REPORTAZH: Begu shqiptar i akulloreve të Zagrebit, historia e pastiçerisë më të vjetër në kryeqytetin kroat

 REPORTAZH: Begu shqiptar i akulloreve të Zagrebit, historia e pastiçerisë më të vjetër në kryeqytetin kroat

“Kjo është”, i tha së shoqes angleze.

“Ç’pret?” iu përgjigj ajo. “Hyr brenda!”

Hiq një ndalesë për të fjetur diku në Austri, bashkë me të shoqen dhe vajzën foshnje, Festim Trota i dha makinës thuajse pa ndalur për rrugën e vet 2500-kilometërshe nga perëndimi i Londrës për në shtëpinë e prindërve në Kukës.

Nga mesdita e nesërme mbërriti me Golfin e tij fringo në Zagreb dhe mori nga ana lindore e qytetit në rrugën Maksimirska. Uli shpejtësinë për të dalluar numrat në ndërtesa, pastaj ndali dhe parkoi para numrit 34, një pallat trekatësh gri me dy-tre dyqane në kat të parë. Njëri nga dyqanet ishte një pastiçeri e zakonshme tabela e florinjtë e së cilës lexonte Orijent.

Ja pra, mbërriti.

U fut brenda dhe pyeti dy vajza në banak për një Zulfi Tahiri. I thanë se z. Tahiri kishte disa vjet që kishte vdekur. “Po pronari kush është?” pyeti. U afrua një grua në mesmoshë, bionde me flokët e prera shkurt. “A mos je ti vajza e dajës Zulfi?”

“Po…”

“Unë jam djali i Hasan Trotës. Nipi i Hajrijes”.

Për një moment, gruaja u step. E motra, që po bënte ëmbëlsira në bodrumin nën dyqan, u ngjit lart. U ulën të tre në një tavolinë. “Pastaj, qaj unë e qaj ato”, më tregonte më vonë. “Qaj ato e qaj unë”.

Dy ditët e ardhshme i kaluan bashkë. U tregoi fotografitë e të jatit, Hasanit. I ngjante Zulfiut. Shkuan tek varri i dajës Zulfi në Mirogoj, varrezat monumentale të Zagrebit. Kur kish ndërruar jetë në 2002-in, i thanë që në varrimin e bërë me hoxhë, sipas zakonit, ishin mbledhur shumë njerëz. Pastaj i ofruan ëmbëlsira atij dhe të shoqes (“Kurrë nuk kam ngrënë ëmbëlsira që të shkrinin në gojë si ato”) dhe i dhanë një darkë përrallore.

Festimi dhe e shoqja takuan të gjithë Tahirët. E veja e brishtë e dajës Zulfi i dha një byzylyk floriri për foshnjën kur të rritej. U sollën ushqim për foshnje. Mbrëmjen e kaluan bashkë. Ishte i pari person kaq i afërm nga familja shqiptare e të jatit që takonin.

Gjeti një moment dhe mori në telefon vëllanë e madh në Shqipëri. “I takova të gjithë. Daja Zulfi kishte vdekur, por takova të shoqen dhe të vajzat”, i tha. Një gjë e kishte habitur. “E shoqja nuk e kishte emrin Mejreme, kishte emër tjetër”.

Si dyqan i vogël lagjeje të zakonshme — është a s’është dymbëdhjetë metra me pesë dhe larg qendrës — Slastičarnica (fjala kroatisht për ëmbëltore) Orijent nuk i bie në sy atij që nuk është vendali. E megjithatë, është pastiçeria më e vjetër ende në punë e Zagrebit. Klientët i ka pasur besnikë (“vend kulti” sipas disa personave brezash të ndryshëm me të cilët fola) në të gjitha fazat e veta, gjendet në të gjitha guidat turistike, i është dëgjuar emri në të gjithë vendin, i është bërë bile edhe homazh në filma jugosllavë të rëndësishëm. Bash muajin e kaluar, Index, portali shumë i lexuar kroat, pati një artikull me receta të Orjientit. Slastičarnica Orijent është institucion.

Rruga e Maksimirit

Maksimirska lidh një pjesë të vjetër habsburge të Zagrebit me Parkun e Maksimirit, prej nga ka marrë emrin, i cili, kur u bë në shekullin XIX, shtrihej jashtë qytetit. Sot, me Maksimir njerëzit më tepër njohin stadiumin e futbollit, më të madhin në Kroaci, i cili ndodhet përballë parkut në anën tjetër të rrugës.

Përgjatë asaj rruge, që nga fundi i shekullit XIX, u sollën zanatçinj e më pas ndërtues, derisa nga fillimi i shekullit pasardhës u mbush me ndërtime dhe iu bashkua qytetit. Sipas Martina Petrinjakut — gjyshi i së cilës, një këpucar i quajtur Juraj Majdak, ishte ndër më të hershmit që patën bërë shtëpi aty dikur nga 1880-a — banorët e parë të lagjes ishin kasapë, kovaçë, endës apo muratorë të ardhur nga gjithë pellgu i Danubit. Ç’nuk gjeje, sllovakë Samobori dhe gjermanë Vojvodine, çekë, hungarezë, sllovenë, biles edhe ndonjë tip të rrallë nga zona osmane.

Dikur nga fundi i viteve njëzet, në atë lagje u shfaq një adoleshent shqiptar që prezantohej me emrin Ahmet, i cili zuri punë tek një dyqani i një pastiçieri mysliman. Ditën, Ahmeti shiste me karrocë rrugëve kaushë me akullore kurse natën flinte në papafingon e shtëpisë së Majdakëve nga ana tjetër e rrugës. Me paratë e para që mori, bleu dhe një lugë alumini për të ngrënë.

Zulfi Tahiri (majtas) përdorte emrin Ahmet në kohën kur punonte për pronarin (djathtas) e dyqanit të akulloreve Trato, paraardhësin e Orijentit. Foto nga koleksioni i Andrija Sučević.

Por kaq shumë ishte mbytyr në borxhe pronari i pastiçerisë saqë një ditë të bukur nga 1936-a, u zhduk pa lënë gjurmë. Ahmeti shfrytëzoi rastin dhe, duke marrë para andej-këtej dhe me ç’kishte vënë mënjanë, bleu dyqanin, mori liçensën e aktivitetit, dhe pagoi borxhin e pronarit të vjetër të dyqanit.

Këta dy personazhe të kësaj historie gati e rrezatojnë këtë edhe në një fotografi e 1935-ës, ku pronari, me mustaqe, ka një të qeshur të shkujdesur, kurse Ahmeti, në anën e majtë, nuk bie në sy por po ta shohësh me kujdes, sikur ia dallon vendosmërinë.

Slastičarnica Orijent

Vetëm kur e mori Ahmeti dhe i ndërroi emrin në Orijent filloi të merrte frymë aktiviteti. Dhe përveç një momenti mbas Luftës së Dytë, kur dyqanin ia shtetëzuan për pak kohë, gjërat në përgjithësi i vajtën siç duhet. Zona përqark Maksimirskës po zgjerohej ashtu si i gjithë Zagrebi, dhe kjo natyrisht që donte të thoshte edhe më shumë kalamaj që do donin akullore, më shumë prindër që do ua plotësonin fëmijëve atë tekë. “Të gjithë e dinin ku të shkonin e të porosisnin tortat kur të vinte ditëlindja e fëmijëve”, thotë Andrea Rizova, një punonjëse shëndetësie që u rrit në atë lagje.

Dikur nga fundi i viteve dyzet, Ahmeti mori në punë për pastrim një vajzë që vinte nga fshatrat në perëndim të Zagrebit, e cila ishte pesë centimetra më e gjatë dhe 14 vjet më e re se ai, dhe vinte nga fshatrat në perëndim të Zagrebit. Quhej Amalija, por shkurt e thërrisnin Malička. I pëlqente. Vajti t’i kërkonte një mendje patriarkut të Majdakëve, nëse ishte e përshtatshme si grua. Juraj Majdaku kujtoi se po e pyeste a ishte e virgjër, dhe përgjigjja e tij që përmendej ndër Majdakë për breza me radhë: “E nga dreqin ta di unë?”

Ahmeti u prek nga mungesa e taktit, por Maličkës vazhdoi t’i vardisej. I tha se kishte qenë dikur i martuar, dhe i tregoi një fotografi të ish-shoqes. Por shokëve të vet më vonë u thoshte se fotografia kishte qenë e Mbretëreshës Xheraldinë të Shqipërisë. U martuan.

Mund të ketë qenë gjëja më me mend që kishte bërë, që i dha shpejt dy vajza. Emrin më të madhes ja vuri Malčika nga filmi hollivudian i 1942-it “Netët Arabe”: Šeherezada. Vajzës së vogël, Ildezës, ia zgjodhën emrin ca miq shqiptarë të Ahmetit në Bosnje. Ahmeti ishte fytyra serioze tek makina që bënte akullore të mira, Malčika ishte zonja që i jepte ngrohtësi dyqanit.

Akulloret dhe ëmbëlsirat ishin të mrekullueshme, sepse Ahmeti i bënte pa hile. Pjesa e akulloreve ishte ajo klasikja, me vanilje, luleshtrydhe, çokollatë, lajthi apo kajsi. Por pastaj vinin tortat, keket dhe pastat. Kek Doboshi, parfé me fruta apo gështenja. Role me çokollatë apo krem, që në kroatisht quhej šaum, shaum, feta tortash gjithë krem, strudelë, dhe minjonët,ëmbëlsira të vogla të bardha apo çokollate.

Edhe porcionet e bakllavasë ishin të bollshme, biles edhe minjonët, që tjetërkund ishin të vogla fare, këtu ishin sa një pastë, të thotë Rizova. Kur vinte dimri, biskotat për çaj dhe derrkucët me pandispanjë zëvendësonin akulloret.

Nga brenda, dekori ishte gjithë xhingla. Kur hyje, nga e djathta ishte banaku, por nga e majta vareshin flutura gjigande dhe fotografi vajzash aziatike me çadra dielli, po edhe afishe me yje Hollivudi të viteve 50 (Harry Belafonte, Mary Montero…). Kur dilje, përmes ajrit të ngarkuar me vanilje dhe sheqeri pluhur, shihje të zotin e dyqanit të nxirrte me lopatë druri akulloren nga makina e ta vinte nëpër kutitë në banak.

“E shihnim si të magjepsur se si bëhej ashtu akullorja”, kujton në një mesazh Rajko Grlić, regjisori i njohur kroat që tani është 73 vjeç. Grlić fëmijërinë e kaloi në një lagje gjysëm ore në këmbë nga Orijenti. “Sa herë që na mblidheshin ca para, atje shkonim”.

Kështu, Tahiri dhe ëmbëltorja e tij e gjetën ritmin e tyre. Ai filloi të përdorte emrin e tij të vërtetë, Zulfi. Nga vitet ‘50 bleu një apartament në lagjen ku kishte dyqanin, dy dekada më vonë, një shtëpi plazhi në ishujt e Dalmacisë.

Filloi të blinte bileta për sezonin e Dinamos së Zagrebit — vajzat e tij thonë se lojtarëve të saj, në fakt u çonte kremshnitet e tij të famshme. Pastaj, jepte para dhe për fondin e ndërtimit të autostradës mes Zagrebit dhe Splitit dhe për Kryqin e Kuq. Edhe për xhaminë e qytetit, të ndërtuar viteve të ‘80-a, dha para, në mënyrë që të mos të mblidheshin për tu falur më nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit. Një herë, tregon i nipi, Andrija, solli në jetë kanarinën e kafazit duke i dhënë frymë në gojë.

Dhe megjithëse qejfi ia kishte që të bijat burrat t’i merrnin shqiptarë myslimanë, kur ato morën kroatë, e mori siç i erdhi dhe u dha shumë mbas nipërve.

Por, si Malčika edhe ai, kohën e kalonin në punë. “As shtëpisë së plazhit nuk i gëzohej fort”, kujton Riza Noka, një mik i tij. “E kapte frika se do i ndodhte ndonjë gjë dyqanit”.

Pas kaq vitesh në Zagreb sa ia kishte marrë dorën dialektit të zonës, prapë asaj gjuhe ja ngatërronte ndonjëherë gjinitë e emrave. Por edhe shqipja i ishte vjetëruar. “Edhe unë me zor e kuptoja ndonjëherë”, tallet Riza Noka.

Festa!

Kur u tërhoq nga dyqani, dikur nga 1987-a, vajzat, të dyja me universitet, vendosën ta merrnin dyqanin në dorë dhe t’i jepnin faqe tjetër. E dizenjuan me estetikën jugosllave të kohës, shtuan karriget, ndërruan pajisjet. Të gjitha xhinglat ikën, muret tani ishin të zhveshura, dyshemeja u shtrua me mermer, tavolinat u bënë me pllaka graniti, mureve iu dha një nuancë e lehtë blu për nder të Dinamos së Zagrebit. Kishte marrë elegancë.

Ç’nuk bënin në atë dyqan. Krijonin nga e para akullore apo pasta dhe u vinin emra evokativë. Torta me kumbulla, gështenja dhe fara lulëkuqeje e kishte emrin Jesen stiže (Po vjen vjeshta). Ajo thënia e kartolinave të pushimeve, Pozdrav s juga (Përshëndetje nga jugu), ishte pastë me limon dhe livando. Secili nga katër personazhet e serialit “Seksi dhe qyteti” kishte pastën e vet.

Lito virovito (Verë e magjishme) është një komedi e viteve 60-a për djemtë dalmatë që gjuanin turistet e huaja në plazhe. Edhe për të, kishte një akullore Orijenti, me fiq, vaj ulliri dhe verë të ëmbël dalmate proshek.

Dhe kur nuk arrinin të kishin vetë më ide se ç’të bënin, kërkonin sugjerime nëpër rrjete sociale.

Në fakt, duke zëvendësuar kujtimet e fëmijërive të hershme, ishin duke u dhënë formë atyre të fëmijërive të tanishme. “Më erdhi keq që e kishin hequr atë ikonografi të lirë orientale të dyqanit të vjetër, e cila shkrinte me kaq harmoni akulloret me ëndrrat djaloshare për Lindjen e Largët”, thotë Grlić, regjisori i filmave.

Ndërsa i shkonte mosha, Zulfiu zinte një vend tek karrigia pranë banakut, duke pirë çaj a espres. Ndërsa i avanconte demenca senile, përfshihej më pak, megjithëse gjithmonë jepte mend dhe u ofronte ndihmë. Derrkucët e pandispanjës për Vit të Ri i bënte derisa vdiq, thotë nipi i tij Andrija, megjithëse as Andrijan nuk e njihte më.

Zulfi Tahiri, në rrugën e apartamentit të tij nga mesi i viteve nëntëdhjetë, vazhdonte të rrinte në dyqan edhe pasi doli në pension. Edhe kur u rëndua nga demencia, ai prapë përgatiste gjëra në punishte. Nga koleksioni i Šeherezada Tahiri-Sučević dhe Ildeza Tahiri Martelanc.

Kur ja vinin përpara dhe e pyesnin kush ishte, thoshte, e di kush është, ky është ai shqiptari. Edhe ëndrrat, vazhdonte t’i shihte në shqip. Dhe prapë hante me atë lugë alumini që kish blerë kur kish mbërritur në Zagreb.

Martina Petrinjak e kishte dobësi. “Më merr malli për ato akulloret e tij tipike, tradicionale, dhe që i bënte aq mirë”, kujton ajo. “Pastaj, ishte dhe ai pak aksent që kishte. S’ia gjeja dot nga i vinte”.

“Gjermanëve apo çekëve ua dallon aksentin kur flasin kroatisht. Biles edhe kroatëve të Janjevës (fshatit në Kosovë), edhe kur janë prej dy brezash këtu. Atij jo. Aksentin e kishte ndryshe edhe nga ai i shqiptarëve të Kosovës, që kroatishten e kishin mësuar nga serbishtja. Ai dukej që gjuhën e kishte mësuar këtu”.

Historia shqiptare e Ahmetit

Si e gjejnë rrugën për në Zagreb shqiptarët? Kisha dëgjuar për fenomenin në kohë të Jugosllavisë, kur të varfërit e jugut të atij vendi kërkonin mundësi më të mira në veri. Në Zagreb, për shembull, ka një komunitet katolikësh nga Kosova me biznese fotografish dhe floriri. Gjatë zhvillimit të turizmit viteve të 60-a, myslimanë shqiptarë nga Kosova vinin për të hapur dyqane buke, të tjerë nga Maqedonia, shisnin ëmbëlsira nëpër Dalmaci dhe qytete të mëdha. Ishin dhe studentët, pastaj.

Një artist bizhuterish i brezit më të vjetër ishte i pari që ma përmendi Zulfi Tahirin. Lazër Lumezi, asokohe në të njëzetat, pati rënë në një tavolinë me Tahirin dikur nga vitet e 70-a. Kaq shumë e kishte impresionuar Zulfinë Lumezi saqë i dha hua Lahutën e Malcisë për të lexuar. Dhe kaq shumë e kishte mërzitur më pas gjatë bisedës Lumezi kur kishte thënë se “Në ka bërë një gjë të saktë Enver Hoxha, është që ndaloi fenë”, saqë pas dy ditësh ia kërkoi mbrapsht librin.

Tahiri i kishte thënë Lumezit se ai kishte ardhur direkt nga Shqipëria.

Më vonë mësova se fshati nga vinte, me tridhjetë-dyzet shtëpi nja 25 kilometra në jug të Kukësit, quhej Shtrezë. I jati, Tahiri — nga ai e kishte marrë, sipas modës së vjetër, emrin, sepse mbiemri i vërtetë i familjes ishte Gjuta — kish pasur bagëti dhe kullota. Por edhe ai edhe e jëma patën vdekur. Dikur nga 1920-a, edhe vëllai iu pat vrarë në një sherr, dhe Zulfia mbeti vetëm me dy motrat.

Doli nga fshati për në Tuzla të Jugosllavisë — që atëhere quhej akoma Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene — në 1923-in, ku ndenji tek dy familje nga Shtreza që kishin ca kohë aty. Pas nja dy vjetësh me ta, kaloi një farë kohe në Dalmaci, para se të mbërrinte në Zagreb rreth 1928-ës. U mor me çdo lloj pune para se të fillonte në ëmbëltoren e pastiçierit mysliman në Maksimirska. Edhe vonë i kujtoheshin dyshekët e kashtës në vendet ku flinte për të kursyer.

Zulfi Tahiri, marrë këtu në vitet ‘40, u kthye në fshatin e lindjes gjatë Luftës së Dytë Botërore për t’u martuar. Foto nga koleksioni i Andrija Sučević.

Por kur iu stabilizua biznesi, dikur nga Lufta e Dytë, u kthye në fshat për të rindërtuar shtëpinë dhe për të marrë Mejremen. Shtrezanët u habitën me mandolinën që kishte sjellë me vete (“Sa keq i binte”, thoshin të bijat më vonë); ai u habit nga fshatarët e vet, të cilëve duhet të vinte ai dhe t’ua thoshte që Italia kishte disa muaj që kishte kapitulluar.

Por mbas lufte, Mejremja u sëmur në fshat, mbase me tuberkuloz, dhe një kushëri kaloi me të kufirin ilegalisht për tek doktori në Prizren. Por nuk kishte shpresa dhe vdiq. Pastaj, Zulfia iu lut të motrave që t’i merrte me vete, por ato nuk pranuan. Nuk njihnin njeri në Kroaci.

Ndërkohë, udhëheqësit e rinj të të dy vendeve, Enver Hoxha i Shqipërisë dhe Titoja i Jugosllavisë, patën një nga ato acarimet e tmerrshme të Luftës së Ftohtë, dhe i mbyllën krejt kufijtë. Tahirin e la shpresa se do kthehej ndonjëherë më në Shqipëri, dhe kur krijoi familjen e re, me ta fliste pak mbi gjërat që kishte lënë pas. Miqve që kishte në Zagreb u tregonte se sa të dhimbshme e kishte që nuk e kishte marrë hakun e të vëllait — e dinte që vrasësi me familje ishin shpërngulur diku në Belgjikë. Por nuk i duhej kjo. Ajo që i duhej ishte të shihte përpara.

Dikur nga vitet e ‘80-a, një dhëndër e mori me vete për t’i takuar të njohurit në Kosovë. Me makinë vajtën deri në kufirin me Shqipërinë. Kur iu afruan, nuk shihej asgjë prej një reje të dendur shiu. Por pas një farë momenti, retë u larguan dhe Zulfiut iu shfaq mali që shihte mbi Shtrezë. Kjo ishte hera e fundit që iu afrua kaq afër, tregon e bija, Ildeza.

Kushërinjtë nga Shqipëria

Viteve të ‘60-a, Hasan Trota, djali i motrës së Zulfisë, Hajrijes, nuk ua falte prindërve që nuk e ndoqën dajën Zulfi për në Kroaci. Do t’i shkruante letra që ta nxirrte prej Shqipërie, dhe përpiqej t’i shmangej policisë duke marrë autobuzin për të postuar letrat në qytete të tjera, siç e tregon i biri, Selmani. E bëri këtë punë nja tre-katër herë derisa u dorëzua, u martua dhe bëri familje, dhe zuri një punë si mekanik në një ndërmarrje bujqësore.

Me dajën Zulfi mbanin disi komunikim. Një vit, i pati çuar një televizor me ngjyra, një vit tjetër, një kasetofon Sanio me urimet për vitin e ri në kasetën brenda — rrallë kishte njeri televizor me ngjyra e kasetofon në Shqipëri kur i kishin Trotat. E dinin që daja kishte dy vajza, u kishte dërguar një foto të familjes, por pak gjë më tepër.

Kur u hap Shqipëria viteve të 90-a, një kushëri më i largët i kërkoi me një letër një motoçikletë. Një tjetër i doli përpara në dyqan në Zagreb, pasi e kishin kthyer mbrapsht duke u përpjekur të kalonte ilegalisht për në Gjermani. I kërkoi para për t’u kthyer në Shqipëri.

Shtreza, fshati ku pati lindur, është tash thuajse i braktisur, dhe shtëpia e tij atje e rënë. Zona vazhdon të jetë shumë e varfër. Shumica e burrave janë larguar, ose për qytete, ose kanë emigruar jashtë.

Festim Trota erdhi në Angli me martesë. Kishte njohur partneren e tij në një ishull grek ku pati vajtur për punë. Pati bërë dhe ai punët e tij të rastit, por tani shtron tuba për një kompani ndërtimi në zonën e Kembrixhit. Me shtëpi tani jeton në një fshat në veri të Londrës. “Sepse unë jam katundar”, më thotë. Në Shqipëri shkon shpesh.

Disa vite pasi u takua me motrat Tahiri, Trota mori të vëllanë e madh, Selmanin, në një udhëtim nëpër Evropë me BMW-në e tij të re. Sapo ishte hequr detyrimi për viza në zonën Shengen, dhe Selmani nuk para kishte qenë tamam në Evropë. Kishte qenë vetëm tek i vëllai në Angli dhe në Greqi viteve 90, kur kërkonte punë. Gjatë rrugës për Bruksel, kur do merrte avionin për t’u kthyer në Shqipëri, ndaluan në Zagreb tek ëmbëltorja, por Orijenti ishte i mbyllur për gushtin dhe motrat ishin në shtëpinë e tyre të pushimit në Dalmaci.

Ndërsa ma tregonte këtë histori, nisa të kuptoja se sa e dendur ishte mjegulla e krijuar mes shitësit të akulloreve të Zagrebit dhe të afërmve të tij në Shqipëri. Shumë pak gjëra kishin depërtuar kufijtë, dhe ato ngatërroheshin me njëra-tjetrën apo hiperbolizoheshin. Festimi më thoshte se kushërirat, në atë gusht, kishin qenë në det në Tuzla. Ai ngatërronte qytetin e parë ku kishte jetuar fillimisht Zulfia gati një shekull më herët me ishullin e vogël të Murterit ku familja e tij kishte shtëpinë e plazhit.

Dhe megjithëse Festimit nuk i kujtohej saktë ç’kishte ndodhur me Mejremen, ai e dinte se dikur ajo kishte qenë e sëmurë, “dhe daja i pat thënë doktorit se do e peshonte me ar nëqoftëse do e kishte kthyer atë (Mejremen) shëndoshë”. Një i afërm i Zulfisë me të cilin fola në gusht ishte i bindur që Zulfia ishte njëri prej pasanikëve më të mëdhenj në Kroaci, me pallate dhe hotele. Ishte bërë, siç ma përshkroi një kushëri tjetër, “begu i Zagrebit”.

Festimi nuk ka qenë më në Zagreb, megjithëse kontakte mban me kushërirat dhe mendon se mund të kalojë prapë ndonjëherë në atë qytet për t’i parë. “Por njerëzit largohen me kalimin e kohës”, më thotë.

Ëmbëltorja më e vjetër

Motrat Tahiri po i afrohen të shtatëdhjetave dhe ka pak kohë që Orijentin ia shitën një të afërmi kroat. Që ai biznes të mbahej, do duhej të zgjerohej, dhe motrat ato para nuk i kishin. Plus, fëmijët nuk ishin të interesuar ta merrnin përsipër. Njëri nga djemtë jep mësime anglishteje në Japoni, një tjetër është jurist, dhe i treti, Andrija, është inxhinier në Agjensinë Evropiane të Hapësirës në Gjermani. Dy motrat me zor presin të udhëtojnë nëpër botë.

Pati njerëz në Zagreb që u mërzitën. Megjithatë, Šeherezada dhe Ildeza kanë ende aksione në të, dhe Šeherezada e furnizon dyqanin akoma me receta. Pak para se të niste pandemia e COVID-it, Orijenti hapi dhe një dyqan tjetër ngjitur me qendrën e qytetit.

Grlić, regjisori i filmit, pati xhiruar një skenë 50-sekondëshe në Orijent për versionin televiziv të “U raljama života” (Në kthetrat e jetës), filmit të tij të 1984-ës që pati jehonë në të gjithë Jugosllavinë. Personazhi adoleshent naiv në film lëvizte nëpër ambiente kiç, përfshirë dhe atë ëmbëltore, për ta theksuar jetën e saj kiç. Por sipas Grlić, skena nuk ishte thjesht satirë, por edhe tribut për Orijentin e fëmijërisë së vet.

Para katër vjetësh, nipi i Zulfisë Andrija e gjeti dhe postoi atë skenë në internet. Mes disa komentesh nostalgjike kroatësh, një në shqip. “Daja i babës sem”, kishte shkruar Selman Trota.

Personi që më kishte folur për pasurinë marramendëse të Zulfi Tahirit në Kroaci ka një ëmbëltore të vogël në rrethinat e Tiranës. Më tregoi se si në pranverë kishte vajtur në Shtrezë me një dedektor metalesh. Në fshat kishte qarkulluar me kohë fjala se Zulfia pati futë në dhe atje floririn që kishte marrë familja kur shitën bagëtitë dhe floririn që kishte sjellë ai nga Kroacia. Nuk pati arritur të gjente gjë. “E bëj çdo dhjetë vjet atë punë”, më tha. “Por rrezik që nuk ka gjë aty brenda.”

Motrat Tahiri nuk dinë të të sqarojnë saktë se pse pati zgjedhur i jati emrin Ahmet kur u vendos fillimisht në Zagreb. Ai u pat thënë se kishte marrë emrin e pronarit të mëparshëm, atij që ishte zhdukur në 1936-ën për të mos paguar borxhet. Nganjëherë, në mendje u shkon se mos i jati ka dashur të fshehë diçka. Por është një hamendje që zor se ka për të marrë përgjigje. Ka kaluar shumë kohë. Në fakt, një historian kroat e pati marrë Ildezën në telefon në tetor dhe i pati thënë se, me ç’dukej, familja e saj ishte familja më e vjetër shqiptare në Zagreb./ Kosovo 2.0

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja