Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhit ka bërë jehonë në mediat greke lidhur me deklarata e saj se nuk e njeh COVID dhe se e kishte kaluara atë pa e kuptuar dhe se nuk ia kishte përcjellë infeksionin bashkëshortit të saj, presidentit Ilir Meta.

Media greke MEGA, shkruan se Kryemadhi njihet për karakterin e saj shpërthyes por që duke qenë aktive në politikë dhe drejtuesja e një partie duhet të jepte shembullin e mirë për qytetarët, por po bën të kundërtën.

“Unë nuk e njoh Covid. Kush beson në Zot do të jetojë i lumtur pa Covid”, citon në shkrim media greke një deklaratë të Kryemadhit, ku konfirmon se ka kaluar COVID-19.

MEGA thekson edhe faktin se Kryemadhi shfaqet pa maskë në publik dhe për këtë është gjobitur 2 herë. Po kështu në kronikën e MEGA TV i bëhet jehonë injorimit që Monika Kryemadhi i bën shifrave në rritje të Covid në Shqipëri dhe mosbesimin e saj te sistemi shëndetësor i vendit të saj për aq kohë sa vetë shkon në Itali. Më tej televizioni përmend edhe disa shifra, rreth 6.7 milionë euro që janë shpenzuar në tetor e nëntor nga më të pasurit e vendit për t’u kuruar në Turqi. Ndërkohë thotë MEGA, më të varfrit vdesin në Shqipëri sepse s’kanë mundësi të shkojnë jashtë shtetit. Për këtë çështje të ndjeshme, sipas televizionit grek, zonja e parë e Shqipërisë refuzon të përgjigjet dhe injoron rrezikun e pandemisë.

Kryetarja e LSI-së është një ndër ato figurat politike që nuk mban maskë dhe këtë e ka dëshmuar shumë herë ku është shfaqur në grumbullime të ndryshme, angazhime politike apo me të rinj duke mos vendosur një të tillë apo duke mos respektuar distancimin social. Ajo është gjobitur 3 herë për thyerjen e masave anti-COVID, ku rasti më i fundit është ajo në festën e ditëlindjes të aktorit Bes Kallaku ku së bashku me Presidentin Ilir Meta u gjobitën në masën 10 mijë lekë.

Ndërkohë dy herë më parë, Kryemadhi është gjobitur gjatë takimeve të saj me qytetarët për mosmbajtjen e maskës por sërish vijon që të mos e respektojë këtë masë të marrë.