Kjo vepër e cila i kushtoi Sami Frashërit 11 vite jetë është edhe vepra e cila “e bëri Sami Frashërin shkencëtar në suaza ndërkombëtare; vepra e cila e kishte shty të shëtisë bibliotekat e shumta të kohës dhe të gjurmojë edhe librat të cilët i kishte mbuluar pluhuri; vepra e cila e kishte lodhur më së shumti…”, siç e cilëson studiuesi Mehdi Polisi, i cili e përzgjodhi, përktheu dhe botoi në vitin 1992 nën siglën e botimeve Rilindja në Prishtinë veprën me titull “Personalitete shqiptare në KÂMÛS AL-A'LÂM TË SAMI FRASHËRIT”. Pikërisht nga ky botim ne e kemi shkëputur këtë portret kushtuar Ali pashë Tepelenës.
Ndër të tjera Sami Frashëri e portretizon kështu pashain: “Ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet…”. E sjellim më poshtë për lexuesit e Shqiptarja.com këtë portret të Ali Pashë Tepelenës gdhendur mjeshtërisht prej Sami Frashërit.
Nga Sami Frashëri
Ishte vali dhe derebeg në Janinë plot 33 vjet në kohën e Sulltan Selim Hanit III, Sulltan Mustafa Hanit IV dhe Sulltan Mahmud Hanit II. Ishte një vezir i cili me veprimet e tij të jashtëzakonshme, me vrazhdësinë dhe pamëshirshmërinë e tij fitoi famë të lartë.
Lindi në vitin 1145/1732 në kasabanë e Tepelenës (Në literaturën osmane njihet me trajtën Tepedelen) në Shqipëri. Gjyshi i tij, Ali Pasha, fitoi gradën mir-miran. Kur në luftën e Korfuzit e sulmoi kalanë, tregoi një trimëri dhe guxim të madh, por u vra. I la pas vetes tre djem. Të mëdhenjtë e lanë pa trashëgimi Veli beun, babain e këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, prandaj, Veli beu ishte i shtrënguar të merret me vjedhje. Pasi u pasurua dhe u përforcua në këtë mënyrë, me shokët e tij u kthye në Tepelenë. Vëllezërit e tij i dogji në shtëpitë e tyre. Për këtë shkak bejlerët e Tepelenës morën qëndrim të prerë që këtë ta bojkotojnë dhe ta dëbojnë nga krahina e tyre. Më pastaj Veli beu vdiq. I kishte dy gra; me të parën kishte një djalë, kurse me të dytën një djalë dhe një vajzë. Bashkëshortja e dytë me emrin Hanko, nga Konica (meqë gjuha turke-osmane nuk e ka shkronjën c, shkruhet me ç; Koniça), ishte një grua trime, energjike dhe e ashpër. Ajo për t'iu revanshuar bejlerëve të Tepelenës bëri marrëveshje me ish-shokët e ngushtë të bashkëshortit, kurse fëmijën e saj, Aliun, që nga vegjëlia e mësonte për hakmarrje dhe që të jetë sa më i ashpër ndaj tyre. Në mes bejlerëve të kasabasë së Kardhiqit, e cila i takonte Gjirokastrës dhe familjes së Ali Pashës prej kohësh kishte hasmëri. Meqë kardhiqasit për Hankon, nënën e Aliut dhe për motrën e saj, Shaensanë, kishin hetuar disa sjellje jo të mira dhe prishje të moralit.
Hankoja, kur ishte duke vdekur, e kapi Aliun për jake dhe e këshilloi (e porositi) që të hakmerret ndaj kardhiqasve. Duke vazhduar rrugën e prindërve të vet, Aliu bëri një pasuri të madhe dhe, pasi i mbushi 20 vjet u martua me Emine Hanëmin, vajzën e Kapllan Pashës së Delvinës, i cili ishte vali i Gjirokastrës(në tekstin origjinal qëndron Ergiri. Kështu quhet Gjirokastra në literaturën osmane). Atë kohë, për t'i zhdukur bandat plaçkitëse që ishin përhapur dhe që krijonin shqetësime në ato anë, u urdhërua Kurt Pasha, vali i Beratit, i cili e pa të udhës ta përvetësojë Ali beun. E mori pranë vetes dhe e shpërblente. Edhe pse i pat premtuar se do t'ia japë vajzën, më vonë u tërhoq nga fjala e dhënë. Kështu, meqë e bëri dhëndërr Ibrahim Pashë Vlorën, Ali beu u nda nga ky dhe përsëri, duke mbledhur një grup shokësh, i futi nën qeverisjen e vet, me forcë, krahinat e Gjirokastrës, Përmetit dhe Konicës. Dhe, atëherë iu dha fermani i lartë për ta vrarë Kapllan Pashën e Delvinës, i cili i ishte nënshtruar Gadap Pashës. E vrau pashain e sipërpërmendur i cili njëherit ishte vjehërr i tij. Në ndërkohë u hap fronti i Austrisë dhe Rusisë. Ali beu mblodhi një numër të madh ushtarësh shqiptarë dhe shkoi në luftë. Meqë tregoi trimëri dhe guxim të madh në fushëbetejë dhe, meqë pati rezultate të mëdha, u emërua mutesarrif në mutesarrifllëkun e Terhallës me gradën mir-miran.
Ali Pasha kur u bë mutesarrif i Terhallës, bëri përpjekje që nën qeverisjen e vet ta fusë edhe Janinën. Në fund, në vitin 1203/1788 posa u caktua me detyrë të vezirit në vilajetin e Janinës, Ali Pasha në njërën anë u përpoq të hakmerret ndaj armiqve të vjetër dhe t'i zgjerojë kufijtë e në anën tjetër, vendet që janë nën qeverisjen e tij t'i izolojë nga njerëzit dhe kryetarët me autoritet, të cilët do të mund t'ia ndryshonin punët dhe planet e tij. Ia drejtoi ushtrinë Ibrahim Pashës i cili kishte kaluar në vend të Kurt Pashës, vetë atë e zuri rob dhe e mbajti në një qeli të errët të kalasë derisa vdiq, kurse vajzat e tij i mori me forcë dhe i martoi me djemt e vet, me Muhtarin (në gjuhën shqipe shqiptohet Myftar - M.P.) dhe Veliun. Ibrahim Pasha i sipërpërmendur, duke qenë një personalitet shumë i sinqertë, i ndershëm dhe i moralshëm, i lutej atij (Ali Pashës - M.P.) për shpëtimin e tërë popullit, mirëpo ai, përkundrazi, edhe më tepër i shtonte torturat e të mjerëve sa që kur nga Porta e Lartë shkoi urdhëri i prerë që Ibrahim Pasha të qeverisë në vilajetin e Beratit, Aliu, sipas një versioni, e vrau atë të ngratë me dorën e vet, por raportoi se ai ka vdekur nga një vdekje e zakonshme. Kështu i zgjeroi kufijtë nga ato anë deri në Elbasan dhe Dibër, të cilët i vuri nën kontrollin e vet. Poashtu, nën qeverisjen e tij, përveç krahinave të Jenishehrit, Terhallës, Moresë dhe Agribozit i futi edhe krahinat e Greqisë. Fëmijët e vet, Myftarin me gradën mir-miran, kurse Veliun me gradën e vezirit i patë emëruar në mytesarrifllëkun e Terhallës.
Kasabatë e Pargës dhe Pervezës, nga Republika e Venedikut kishin rënë nën qeverisjen e Francës. Ali Pasha ua mori Pervezën me luftë francezëve. Ndërkaq, Parga, pas rënies, së Napoleonit kishte rënë nën qeverisjen e Anglisë. Prandaj, këtë e mori nga anglezët. Ndonëse Ali Pasha ishet një njeri i pashkolluar, ishte shumë i aftë dhe i zgjuar. Në vendet që gjendeshin nën qeverisjen dhe administratën e tij, siguroi paqe e qetësi, i përmirësoi rrugët dhe vendkalimet. Pat ndërtuar shumë kala dhe ura si dhe shumë ndërtesa të tjera të forta. Mirëpo, ishte jashtëzakonisht i ashpër, tiran dhe hileqar. Para syve të tij përgatiste skena të ndryshme të torturave më trishtuese (bënte eksperimente), të cilat i shikonte me kënaqësi. Sa më tepër i shtohej fuqia dhe pasuria aq më tepër i shtoheshin edhe hilet. Duke burgosur njerëz në mënyrë djallëzore, e duke përdorur intrigat, shumë prej tyre i zhdukte e shumë herë i shtinte të vrasë vëllai vëllanë me dorën e vet që pastaj edhe këtë ta dënojë me vdekje sipas rregullës “krye për krye”. Ngjarja e Kardhiqit, që u përmend më lart, është një shembull tipik i intrigave dhe tiranisë së Ali Pashës. Kudo që në Shqipëri do të kishte ndonjë familje me autoritet dhe me ndonjë ndikim, po qe se nuk i shkonte për shtati Ali Pashës, ai, një numër të anëtarëve të saj haptas ose msheftas i zhdukte ose i largonte prej aty.
Ndërkaq, një grup prej tyre me propozimin e tyre, natyrisht për të shpëtuar jetën dhe për të mbrojtur dinjitetin e tyre ishin të shtrënguar t'i lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin. I shpërndante nëpër vise të tjera të botës. Të varfërit assesi nuk mundnin të çonin krye nga punët angari. Vajzat dhe gratë e bukura i fajësonte duke konsideruar se shkaktojnë fatkeqësi, prandaj ato ishin të detyruara të fshihen. Meqë vetë ishte injorant, gjithnjë vepronte për shkatërrimin e http://ëëë.dielli.net 25 diturive, edhe pse deri në atë kohë në Shqipëri populli me vetorganizim i mbante dijetarët dhe hoxhallarët. Bëri që të qiten në harresë fetë. Punët administrative i lë në duart e një grupi intrigantësh grekë. Edhe defterët, korrespondencat administrative si dhe shkresat e instancave më të larta shkruheshin me një gjuhë të rëndë greke që mund ta kuptonte vetëm ai. Shkurt, përveç ushqimit që e realizonte për çdo ditë, shkaktonte që në mes shqiptarëve të rritet dhe të përhapet padijenia, varfëria dhe amoraliteti. Nuk frikohej nga grekët, meqë edhe këta ishin vegël dhe pjesëmarrës në intrigat e tij; me fanatizmin e tij ndaj këtyre sillej në mënyrë të butë, e veçanërisht kur humbi besimin nga shqiptarët; për të vepruar kundër tyre armatosi një grup kapetanësh grekë.
Këta pastaj, ato armë i përdorën për pavarësinë e Greqisë. Ali Pasha duke qenë tepër lakmues dhe i etshëm për pozita e rriti forcën dhe ashpërsinë e qeverisjes aq sa mundi dhe kështu deshi të vazhdojë deri në fund të jetës së tij. Mirëpo, më në fund, zullumet e shpeshta u reflektuan te Porta e Lartë. Edhe Pasho beu nga Janina, i cili ishte larguar dhe kishte kërkuar mbështetje (përkrahje) në Stamboll si i pakënaqur nga ai, përmes Halet efendiut të njohur kishte shpjeguar për qëllimin e pavarësisë së Ali Pashës. Në të vërtetë, për këtë u shqetësua Gadap Pasha. Sado që ishte shpallur urdhëresë mbretërore për largimin e thesarit shtetëror nga vilajeti i Janinës, Ali Pasha i cili e mbikqyrte atë thesar (pasuri) në vilajetin në të cilin qeveriste, paraqiti disa mënyra të mbrojtjes dhe disa arsyetime që nuk do të mund të bartet nga Janina. Këto kundërshtime si dhe mendimet e tij të shpjeguara më lart përforcojnë shkakun e pavarësisë. Prandaj, më 1235/1819 iu drejtua ushtria nën komandën e Hurshid Pashës. Bejlerët e Shqipërisë, zaten pjesa dërrmuese e tyre, të pakënaqur nga ai dhe, meqë nuk ndiheshin të sigurt i lëshuan radhët e tij dhe, meqë iu bashkuan Hurshid Pashës, Ali Pasha me një grup të vogël njerëzish (më besnikët) u mbyll në kala.
Pasi bëri ballë një kohë, doli nga kalaja me qëllim që të dërgohet i gjallë te Porta e Lartë. Duke shkuar, në një manastir që ndodhej në një ishull të vogël të liqenit (të Janinës - M.P.), njerëzit që u dërguan nga ana e Hurshid Pashës i përdorën armët, të cilëve, në të njëjtën mënyrë iu përgjigj edhe ky. Me këtë rast, duke u goditur me plumba nga disa anë, vdiq. Ia prenë kokën dhe së bashku me kokat e tre djemve dhe një nipi ia dërguan në Stamboll. I varrosën jashtë Silivrikapisë. Trupin ia varrosën në kala të Janinës përballë një pallati (saraji) që u dogj, i cili deri vonë ishte konak i pushtetit. Ka një tyrbe të përsosur. Nga nipërit e Ali Pashë Tepelenës, Myftar Pasha-zade Mahmud beu një kohë të gjatë shëtiste nëpër Stamboll si prapagandor i njohur i veshur me veshje të sektës melamite; Veli Pasha-zade Selim Pasha u gjend muhafiz në muhafizllëkun e Beogradit dhe në detyra të tjera të larta, ndërsa vëllai i tij Ismail Pasha ka shërbyer në disa vilajete.
dy.b/shqiptarja.com