Reportazh/ Voskopoja tjetërsohet 
nga ndërtimet pa leje 

Reportazh/ Voskopoja tjetërsohet <br />nga ndërtimet pa leje 
Qindra turistë ngjiten drejt Voskopojës për t’i ikur vapës. Çfarë thonë voskopojarët për rrugët e shkatërruara
 
Pasi kemi lënë pas Korçën, jemi futur në rrugën e Voskopojës diku e prishur dhe diku e asfaltuar… Udhëtojmë në një rrugë zigzage në gjoksin e maleve. Pyjet e pishave shekullore na shoqërojnë pothuajse gjatë gjithë rrugës. Një tablo e mrekullueshme! Jemi në mbretërinë e pyllit, ku dëgjohen vetëm cicërima zogjsh që krijojnë një simfoni të vërtetë me burime të shumta dhe ujëra të kristalta. Vapa sfilitëse është fashitur krejt në këtë lartësi dhe fillojnë dhe fryjnë erëra të freskëta që t’i mbushin mushkëritë gjithë ozon …

Vargan i pafund veturash dhe autobusësh udhëtojnë drejt Voskopojës. Aty sheh targa nga të gjitha rrethet e vendit, veçanërisht nga Tirana, Korça, Elbasani, Durrësi, Fieri, Shkodra, Lushnja dhe një numër i madh veturash nga vende të huaja me targa greke, italiane, etj. Pas këtij vargani, edhe ne jemi ngjitur në qendër të fshatit Voskopojë. Një tabelë prezantuese dhe orientuese na dikton se çfarë mund të vizitojmë aty. Mes malesh dhe pishash shekullore, mbi një vegim qindravjeçar të shpaloset e kaluara, një e kaluar që përmendet edhe në historinë e shumë vendeve të Europës.

Në Vjenë dhe në Budapest gjen të vendosura skulpturat e prodhuara nga duart e voskopojarëve. Mjafton të kujtojmë një fakt të thjeshtë: luanët e vendosur në një nga urat më të mëdha të Budapestit, janë luanët që kanë qenë të vendosur në Voskopojën e hershme. Voskopoja me historinë e saj mbetet një simbol i kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Edhe pse shumë monumente të trashëgimisë janë zhdukur nga shkatërrimet e njëpasnjëshme përgjatë tre shekujsh dhe një pjesë janë grabitur gjatë Luftës së Parë Botërore prej ushtrisë franceze, fatmirësisht këtu ruhen një pjesë e mirë e këtyre thesareve. Tabelat shkruajnë se mund të vizitosh, pjesë nga kisha e Shën e Premtes, e cila është gjysmë e rrënuar, kishën e Shën Mërisë, kisha më e vjetër dhe më e madhe,  Manastirin e Shën Prodhomit, ku ndodhet kulla e kambanores, e cila është ndërtuar në vitin 1632.

Aty është kisha e Shën Kollit, kisha e Shën Mëhillit, kisha e Shën Thanasit, kisha e Shën Ilias, Ura e Shën e Premtes, Ura e Kovaçit, të cilat për vlerat unikale janë shpallur Monumente Kulture. Por vizitat nuk mbarojnë këtu. Vetëm 18 km larg qytetit të Korçës në një lartësi gjeografike, e cila shkon nga 800 deri në 1650 me majën e Shullërit të Madh në perëndim, njeriu që ikën zhurmës së metropoleve mund të shijojë një dimër me borë, një pranverë të ndezur me blerim, një verë të freskët me puhizat që vijnë nga pyjet, një vjeshtë me petale piktorike prej ylberi.
 
Mes njerëzve të Voskopojës

Bisedojmë me Voskopojarët për motin e thatë për blegtorinë për jetën e tyre, për emigrantët që janë kthyer nga Greqia apo Italia për t’u çmallur fëmijët me gjyshërit e tyre … ndoshta të mësojnë edhe se ç’halle kanë. Ja, po të futesh tek zona e kishave dhe tek Akademia do të hasësh një rrugë gjithë gropa. Vasillaq Bitri, i cili udhëton me familjen dhe të afërmit për një uikend në Voskopojë për gazetën “Shqiptarja.com” thotë se nëse do të kishin gojë këto makinat e shkreta, do të flisnin se çfarë heqin nga kjo rrugë! Biznesmeni Shero Pasha thotë se “gjithçka e kemi ngritur me forcat tona dhe kënaqësia është e madhe kur ka fluks të pushuesve, por ai shton se “është vërtet për të ardhur keq Voskopojës t’i mungojë një plan rregullues dhe studim urbanistik, sepse po bëhen ndërtime kaotike duke tjetërsuar troje. Ka shumë kërkesa për ndërtime të reja, por frenohen pikërisht nga mungesa e këtij plani rregullues për fshatin dhe tërë zonën turistike. Sot fshati Voskopojë përbëhet nga 1020 banorë dhe 205 shtëpi. Banorët merren me blegtori dhe shumë pak me bujqësi. Të ardhurat e banorëve sigurohen kryesisht nga emigracioni. Nuk gjeje asnjë shtëpi të Voskopojë, e cila të mos kishte emigrantë. 
 
Voskopoja dikur...

Sipas dokumenteve të hershme fillimi i ndërtimit të Voskopojës ka filluar në shekullin e XIV. Banesat e para janë ngritur aty ku sot është rrënoja e kishës së Shën e Premtes. Për emrin e Voskopojës ka disa hipoteza, por teza më e besueshme është ajo “Voskopolis “ që përkthehet “Qytet i barinjve“. Megjithatë, periudha e lulëzimit të plotë të Voskopojës ka qenë shek XVIII, e përbërë nga popullsi me 20 mijë banorë deri në 40 mijë banorë. Voskopoja ka pasur lidhje me shumë krahina dhe qytete përreth. Nga Voskopoja zinin fill rrugët që e lidhnin atë me Beratin, Durrësin dhe më pas Vlorën, Voskopoja lidhte Korçën me Ohrin, etj

Voskopoja është një nga qendrat më të zhvilluara, e cila është përmendur në të gjitha analet europiane nga shekulli 13-të deri në shek e 18-të për natyrën bukuritë, klimën e mrekullueshme. Voskopoja ka pasur akademi, bibliotekë, shtypshkronjë, spital urbanistikë të përsosur, tregti të gjithanshme me Ballkanin dhe Europën. Tri herë është djegur dhe shkrumbuar Voskopoja thonë të moshuarit por ka mbijetuar. Këtu çdo gur, çdo shkëmb, çdo gërmadhë rrezaton një histori.
 
Çfarë vizitojnë
turistët në Voskopojë?


Në Voskopojë zhvillohet turizmi kulturor duke vizituar objektet e trashëguara, bëhen shëtitje alpinistike nëpër pyjet e pafund me pisha. Fshati është i sistemuar me vila të vjetra dhe shumë të reja me rrugë të kalldrëmta, me çezma dekorative dhe sofate. Këtu tek Luadhi i Skolive më 1730 ka qenë e ndërtuar Shtypshkronja e parë në Ballkan dhe në tërë perandorinë osmane. Ecim më tutje pranë kishës së Shën Janit, ku ka qenë godina e Akademisë së Voskopojës, e cila ka pasur një ndërtesë trekatëshe me 40 salla dhe dhoma mësimi. Pranë saj ndodhej një jetimore dhe spitali. Bazilikat e shumta janë thesaret e Voskopojës. Kisha dhe një manastir me afreske murale të papërsëritshme të mjeshtërve të mëdhenj, Zografit, Selenicasit, Shpatarakut …24 kambanat e Voskopojës me emrat e Kavaliotit, Baron Sinës, Cekanit janë të shkruara me germa të arta në historinë e Voskopojës …

Tek zona e quajtur “Luadhi i Dhespotit “një shesh i gjerë me pemë dhe luadhe dhe kroje  ku dikur ishte tregu i madh i qytetit, zhvilloheshin panaire nga gjithë Shqipëria e Jugut, Maqedonia dhe Greqia. Të moshuarit kanë trashëguar nëpërmjet gojëdhënave se në Voskopojë kanë funksionuar 25 mullinj. Sot në Voskopojë mund të gjeni hotele bashkëkohore, vila familjare me oxhak karakteristik në dhomë. Ka një kuzhinë me gatime tradicionale. Mishi i pjekur në hell është një nga specialitetet e veçanta. Aty gjen fusha minifutbolli dhe kënd lojërash për fëmijë, si dhe fusha tenisi dhe parking të garantuar të mjeteve. Në stinën e dimrit panorama në Voskopojë bëhet akoma më fantastike me një ngrohje me oxhak me dru zjarri...

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të gazetës "Shqiptarja.com"

Redaksia online
(b.t/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

OBSH: Arrihet pajtim për pauza të shkurtra në luftime në Gazë për vaksinim kundër poliomielitit

OBSH: Arrihet pajtim për pauza të shkurtra në luftime në Gazë për vaksinim kundër poliomielitit