të trazuara dhe që është e mundur edhe të arratisesh nga catitë, të pranojmë tani që duhet të ndërtoheshin edhe struktura të tjera pasi të dënuarit të mund të jetonin të paktën në kushte të jetueshme; është fatura që po paguajmë pasi u shpërqëndruam, duke mos patur një udhëheqje të vërtetë. Për të mos folur për borxhin publik, që do të bëhet si një gur edhe më i rëndë për të kompensuar vështirësitë ekonomike të këtyre muajve. Dhe ky është kufiri real. Dhe do ta hasin përballë sidomos të rinjtë, që tani duket sikur nuk do vdesin me të njëjtën shpejtësi dhe intesitet si pleqtë, pastaj do t‘iu takojë atyre, nëse nuk sëmuren, duke vazhduar së jetuari në këtë botë..
Është një cast pezullimi, sidomos nga tërbimi i përditshëm. Më thonë që për shumë është një vlerë pozitive, për të tjerët një paralajmërim i fatit. Unë mendoj se pezullimi na gjen kryesisht të papërgatitur. Ne ankohemi çdo ditë se duhet të dalim për të shkuar në punë, por nëse duhet të ndalemi nuk dimë çfarë të bëjmë. Nuk e dimë më kush jemi. Ne i kishim besuar identitetin tonë rolit të punës. Pezullimi nga funksionaliteti na detyroi të rrimë me veten dhe jemi të panjohur me të, pasi nuk kemi bërë kurrë një reflektim mbi jetën, mbi qëllimin e asaj që kërkojmë. Meqenëse nuk e bëjmë, atëherë e gjejmë veten në boshllëk, në çorientim. Le ta pyesim veten: a ishte puna peizazhi? A ishte funksioni në punë, identiteti ynë ? Jashtë këtij skenari, nuk e dimë më kush jemi ? Ky është një problem tjetër. Nuk mjafton të shpërqendrohemi në jetë, duhet gjithashtu të shikojmë edhe brenda vetes.
Deri më tani kemi ikur larg, sikur të ishim armiku ynë më i keq. Fundjavat tona nuk ishin një mundësi për ta kthyer shikimin tonë tek vetja, tek fëmijët tanë. Ishin arratisje nëpër autostradë. Sepse njohim dy mënyra të ekzistencës: punë dhe shpërqendrim. Jashtë këtij rrethi, është asgjëja. Një e katërta e popullsisë italiane është ekstremisht e brishtë: virusi na e dëshmoi. Ka syresh që janë surprizuar nga relativizmi i shoqërisë ndaj më të dobëtit. Por është e pashmangshme. Unë e di mirë që nëse do të sëmuresha do të kaloja në plan të dytë, sepse duhen shpëtuar të rinjtë të parët. Problemi qëndron pse duhet të arrinim të përballonim këto lloj zgjedhjesh, pse nuk parashikuam për të krijuar kushtet dhe strukturat, për të përballuar këto dilema. Do të vdesim nga joefikasiteti. Nëse një virus përhapet me një numër viktimash të krahasueshëm me të vdekurit në luftë, është e qartë se vija midis kujt duhet të jetojë dhe kujt duhet të vdesë duhet të shkruhet e qartë.
Tashmë egoizmi nuk është më një vlerë kryesore. Eshtë një vlerë kryesore në kulturën tonë. Solidariteti ka rënë pikiatë këto vite. Individualiteti, narcicizmi, egoizmi: janë të gjitha figura të vetmuara. Socializimi është reduktuar në pamjen e tij digjitale. Po sikur arsimimi, pasi të kalojë këtë fazë eksperimentale, i detyruar nga kohët, do të duhet të përhapet përmes internetit ? Fëmijët kanë nevojë të mësojnë por edhe të shikohen fytyrë më fytyrë, të qeshin të kuptohen përmes syve të tyre nëse tjetri po thotë të vërtetën apo po gënjen. Ata kanë nevojë për përvoja fizike. Në izolim dhe fatkeqësi, qeniet njerëzore duhet të mendojnë se nuk janë vetëm në luftë. Kinezët e Wuhan bërtisnin nga dritaret. Pra, nëse rrjeti digjital ka bërë të mundur lidhjen aty ku nuk ka mundësi takimi, unë mendoj mirë, shumë mirë, ai ka dëshmuar dobinë e tij. Por siç ka punuar deri më tani, Interneti ka izoluar edhe trupat tanë. Eshtë tjetër gjë ti thuash gjërat në rrjet dhe është tjetër gjë ti thuash personalisht. Problemi, që këtej e tutje, është të vazhdojmë të kemi një mardhënie shoqërore në të cilën njeriu takon një një njeri dhe jo një imazh në ekran.
Kur do të shërohet shpirti i njeriut? Dhe si? Degradimi ka qenë domethënës. Sipas mendimit tim, shpirti njerëzor ka qenë në lartësinë e këtyre situatave në epokën e gjyshërve, kur lodhja, mungesa dhe varfëria ishin kushtet e solidaritetit. Në shoqëritë pasanike në fakt zhvilluam egoizmin, sepse na lejohej të mos kishim më nevojë për të ngjashmit tanë. Duket qartë që shoqëria perëndimore është duke humbur: jemi të detyruar të rrimë në shtëpi me furnizimet tona ushqimore dhe shtratin tonë të ngrohtë, i vetmi ndëshkim që na është imponuar është që mos të dalim jashtë. Jemi populli më i dobët i Tokës, më të ndihmuarit nga teknologjia: nëse nuk ka dritë për dymbëdhjetë orë ne shkojmë në panik. Unë shkoj më tej: racizmi tek ne italianët, përtej asaj se si induktohet, ka një arsye të rrënjosur në pavetëdije. Kemi frikë nga afrikanët, sepse e kuptojmë se ata zotërinj të aftë për të kapërcyer shkretëtirat, duke mbijetuar në burgjet dhe duke kaluar detin janë biologjikisht më të mirë se ne. Bios do të thotë jetë. Dhe është biologjia, le ta pranojmë, ajo që do të fitojë.
Përktheu Brizida Gjikondi