Autoritetet e Malit të Zi kanë refuzuar hyrjen në vend për 90 shtetas serbë që mbërritën mëngjesin e së mërkurës në Tivat me një fluturim nga Beogradi, vetëm pak para zhvillimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas raportimeve të mediave rajonale, grupi u ndalua menjëherë pas mbërritjes në aeroport, ndërsa policia nisi verifikime të hollësishme për qëllimin e udhëtimit të tyre. Mësohet se personat e ndaluar nuk kanë dhënë sqarime për arsyen e ardhjes në Mal të Zi.

Burime të cituara nga mediat malazeze bëjnë të ditur se kontrollet u kryen në kuadër të masave të shtuara të sigurisë për samitin, ndërsa janë ngritur edhe dyshime për aktivitete që lidhen me sigurinë.

Sipas të njëjtave burime, të 90 personave u është komunikuar ndalimi i hyrjes dhe pritet të kthehen në Beograd me fluturimin e parë të disponueshëm.

Policia malazeze ka konfirmuar se kontrollet në Aeroportin e Tivatit janë forcuar ndjeshëm për shkak të zhvillimit të samitit dhe se po ndërmerren verifikime të detajuara për çdo rast që konsiderohet me interes për sigurinë.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, gjashtë muaj pas takimit të fundit të zhvilluar në Bruksel.

Takimi do të drejtohet nga Presidenti i Këshillit Europian dhe do të organizohet nga Presidenti i Malit të Zi. Në samit do të marrin pjesë edhe Presidentja e Komisionit Europian, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Nën temën “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët pritet të diskutojnë procesin e zgjerimit, integrimin gradual të vendeve të rajonit në BE përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe sfidat e përbashkëta që lidhen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë në kushtet e zhvillimeve të reja gjeopolitike.