TIRANË- Socialistët i bënë fakt qëndrimet që artikuluan publikisht pas aksidentit tragjik në Durrës. Dy deputetët Ulsi Manja dhe Erjon Braçe dorëzuan në Kuvend, amendamente në 6 nene të Kodit Rrugor, përmes të cilave synojnë të parandalojnë sjelljet me rrezikshmëri të lartë në qarkullimin rrugor.

Nikoll Radaçi, shoferi 57-vjeçar i cili drejtonte makinën i dehur, me nivele të larta të alkoolit, 0.7 mg/l në testin me frymëmarrje, dhe i mori jetën 2 të miturve më 3 maj, nxiti mazhorancën të ndëshkojë edhe më shumë, këta shoferë.

Nëse një person, do të kapet në timon, me vlerë të alkoolit në gjak, më shumë se 0.5 g/litër, dhe është ndëshkuar më parë për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, do t’i hiqet përgjithmonë patenta.

Pika 11.1 që pritet të shtohet në nenin 184 të Kodit Rrugor

Kush e prek timonin pa pasur një leje drejtimi, duhet të mendohet dy herë. Përveç përgjegjësive sipas legjislacionit në fuqi, drejtuesi pa patentë për 1 vit nuk do mundet dot të pajiset me leje drejtimi. Nëse një i mitur drejton makinën, pra që nuk e ke marrë patentën asnjëherë pasi nuk është 18 vjeç, do t’i shtyhet pajisja me patentë 2 vite pasi të mbushë moshën, pra ai do të bëhet për herë të parë me patentë, 20 vjeç.

Pika 10.1 që i shtohet nenit 115/1 të Kodit Rrugor

Për herë të parë, shoferët e rinj do të vendosen në një periudhë prove 2-vjeçare. Sipas amendamenteve të PS, nëse ke vetëm 2 vite me patentë, duhet ta drejtosh makinën me 0 alkool. Shpejtësia maksimale duhet të jetë 90 km/h në autostradë dhe 80 në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara. Shoferi i ri me vetëm 2 vite me patentë nuk lejohet të drejtojë makinën pas mesnate deri në orët e para të mëngjesit, pra mes orarit 24:00-06:00, pa pasur me vetë në makinë një shoqërues që ka gjithashtu patentë prej të paktën 3 vitesh.

Kush i shkel këto kufizime, ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, përveç pezullimit të patentës 1 muaj dhe heqjes së pikëve sipas akteve nënligjore në fuqi. Pas përfundimit të provës 2-vjecare, këto kufizime bien. Por nëse gjatë fazës të mbikëqyrjes, shoferi bën 2 shkelje brenda 1 viti, kufizimet e shpejtësisë apo qarkullimit me orare, zgjaten edhe me 1 vit.

Masat e ashpra për të drejtuesit e rinj (deri në 2 vite nga momenti i marrjes së patentës)
-Drejtimi i makinës pa konsumuar asnjë gramë alkool
-Shpejtësia maksimale 90 km/h në autostradë, 80 në rrugët e tjera jashtë qendrave të banuara
-Nëse brenda 2 vitesh nuk bën shkelje, këto kufizime hiqen
-Nëse bën 2 shkelje brenda vitit gjatë kësaj faze testi, periudha e provës të zgjatet edhe me 1 vit (pra nisin sërish kufizimet)

Ekspertiza ende nuk ka folur, por dyshimet janë se shoferi i tragjedisë së Durrësit  të ishte me 90 km/h kur përplasi për vdekje 2 të miturit, në një zonë të banuar ku duhet lëvizur me 30 km/h. Në draft, socialistët parashikojnë të rrisin gjobën për këto që drejton makinën me shpejtësi tej normave të lejuara.

Për drejtuesit që udhëtojnë me shpejtësi në zona të banuara, pranë kryqëzimeve e shkollave, në pjesë rruge pa fushëpamje, në orët e natës, apo që bëjnë gara me shpejtësi e manovra agresive, do të marrin gjobë nga 20 mijë deri në 60 mijë. Në ligjin aktual masa administrative për këto shkelje është nga 10-40 mijë lekë.

Nëse një shofer kapet 2 herë brenda vitit me celular në dorë gjatë drejtimit të mjetit, i pezullohet patenta për 3 muaj. Në ligjin aktual, referenca ishte për 3 shkelje brenda vitit. Me ndryshimet e propozuara nga PS për Kodin Rrugor celulari nuk do të jetë i ndaluar vetë gjatë drejtimit të automjetit, por do të prekë edhe ata që lëvizin me biçikleta, motomjete deri në 50 cc dhe monopatina me motor.

Ndryshimet që propozon PS
-Ndalohet celulari mbajtja e celularit në dorë edhe për biçikletat, motorët elektrikë e monopatinat
-Kush kapet pa patentë në timon i shtyhet me 1 vit e drejta për t'u pajisur me leje drejtimi 
-I mituri që kapet pa patentë në timon i shtyhet me 2 vite e drejta për t'u pajisur me leje drejtimi (pra nga 18 vjeç shkon në 20 vjeç)
-Kush bën gara shpejtësie, ose qarkullon me shpejtësi afër kryqëzime, shkollave, në orët e natës, rritet gjoba nga 10-40 mijë në 20- 60 mijë lekë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:08
Ndryshimet e propozuara nga PS/ Ndalohet mbajtja e celularit në dorë edhe për biçikletat, motorët elektrikë e monopatinat

Celulari gjatë drejtimit të mjetit do të ndalohet edhe për disa kategori të tjera shoferësh. Me ndryshimet e propozuara nga PS, ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

Socialistët duan të ashpërsojnë masat për ata që kapen me celular gjatë drejtimit të mjeteve. Ata propozojnë një ndryshim në pikën 4 të nenit 171 të Kodit Rrugor, në të cilin thuhet se nëse një shofer kapet 3 herë brenda vitit me celular në dorë gjatë drejtimit të mjetit, i pezullohet patenta për 3 muaj. Me ndryshimin e ri, patentat do të pezullohet me 3 muaj në rast se shkeljen e përsërit 2 herë brenda vitit.

Neni 171 i Kodit Rrugor Aktual

 

Ndryshimet që shtohen në nenin 171 të Kodit Rrugor
Ora 11:54
Ndryshimet e propozuara nga PS/ Rriten gjobat për ata që qarkullojnë me shpejtësi

Me ndryshimet e propozuara nga PS për Kodin Rrugor rriten gjobat edhe për ata që qarkullojnë me shpejtësi, apo që bëjnë gara shpejtësie nëpër rrugë.

PS propozon ndryshimin e pikës 5 të nenit 139 të Kodit Rrugor i cili synohet të ndryshohet kështu “Drejtuesi i mjetit nuk duhet të bëjë garë në shpejtësi duke sjellë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës, sidomos në zonat urbane, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe sjelljet jo sociale në rrugë”.

Ndërsa me ndryshimin në pikën 8 të nenit 139 të Kodit Rrugor, socialistët duan të rrisin gjobat për ata që bëjnë gara shpejtësie, duke shkelur pikën 5 të Kodit Rrugor të cituar më lart, si edhe për ata që shkelin pikën 3 duke qarkulluar me shpejtësi në pjesë rruge pa fushëpamje, afër kryqëzime, shkollave, në orët e natës, kur ka mot që ul shikueshmërinë në zona të banuara etj. Konkretisht, gjoba nga 10-40 mijë lekë që është aktualisht, parashikohet të shkojë në 20 mije – 60 mijë lekë.

Neni 139 i Kodit Rrugor aktual

 

Ndryshimet që shtohen në nenin 139 të Kodit Rrugor
Ora 11:48
Zero alkool në timon, limite shpejtësie në rrugë, ‘kufizim orari’ për drejtimin e mjetit! Ja ndryshimet e propozuara nga PS për shoferët e rinj

Drafti i propozuar nga PS për ndryshimet në Kodin Rrugor parashikon masa më të ashpra për drejtuesit e rinj të mjeteve, nga momenti që pajisen me leje drejtimi deri pas dy vitesh. Konkretisht, për shoferët e rinj (deri në 2 vite) nuk do tu lejohet të konsumojnë alkool gjatë drejtimit të mjetit. Shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara.

Po për drejtuesit e rinj (deri në dy vite), u ndalohet drejtimi i mjetit nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues që ka patentë prej të paktën 3 vjetësh.

Mosrespektimi i këtyre kufizimeve do të ndëshkohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për 1 muaj dhe heqje pikësh. Ndërsa, nëse gjatë periudhës 2-vjeçare drejtuesi nuk kryen asnjë shkelje, kufizimet hiqen automatikisht. Por për shoferët e rinj që brenda një viti kapen me dy shkelje dhe humbasin të paktën 10 pikë nga patenta, periudha e kufizimeve do të zgjatet edhe me 1 vit tjetër.

Ndryshimet që shtohen në nenin 117/1 të Kodit Rrugor