FSHF dhe trajneri Edy Reja kanë bërë sot publike listën me 25 futbollistët e grumbulluar për dy ndeshjet e Kombëtares në eliminatoret e Europianit kundër Turqisë dhe Moldavisë. Përveç katër portierëve të grumbulluar në sy ranë dy ristë Lindon Selahi që luan me Tëente-n dhe Tauland Seferi që aktivizohet me Xmax në Zvicër. Sipas Reja-s po vijohet me rinovimin e skuadrës, ndërsa i pyetur nëse ky është momenti duhur në një kohë kur janë dy ndeshje vendimtare italiani u përgjigj:
“Duhet të mendojmë për të ardhmen. Rinovimi i skuadrës dhe rezultatet duhet të ecin paralelisht. Kam mbajtur në konsideratë punë e Panucci-t, por zgjodha lojtarët që më ofrojnë më shumë cilësi teknike. Do fusim në lojë ata lojtarë që na shërbejnë në varësi të situatës dhe ndeshjeve.”
Trajneri Reja sqaroi edhe mosgrumbullimin e kapitenit Mavraj dhe Armando Sadikut. Sipas 73-vjeçarit Mavraj do të kryejë një ndërhyrje në shpatull, ndërsa Sadiku ka kërkuar të qëndrojë jashtë për arsye familjare. Në listë nuk janë përfshirë as lojtarë si Xhaka, Kaçe dhe Uzuni, të cilët qëndrojnë në gadishmëri. Ndërkohë përsa i përket objektivit në këto dy ndeshje Reja deklaroi:
“E dimë shumë mirë që kjo është mundësia e fundit për të shkuar në Europian. Ambienti është gati për të marrë një fitore ndaj Turqisë. Edhe barazimi nuk na intereson. I vetmi objektiv i joni është të bëjmë ndeshje sa më pozitive për të marrë një rezultatin që duam, që është fitorja.”
Trajneri i Kombëtares pranoi më pas se krijimi i përfaqësues së Kosovës po e penalizon Shqipërinë, ndërsa lidhur me kontratën e tij që skadon në nëntor italiani u shpreh se qëndron i lidhur pas projekteve dhe jo firmave në kontratë. Gjithashtu ai la të kuptohet se përsa kohë i është besuar rinovimi i skuadrës do të vijojë përtej kësaj date drejtimin e kombëtares kuqezi.
Deklarata e plotë e trajnerit Edoardo Reja.
Mungesa e kapitenit Mavraj…
Unë kam folur me Mavrajn! Ka për të bërë një operacion në krah. Më ka kërkuar pushim. Do ta rifitoj radhës tjetër. E di që do pyesni edhe për Sadikun. Ka kërkuar pushim për probleme familjare. Xhaka nuk është grumbulluar, kam folur i kemi sqaruar. Dua të njoh lojtarët e rinj si Selhai dhe Seferi. Nuk më pëlqen të grumbulloj 27 lojtarë. Me lojtarët me vlera nuk dua të krijoj situata të pakëndshme duke i dërguar në tribunë. Dua t’iu jap minuta lojtarëve që të tregojnë vlerat e tyre, duke provuar sa më shumë. Gjithashtu edhe Trashin, e kishim në grup, meriton konsideratë dhe minuta për të luajtur. Po luan rregullisht me klubin.
4 portierët e grumbulluar…
Duke qenë se Turqia ka grumbulluar 4 portierë dhe unë grumbullova 4 portierë. Ne kemi portierë shumë të mirë që po e tregojnë veten. Më mbetet detyra e vështirë e zgjedhjes se kush do të jetë titullari. Nuk kemi një çështje Berisha në Kombëtares, mjafton që ata të vijnë në grumbullim, të japim më të mirën dhe mos krijojnë probleme. Selmani po merr minuta në kampionatin turk, më duket e arsyeshme që ne ta kemi në konsideratë, sidomos këtë ndeshje ndaj Turqisë…
Sinjalet e marra nga lojtarët dhe forma që po kalojnë…
Është shumë e rëndësishme që lojtarët të luajnë dhe të kenë minuta. Duhet marrë në konsideratë qëndrimi i tyre. Dua të veçoj Dermakun, nuk po luan me Parmën, por ku grumbullohet me Kombëtaren, jep diçka më shumë. Kumbulla është vetëm 19-vjeç, shënoi gol dje dhe është një lojtar i rëndësishëm. Hysaj nuk po gjen më hapësira te Napoli. Nuk preferoi të shkonte në tribunë me Napolin, por preferoi të stërvitej. Këto sjellje më bën të zgjedh lojtarët që janë më kreativ dhe më të dobishëm për ne.
Përballja ndaj Turqisë…
Do të shkojmë në Turqi me besim. Dihen vlerat e lojtarëve të Turqisë, të cilët kanë cilësi të madhe dhe marrin pjesë në Kupat e Europës. Ne po krijojmë një grup të rëndësishëm që mund të marrim rezultate kudo. Shkojmë me bindjen që mund të bëjmë lojën tonë. Janë të fortë në kundërsulm. Nga ana taktike do bëjmë një ndeshje shumë të mirë, për të marrë një rezultat pozitiv.
Objektivi…
E dimë shumë mirë që kjo është mundësia e fundit për të shkuar në Europë. Ambienti është gati për të marrë një fitore ndaj Turqisë. Edhe barazimi nuk na intereson. I vetmi objektiv i joni është të bëjmë një ndeshje sa më pozitive për të marrë një rezultat pozitiv, që është fitorja.
E ardhmja…
Detyra jonë është të punojmë mirë dhe me impenjim të lartë. Për vlerësimet do merremi në nëntor. Kemi krijuar një grup të mirë që gradualisht po integrohet me njëri-tjetrin. Më pëlqen një skuadër që luan futboll të mirë, jo vetëm të mbrohemi dhe të jemi cinikë. Dëshira ime është të vazhdoj me Kombëtaren.
Përgatitjet dhe vështirësitë ndaj Turqisë…
Ndeshja në Shkodër ishte ndeshje tjetër. Kjo e sotmja është një skuadër tjetër. Kam shumë besim te kjo skuadër e re. Turqia arriti të fitonte ndaj Francës. Në transfertë kanë probleme, në shtëpinë e tyre zhvillojnë ndeshje me intensitet të lartë. Po përgatisim skuadrën për një ndeshje me këtë intensitet dhe me këtë rëndësi.
Duhet një vëmendje për lojtarët e Turqisë. Kanë lojtar të rrezikshëm dhe kontingjent të madh. Ka ndryshuar shumë Turqia nga ndeshja në Shkodër. Golat e pësuar ndaj Islandës ka qenë mungesë vëmendja nga ana jonë. Gjëra që nuk duhet të ndodhin në ekipin tonë, po punojmë t’i eliminojmë këto gabime. Dua të veçoj edhe faktin që ishte shumë e rëndësishme ndeshja në Shkodër, kur humb në shtëpi me një rival direkt si Turqia, peshon shumë. Ne do të shkojmë aty me një bindje të madhe për të marrë një ndeshje të madhe dhe për të marrë një rezultat pozitiv.
Rinovimi i Kombëtares…
Kemi thënë që po rinovojmë këtë grup. Kam mbajtur në konsideratë punën e Panuccit. Ndaj Islandës mesfusha ndryshoi 100%. Zgjodha lojtarët që ofrojnë më shumë cilësi teknike. Dua të vlerësoj në bazë të karakteristikave individuale se kush na shërben më shumë. Lojtarët e rinj janë vlerë e shtuar. Do mundohemi të gjejmë kombinimin e duhur në ndeshje. Do fusim në lojë ata lojtarë që na shërbejnë në varësi të situatës dhe të ndeshjeve.
Dua të përmend edhe faktin që lojtarë si Xhaka, Abrashi dhe Ramadani nuk kanë bërë paraqitje nën mesatare. Ndeshjet shpeshherë vendosen nga episodet. Roshi u kritikua ndaj Francës, por kur hyri ndaj Islandës na zgjidhi lojën. Vuajtëm për 10 minuta. Ishim një episod pozitiv për ne. Ndeshjet shpeshherë vendosen nga episodet. Shpresoj që të përsëriten episodet pozitive në favorin tonë.
Kemi edhe Qosen dhe Ndojin. Ky i fundit aktualisht është i dëmtuar. Do presim. Për Qosen po pres momentin e duhur për ta futur. Duhet gjetur momentin që lojtarët të japim maksimumin në fund.
Duhet të ecim me të njëjtin hap. Si çështja e kualifikimit dhe pikëve dhe çështja e rinovimit të skuadrës. Është normale që duhet të mendojmë të ardhshme. Në Itali ka shumë të rinj shqiptarë që luajnë. Ka djem shqiptarë të lindur edhe në Gjermani, Zvicër, Austri dhe deri diku lojtarët atje duan të luajnë atje, por ne do të provojmë. Është normale që lojtarët e lindur në ato vende synojnë të luajnë për kombëtaret e vendeve ku kanë lindur.
Grumbullimi i lojtarëve nga Kosova normalisht që na prish punë. Do provojmë me të gjithë të rinjtë që na duken premtues. Duhet të vlerësojmë sa më mirë, për të ndërtuar një skuadër sa më cilësore. Është normale që plani shkon për tej nëntorit. Ne do analizojmë çdo kundërshtar. Normale që do shikojmë për të ardhmen. Kush punon gabon, do mundohem të afroj lojtarët që mendoj se i shërbejnë skuadrës. Kush më njeh pak më mirë e di që nga Napoli, Lacio dhe Kaljari jam larguar unë. Nuk jam i lidhur me kontratat dhe paratë. Më pëlqejnë projektet e mira ku mund të bëjë punën sa më mirë.
Ndeshja Partizani-Teuta…
Pashë gjëra interesante. Ishte një ndeshje me intensitet të lartë më pëlqeu. Këto ndeshje ndiqen për të vëzhguar lojtarë specifik. Niveli është mjaftueshëm i mirë. U largova nga stadium për të ndjekur ndeshjen italiane në orën 6, për të vëzhguar lojtarët shqiptarë. Vëzhguam Trashin, më pëlqeu dhe në fazën difensive. E kemi afruar në Kombëtare për cilësitë e mira. Ka arritur të gjejmë formën më të mirë. Pati dhe një karton të kuq. Nga ana taktike Partizanit iu desh të ndryshonte. Shoh që është një kampionat i luftuar, i ekuilibruar. Është një gjë që më pëlqen.
Suksesi i Xhani De Biazit…
Nuk është e thjeshte për trajnerin të zgjedhë lojtarët e duhur. Unë vendos në bazë të lojtarët kyç, zgjedh edhe skemën taktike. Kemi folur shpeshherë për mbrojtjen me 3 dhe me 4. Pozicionimi 3-5-2 na jep mundësi ta menaxhojmë topin shumë lirshëm. Kemi mundësi të mbrohemi më mirë. 5 që mbrojnë dhe 5 që sulmojnë. 3 mbrojtësit mbrapa arrijnë ta qarkullojnë topin më mirë. Në qoftë se interpretohet mirë loja, çdo gjë shkon mirë, siç shkoi ndaj Islandës. Pamë një lojë bindëse dhe një rezultat bindës.
Eksperienca dhe besimi…
Eksperienca është normale që hyn në punë, fitohet me kalimin e kohës. Duhet të ketë besueshmëri midis meje dhe lojtarëve. Nëse ata kanë besim te mua dhe këshillat e mija, ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm. Nëse ka mungesë dëshirë për të ndjekur udhëzimet që unë jap. Eksperienca nuk shërben për asgjë.