Ryshfeti 50 mijë €, gjykata liron
Odhise Andrean, burri i gjyqtares

Ryshfeti 50 mijë €, gjykata liron<br />Odhise Andrean, burri i gjyqtares
TIRANE-Odhise Andrea,  bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea fiton lirinë dhe pse iu shmang prej më shumë se 6 muaj drejtësisë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me tre vota pro dhe dy kundra caktoi si masë sigurie për Odhise Andrean atë të arrestit në shtëpi. 50 mijë eurot e sekuestruara nga prokuroria, Odhise Andrea para gjykatës u shpreh se i mori borxh nga Petraq Dashi dhe nuk kanë lidhje me korrupsionin.

Pasi dëgjoi palët, trupi gjykues vendosi sot ‘arrest shtëpie’ për Odhise Andrean, duke bërë që ky i fundit t'i shpëtojë burgut. Kolegji Penal këtë të enjte lexoi vetëm vendimin ndërsa Report Tv ka mësuar se Odhise Andrea ka fituar lirinë vetëm me 1 votë,  pasi gjyqtarët janë ndarë 3 pro masës së sigurisë nga burgu në arrest shtëpie dhe 2 kundra.

Në seancën e sotme Odhise Andrea  doli para trupit gjykues duke kërkuar pafajësi. Sipas tij, përgjimet e Prokurorisë e policisë ndaj tij kanë qenë të pjesshme. Ai pohoi se ka marrë 50 mijë euro por nuk kanë qenë për gjyqet e së shoqes, por borxh sepse i nevojiteshin për biznesin e mermerit.

“Ia mora 50 mijë euro Petraq Dashit si borxh për firmën e mermerit dhe jo për korrupsion. Unë kam biznes e më duheshin paratë për të blerë makineri. Por përgjimet kanë qenë të pjesshme dhe survejimet po ashtu”.

Odhise Andrea prej 15 Korrikut 2016 u largua drejt Italisë dhe deri më 9 Janar 2017 Policia e Shtetit nuk pati asnjë gjurmë prej tij dhe pse kërkohej nga drejtësia.

Me vetëdorëzimin pranë uniformave blu Andrea u shpreh se nuk i është shmangur drejtësisë por gjeti një mënyrë të vinte në Shqipëri dhe pse me vonesë pasi nëse vinte më parë arrestohej dhe do të kalonte nëpërmjet procedurave të ekstradimit nga Italia.

Po lidhur me largimin në Itali, Andrea tha se nuk është arratisur, por se është larguar 10 ditë para se të dilte urdhër-arresti ndaj tij. 

“Ishte udhëtim i planifikuar dhe është bërë 10 ditë para se të dilte urdhër arresti. Nuk jam arratisur”, tha Andrea. Por prokurori Arben Kraja kërkoi që Odhise Andrea të qëndrojë në burg pasi ka rrezik për prishje provash.

Pas dëgjesave, u dha vendimi ‘arrest  shtëpie’. Vendimi u mor nga trupi gjykues Evelina Qirjako relatore, dhe anëtarët Artan Zeneli, Medi Bici, Shkëlzen Selimi, Ardian Dvorani .

Pas më shumë se katër muaj në arrati, Andrea u vetëdorëzua në policinë e Tiranës ndërsa mister mbetet fakti se si ka hyrë në territorin shqiptar, pasi ai ligjërisht nuk ka hyrje dalje pas largimit drejt Italisë.
 
“Gjeta një mënyrë si të hyj në Shqipëri”, tha Odhise Andrea por pa treguar se cila ishte kjo mënyrë.

Vetë Andrea refuzoi të jap një koment para kamerave për lirimin e tij, ndërsa në sallën e gjykimit ku kamerat nuk u lejuan ai mohoi akuzën duke deklaruar se gjithcka është bërë për denigrimin e figurës së tij dhe të bashkëshortes. Odhise Andrea akuzohej për veprën penale të "korrupsionit pasiv".

Ai ndodhet në proces gjykimi së bashku me bashkëshorten e tij gjyqtare, Majlinda Andrean dhe tre persona të tjerë, për një aferë 50 mijë euro, lidhur me një vendim pronësie rreth 40 ha tokë në Ksamil. 

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej muajit korrik të 2016-ës, ndërsa Gjykata e Lartë, (e njëjta qe e gjykoi sot), kishte dhënë masën e arrestit me burg. 

Tre të akuzuarit e tjerë janë Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Eleni Lino dhe Ilia Çabiri, i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro në këmbim të një vendimi pronësie. Paratë i janë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares, Odhise Andrea nga sekseri Petraq Dashi. 

Këto para, pasi i janë marrë personave që fituan pronësinë e 40 ha truall në Ksamil, janë depozituar në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë të ndara përkatësisht në 32 mijë euro dhe 18 mijë euro në llogaritë bankare të bashkëshortit të gjyqtares, Odhise Andrea.

Aktualisht për këtë vepër penale mbeten në qeli Petraq Dashi dhe Ilia Cabiri, ndërsa gjyqtarja,  bashkëshorti i saj dhe Eleni Lino hetohen në gjendje të lirë.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh

Mësuesi kthen shtëpinë në shkollë për të mësuar Romishten: Po harrojmë ta shkruajmë, politika jo vëmendje ndaj nesh