Rruga letrare Itali-Shqipëri
nis nga Pulia

Rruga letrare Itali-Shqipëri<br />nis nga Pulia
TIRANE- Një lajm vjen nga Leçe (Leccenews24.it). Më 23 janar 2014 në Shqipëri do të nënshkruhet një konventë me nismën e shtëpisë botuese “Besa”, e cila do të fokusohet në rrugën letrare që lidh Italinë me Shqipërinë, duke e nisur nga Pulia. “Më në fund do të flasim rreth shkëmbimeve kulturore që kanë dy territore fqinje me njëri-tjetrin, por që kanë ecur në rrugë të ndryshme”, shprehet Luisa Ruggio, shkrimtare dhe gazetare në Leçe.

Për organizatorët ky është një moment historik në fushën e letërsisë që i referohet emigrantëve shqiptarë që shkruajnë në italisht. Nënshkrimi i konventës do të bëhet në konferencën që është titulluar “Kujtesa, identiteti dhe integrimi – Letërsia e emigrantëve shqiptarë në gjuhën italiane”. Konferenca do të mbahet në hotelin Tirana Internacional në Tiranë, më 23 janar 2014, nga ora 9.00. Qëllimi i autorëve, botuesve, kritikëve dhe ekspertëve të fushës është krijimi i një klime dialogu mes dy brigjeve të Adriatikut.  
 
Pulia, frymëzim për penat e shkrimtarëve të ardhur nga Shqipëria
Konferenca që do të zhvillohet në Tiranë ka lindur nga nevoja e njohjes së asaj dukurie letrare që ka ndodhur në anën tjetër të Adriatikut, në Itali, ku jetojnë shkrimtarë shqiptarë gjatë 20 e ca viteve mërgim. “Ndaj ka lindur nevoja e njohjes më të gjerë në Shqipëri të një dukurie letrare që zhvillohet nga krahu tjetër i Adriatikut, ku ka pasur një rritje të ndjeshme në njëzet e ca vitet e emigracionit shqiptar. Janë të shumtë shkrimtarët shqiptarë, të njohur e të vlerësuar në Itali, që shkruajnë drejtpërdrejt në gjuhën italiane, e jo të gjithë njihen mirë në Shqipëri”, shkruhet në median lokale “Leccenews24.it”.

Në këtë shkrim bëhet fjalë për shkrimtarë të talentuar shqiptarë si Ornela Vorpsi, Artur Spanjolli, Gëzim Hajdari, Arlinda Ibrahimi, Ron Kubati, Arben Dedja, Elvira Dones, Darien Levani, Enkelejd Lamaj e të tjerë. Këta autorë pavarësisht gjuhës në të cilën shkruajnë kanë shpesh në qendër të veprave të tyre Shqipërinë.  Konferenca organizohet nga shtëpia botuese “Besa” Idk, Cesforia, Cisva, Fondacioni “Gramshi” i Pulias, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë dhe Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare.

Gjithashtu kjo konferencë bëhet me mbështetjen e Drejtorisë për Mesdheun të Krahinës së Pulias, sepse Pulia për shumë prej këtyre autorëve nuk është vetëm qyteti historik që priste emigrantët, por edhe vendi ku bashkohen dy kulturat e dy shteteve që janë lidhur pazgjidhshmërisht nga i njëjti det. Pulia ka frymëzuar prej vitesh penat e shkrimtarëve të ardhur nga Shqipëria, duke i ndihmuar ata në shkëmbimet e përvojave, emocioneve dhe ideve të shkrimtarëve shqiptarë me ata puliezë.
 

Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane