Ish-kryeministri italian dhe ish-presidenti i Bankës Europiane Qendrore, Mario Draghi, një nga zërat më me peshë të politikës dhe ekonomisë europiane, deklaroi sot se rendi aktual ekonomik global është “i vdekur dhe jo funksional”, por theksoi se rreziku kryesor nuk është shembja e tij.
“Shembja e këtij rendi nuk është vetë kërcënimi. Kërcënimi është ajo që mund ta zëvendësojë”, tha Draghi gjatë një fjalimi publik në universitetin KU Leuven në Belgjikë.
Në fjalimin e tij, Draghi u ndal shumë te presionet që po vijnë nga fuqitë e mëdha. Sipas tij, Bashkimi Europian po përballet me një SHBA që “vë theksin tek kostot që ka mbajtur ndër vite, por injoron përfitimet që ka marrë”, dhe me një Kinë që “kontrollon nyje kritike të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe është e gatshme ta shfrytëzojë këtë avantazh, duke përmbytur tregjet ose duke ndaluar furnizimet”.
Draghi paralajmëroi se në këtë realitet të ri, Europa rrezikon të bëhet njëkohësisht “e nënshtruar, e përçarë dhe e deindustrializuar”. Ai tha se BE-ja duhet urgjentisht të diversifikojë politikat tregtare dhe të thellojë rolin e saj në zinxhirët kritikë të furnizimit, ndërsa rivaliteti global po ashpërsohet.
Sipas tij, ndryshimi i balancave të fuqisë kërkon që Europa “të kalojë nga konfederatë në federatë”, sepse aty ku Europa vepron si një e vetme, respektohet.
“Aty ku Europa është federuar, në tregti, konkurrencë, tregun e përbashkët dhe politikën monetare, ne respektohemi si fuqi dhe negociojmë si një. Aty ku nuk jemi të bashkuar, në mbrojtje, politikë industriale dhe politikë të jashtme, trajtohemi si një grumbull shtetesh të mesme që mund të ndahen dhe të trajtohen veçmas”, tha ai
Draghi paralajmëroi se “kur tregtia dhe siguria ndërthuren, forcat e Europës nuk mund të mbrojnë dobësitë e saj”, duke shtuar se “një Europë e bashkuar në tregti, por e fragmentuar në mbrojtje, do ta shohë fuqinë e saj ekonomike të përdoret kundër varësisë së saj në siguri”.
Draghi përmendi edhe reagimin e BE-së ndaj kërcënimeve amerikane për Groenlandën, duke thënë se ato “e detyruan Europën të qartësojë kapacitetin për të vepruar” dhe se një përgjigje e fortë “rezonoi me publikun më shumë se çdo komunikatë samiti”.
Komente







