Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën nga qyteti i Shkodrës, se projekti i rikonstruksionit të stadiumit "Loro Boriçi" është një hap shumë i rëndësishëm për rilindjen e sportit në Shqipëri".
I shoqëruar nga kandidatja e majtë për bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari dhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, Rama përuroi nisjen e punimeve për rikonstruksionin e stadiumit "Loro Boriçi".
Gjatë aktivitetit të organizuar për këtë rast, Kreu i ekzekutivit u shpreh se Qeveria e drejtuar prej tij ka bërë në dy vite shumë më shumë se sa është bërë në 20 vite për sportin.
"Në dy vite punë, kjo qeveri rikonstruktoi stadiumin e Elbasanit, po nis punën për rikonstruksionin e stadiumit "Loro Boriçi". Kemi investuar në infrastrukturën sportive, duke ideuar dhe parkun kombëtar të sporteve", shtoi Rama. Sipas tij, një rikonstruksion i tillë është një shtysë për zhvillimin e qytetit.
"Shumë thonë se ky investim është shumë i madh dhe do të ishte më mirë që këto para të ishin shpërndarë diku tjetër, por ne mendojmë se përmes këtij stadiumi do t'i jepet një shtysë zhvillimit të qytetit. Mendoni pak sa të ardhura ka vjelë Elbasani vetëm në dy ndeshje të zhvilluara nga kombëtarja shqiptare dhe pikërisht kjo, është ajo që duam edhe për Shkodrën", tha Rama.
Sipas tij, vepra të tilla janë të ngjashme me efektin Bilbao. "Qyteti i Bilbaos në Spanjë ka qenë një qytet problematik sa i takon anës ekonomike dhe sociale. Por, kryetari i Bashkisë së atij qyteti vendosi të ngrejë një muze. Të gjithë e kritikuan kryetarin e bashkisë, por më vonë u penduan, pasi muzeu u kthye në një biletë vizite për turistët e huaj dhe për shumë investues, të cilët hodhën parat e tyre në të mira e shërbime pranë muzeut. Prandaj, edhe ky stadium ne duam ta kthejmë në një motivim të ri për vizituesit", shtoi Rama.
Duke folur për vetë stadiumin, Kryeministri theksoi se projekti parashikon palestra, parashikon pistë vrapimi dhe ajo që është më e rëndësishme, një muze për historinë e sportit shkodran. "Nuk mund të ecet përpara pa ditur historinë tënde. Prandaj për shumë të rinj që nuk dinë se kush është Loro Boriçi, apo figura të tjera thelbësore të sportit shkodran, projekti parashikon edhe muzeun e Vllaznisë", vijoi Rama.
Kryeministri i vendit gjithashtu premtoi se pas këtij stadiumi, qeveria do të nisë projektin për rikonstruksionin e stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa".
Sa i takon projektit të stadiumit "Loro Boriçi", mësohet se përreth impiantit do të hapen rrugë të reja, si dhe do të ndërtohet parking për rreth 600 automjete. "Loro Boriçi" do ketë një kapacitet prej 16-17 mijë vendesh të ulura, i cili pas përfundimit do jetë më i madhi, të paktën deri në ndërtim të stadiumit "Qemal Stafa". Kostoja e stadiumit do të shkojë deri në 15 milionë euro dhe financimi do jetë trepalësh: mes qeverisë shqiptare, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-s. Po ashtu gjatë inagurimit ishte i pranishëm dhe Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. 
Më herët, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një fermë në qytetin e Shkodrës, ku theksoi se qeveria do të ketë më shumë vëmendje drejt këtij sektori.
Gjatë vizitës në fermë, Kryeministri Rama u shpreh se "do të investohet më shumë edhe në tokat bujqësore, si dhe në sektorët e rëndësishëm që nxisin zhvillimin e vendit".
Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit, Ilir Meta do të prezantojnë rreth orës 11:00 kandidaten Bazhdari, si zgjedhjen e koaliconit të majtë për Bashkinë e Shkodrës.(vijon)
/atsh/