Një nga pikat më kryesore në të cilën u ndal ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, është reforma territoriale. Demo theksoi se procesi duhet të jetë gjithëpëfshirës dhe transparent, teksa bëri thirrje se të gjithë aktorët duhet të jenë proaktivë.
“Elefanti në dhomë është reforma territoriale. Nëse përmenda nisma të ndryshme, reforma territoriale është instrument për të garantuar që bashkitë që në nisje të kenë mundësitë, asetet, kapacitetet dhe potencialin e mundshëm, të jenë të gatshme që t’i përballojnë të gjitha këto sfida. Reforma territoriale, të gjitha partitë janë të përfshira. Procesi, i cili do të fillojë në pak ditë, duhet të jetë transparent. Nuk duhet ta përcaktojmë si një proces që thjesht do të ndryshojë kufijtë e bashkive, do të ishte qasje e gabuar. Besoj se duhet të bazohet në të dhëna, eksperiencë, çfarë ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit në territor, sfidat e bashkive apo problematika të tjera. Duhet të jemi të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm sa i përket rëndësisë së reformës për mënyrën si do të menaxhojmë territorin, si qytetari do të ndërveprojë me institucionet lokale. Është një hap shumë i rëndësishëm, një sfidë jo e vogël, por një mundësi e jashtëzakonshme. Shpresoj që të kemi një reformë që mos të durojë 10 vjet, por të bëjë një kërcim edhe më shumë. Duhet të shikojmë përpara atë që do të ndodhë në vitet dhe dekadat përpara. U bëj thirrje të gjithë aktorëve të jenë proaktivë dhe kuptohet që kjo reformë do të udhëhiqet politikisht në parlament, por edhe nga Ministria. Ne duhet të kuptojmë komplikacionet në nivelin e tretë. Qarqet janë të parashikuara në Kushtetutë. Vetvetiu, ndryshimi i tyre si rrjedhojë sjell ndryshime të tjera në sisteme me sensitivitet si Kodi Zgjedhor. 12 qarqet që kemi sot janë krijuar në një kontekst tjetër dhe ka vend për të diskutuar, por nuk dua të kaloj më përpara se ç’duhet. Në javët që vijnë besoj do të jetë një debat i hapur. Shpresoj që opozita të jetë proaktive në këtë proces dhe të krijojë shtratin e duhur për këtë proces. Ky proces tashmë ka filluar, do të jetë një proces i hapur, u bëj thirrje të gjithë aktorëve që të përfshihen”, tha Demo.
I pyetur nëse ka ndërmend ndonjë numër për bashkitë, Demo tha se duhet të jetë një vlerësim i kujdesshëm.
“Studime ka pafund dhe shumë prej tyre janë publike sepse janë bërë falë asistencës së donatorëve ndër vite, studime për trendet demografike. Unë besoj që komisioni i posaçëm tashmë do të fillojë procesin. Patjetër që do të ketë një dokument të parë që do të jetë për diskutim publik. Nuk do të flasë në fillim dhe besoj ky do të jetë procesi, për numrin e bashkive, por për konceptin. Si e duam një bashki? Si mund të ketë sukses? Cilat janë sfidat? Ne si ministri, do të mbështesim komisionin me informacion, publikun, bashkitë për këtë reformë. Ne kemi marrëdhënie të shëndetshme me aktorët që kanë qenë partnerë të jashtëzakonshëm dhe kanë një databazë njohurish. Duam t’i kemi të përfshirë dhe roli i ministrisë është që ta akomodojë. Aleanca nuk është thjesht për reformë, por duhet të kuptojmë që sfida është që reforma të marrë jetë. Aleanca duhet të jetë sa më e gjerë dhe publiku i përfshirë”, tha Demo.
Lajmi kryesor:
Granti i performancës, fond 20 mln euro për logjistikën e bashkive, ministri Demo: Investime në teknologji, procesi i integrimit do të sjellë dallgë të madhe








