Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili bëri thirrje sot që shqiptarët të refuzonin të paguanin taksën në "Rrugën e Kombit". Harresë apo e qëllimshme? Mbetet për t'u parën. Por në fakt, kur Vasili ishte ministër i Shëndetësisë, kolegu i tij Edmond Haxhinasto, në një emision në 24 janar 2014 (kur PS dhe LSI qeverisnin së bashku) deklaronte “unë jam optimist që brenda këtij viti kjo rrugë do të jepet me koncesion por besoj që do të jetë një mënyrë për të plotësuar edhe disa nga ato punime që akoma nuk janë plotësuar". "Këto kanë të bëjnë që nga urat, skarpatat që kanë patur rrëshqitje, për ta përfunduar dhe sjellë në një standard të pranueshëm këtë rrugë. Është në projekt koncesionimi edhe i rrugëve të tjera si ajo Tiranë-Durrës apo Tiranë-Elbasan”.
Në një tjetër deklaratë publike të 29 tetorit 2014, Edmond Haxhinasto deklaronte për çështjen e kostos së kalimit "është diskutuar për një kosto 5 euro por nuk mund të them se është shifra përfundimtare".
"Mendoj se do ndjekim një praktikë që tashmë është botërore. Është e domosdoshme që përdoruesit e rrugës, për të marrë një shërbim me cilësi më të lartë duhet të kontribuojnë për mirëmbajtjen e rrugës. Kjo masë që unë thashë është llogaritur duke patur parasysh edhe mesataret rajonale. Nuk është më e lartë se mesataret rajonale. Ajo masë është relativisht gati sa 3-4 litra naftë dhe besoj që do jetë një kosto e përballueshme nëse do kemi parasysh cilësinë e re që do të ofrohej në rrugë në rastin e realizimit të të gjitha shërbimeve të mirëmbajtjes që ajo rrugë ka nevojë”.
Edmond Haxhinasto, ish-ministër i Transporteve
Ndërkaq, 14 Tetorin e vitit 2016, shkruan Lexo.al Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, njeriu që në fakt drejtoi negocimin e kontratës përfshirë tarifat e kalimit të mjeteve dhe firmosi në fund kontratën e cila kaloi në qeveri e ka mbrojtur këtë koncesion në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit.
“Pyetja që ju shtroni është jashtëzakonisht shumë e drejtë: çfarë do të bëhet me banorët e Kukësit? Në negociatë kjo është një nga çështjet kryesore që ne do të trajtojmë, jo thjesht për ata që kanë ndonjë hallë apo emergjencë të transportit mjekësor, por për të gjithë banorët e Kukësit duhet gjetur një zgjidhje optimale ,që ata as të mos i rëndojë, as të mos i ngarkojë, as të mos ju prishë terezinë financiare, me njëfarë kuptimi, sepse duke parë dhe pasur parasysh specifikat e zonës, varfërinë, problemet sociale që ajo ka, kjo do të jetë një nga çështjet kryesore që do të marrim në konsideratë gjatë negocimit të kësaj kontrate dhe këtij koncesioni”, theksonte Dervishaj.
E më tej, ai thekson rëndësinë se përse duhet që ky aks rrugor strategjik të kalojë për mirëmbajtje përmes një koncesioni.
“Është e rëndësishme që ky koncesion të fillojë të fillojë të operojë sa më parë. Pse? Jemi në prag të dimrit, mirëmbajtja e rrugëve dhe buxhetimi që ne i kemi bërë mirëmbajtjes së rrugëve në vite është shumë e rëndësishme, sepse ne rrugë ndërtojmë, por për t’i mirëmbajtur nuk harxhojmë ndonjë lekë dhe më pas themi pse u prish rruga, pra është ajo çështja e planifikimit strategjik që diskutuam, që vjen këtu te ju dhe ju e miratoni, më pas na kërkoni llogari pse u prish rruga. Është shumë e rëndësishme të fillojë mirëmbajtja e Rrugës së Kombit, sepse është një investim strategjik, sikurse ju e thatë, është një investim që lidhë Shqipërinë me Kosovën, rajonin e kështu me radhë. Por është shumë e rëndësishme që të përfundojë i gjithë projektin, sepse projekti i rrugës ende nuk ka përfunduar i gjithë, dhe është shumë e rëndë sishme që rruga të mirëmbahet. Mosmirëmbajtja e rrugës atë investim strategjik, e kthen në një investim dramatikë më pas, që do të dojë kosto pafund për t’u rivendosur përsëri në parametra normalë. Kështu që besojmë se po ecim në drejtimin dhe në rrugën e duhur”.
Sokol Dervishaj, ish-ministër i Transporteve