Romani i ri, Kongoli kthehet nga
Amerika me një rrëfim tronditës

Romani i ri, Kongoli kthehet nga<br />Amerika me një rrëfim tronditës
TIRANE- Shkrimtari i njohur Fatos Kongoli dje sapo është kthyer nga Amerika, ndërsa lajmi për botimin e romanit të tij të ri vjen para tij. Ai është nga shkrimtarët më të suksesshëm dhe që ka gjithmonë një vepër në duar. Pas romanit të fundit “Njeriu me fat” shumë më shpejt se ç’pritej boton “Gjemia e mbytur”. Botuesja e “Toena”-s konfirmon daljen në dritën e botimit të ronmanit të ri dhe shpërndarjen në treg më 10 shkurt 2015.

“Gjemia e mbytur” tjerr fabulën e fateve njerëzore, shpirtin e të përvuajturit për shkak të njerëzve të përçudnuar”, thuhet në njoftimin e shtëpisë botuese “Toena”, ndërsa shkrimtari shprehet se është herët të flasë për temat: “duhet lexuar më parë romani se mund të keqkuptohet mesazhi”. Në romanin e ri të Kongolit përshkruhet mbërritja e së keqes njerëzore, sesi njeriu bëhet xhelati më i egër i njeriut. Përmes përshkrimit të emocioneve njerëzore, shkrimtari ngre pikëpyetje të mëdha mbi sjelljen ekxistenciale të njeriut.

A ka kuptim ndëshkimi? A ka kuptim katarsisi pas një krimi të kryer me ndërgjegje të qetë? Po ndjesa sa vlerë ka? Po dashuria, ajo e burrit për gruan, e prindit për fëmijën, e njeriut për njeriun, e njeriut për natyrën; është aspiratë apo iluzion? Ja disa nga këto pyetje ekzistenciale autori i ngre në romanin e tij më të fundit, por kur e pyet se çfarë ka dashur të shprehë me këtë mënyrë perceptimi, ai thotë me humor se “duke e parë kështu kam frikë se njerëzit do nisin të flasin pa e lexuar librin”.

Natyrisht ashtu si në veprat e tjera të Fatos Kongolit, ngjarjet dhe pesonazhet janë universalë. Ai i merr ata nga jeta e përditshme, por me stilin e veçantë ata i bën të jetojnë ndonjëherë edhe ne vazhdimësi nga njëra vepër në tjetrën. Duket se Fatos Kongoli do të na trondisë sërish emocionet me personazhe që na kalojnë çdo ditë kaq pranë e nuk i shohim. Në roman nuk bëhet qëllim i shkrimtarit trajtimi i një drame, por lexuesi vetë do të përjetojë një dramë njerëzore, duke e holluar më shumë fillin që ndan realen nga deliri, ëndrrën nga e përditshmja, dramën nga erotizmi… Fatos Kongoli përshkruan njeriun e tranzicionit, njeriun që ende në shoqërinë shqiptare është në tranzicion.

Duket se shkrimtari që i preku majat e krijimtarisë së tij pas viteve ’90, edhe në moshën 71-vjeçare vazhdon të ketë sukses me penën dhe stilin e tij. Kur ke lexuar rrëfimet delikate të çdo romani të Fatos Kongolit, kupton se ai ende nuk i ka thënë të gjitha, ende nuk i ka shprehur, ndaj të tjera libra priten të vijnë nga ai. Jemi kurioz tani për romanin e ri, “Gjemia e mbytur”, por ndërkohë veprat e tjera të botuara të Kongolit po vijojnë të kenë sukses. Ato janë të përkthyera në 11 vende të botës, duke e radhitur kështu emrin e Fatos Kongolit si një nga shkrimtarët më të njohur në Europë, pas Ismail Kadaresë.

Librat e tij i gjen të përkthyer në frëngjisht, me mjeshtëri nga Edmond Tupja, por edhe në gjermanisht, italisht, etj. Vperat e tij i gjen në libraritë e Italisë, Zvicrës, Greqisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Francës, etj.  Fatos Kongoli u lind më 12 janar 1944 në Elbasan. Ai është romancier, redaktor dhe matematikan shqiptar. Veprat e tij më të njohura janë “Si-do-re-la”, “I humburi”, “Jeta në një kuti shkrepësesh”, “Kufoma”, “Ne të tre”, “Njeriu me fat”, e dhjetëra të tjera.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Retrospektivë/ Si votoi Himara në 1945? Afrim Krasniqi publikon dokumentin

Retrospektivë/ Si votoi Himara në 1945? Afrim Krasniqi publikon dokumentin