Së shpejti një shtatore për ikonën e muzikës shqiptare në Lushnje

Së shpejti një shtatore për ikonën e muzikës shqiptare në Lushnje

Një shtatore e artistes së madhe Vaçe Zela, e punuar nga skulptori Arben Bajo do të vendoset së shpejti në Lushnje. Memoriali i ikonës së muzikës shqiptare do të vendoset në “Sheshin e Qytetarëve” në qytetin e Lushnjës, bën të ditur Bashkia e këtij qyteti, duke theksuar se “në këtë memorial që është një vlerë e shtuar për qytetin e Lushnjës, Vaçe Zela është menduar bashkë me kitarën që të duket se do të këndojë këngët që nuk harrohen kurrë”. Projekti është miratuar nga Këshilli Bashkiak një vit më parë më kërkesë të Kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe.

Vaçe Zela lindi në vitin 1939 në buzë të kënetës së Tërbufit në Lushnjë. Që e vogël u dallua për karakterin e saj artistik. Fillimisht u vu re dëshira e saj e madhe për të kënduar dhe për të kërcyer. Prandaj, më vonë vijoi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, për të qenë në grupin e artistëve të rinj që do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956, kur ishte vetëm 17 vjeçe. Ky ishte ballafaqimi i saj i parë me skenën ndërkombëtare. Kështu, dalëngadalë, që nga ajo ditë filloi të bëhej e njohur edhe brenda vendit. Pjesëmarrja e saj në estradën e qytetit dhe në shfaqjet nëpër mbarë Shqipërinë ishin një ogur i mirë për rrugën që kishte nisur. Në vitin 1961 filloi të ishte pjesë e Estradës së Ushtarit.

Vaçe Zela që në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë” ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Zëri dhe repertori i pasur që la trashëgimi vijojnë të mbeten gurë shndritës në gjerdanin e traditës shqiptare të këngës.

Nga këtu nisi edhe karrierën artistike në kryeqytet. Mori pjesë në festivalin e parë të këngës së lehtë në radio në vitin 1962, për të interpretuar deri në vitin 1981 në Radio- Televizion, ku u shpall dhe fituese e çmimit të parë. Studioi për art dramatik, por iu kushtua këngës së lehtë dhe këngës së përpunuar popullore. Ka marrë pjesë në 26 festivale kombëtare ku ka fituar 10 herë Çmimin e Parë.

Vaçe Zela ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit. Zërin e saj e dëgjojmë tek filmi “Në shtëpinë tonë”. Në vitin 2008, me rastin e 69-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.  Gjithashtu ajo mbante edhe titullin “Artiste e Popullit”.

Numërohen rreth 55 këngë që prej fillimit të karrierës në vitet ’60 e deri në festivalin e fundit në RTSH. Disa nga këngët që do të mbeten në kujtesën e publikut janë: “Fëmija i parë”, kompozim i Agim Krajkës, të cilën Vaçja e ka kënduar në vitin 1962 në Festivalin e Parë të Këngës, “E dua vendin tim”, “Djaloshi dhe shiu”, “Dritaren kërkoj”, “Lumi Ebro”, “Për ty o këngë”, “Manushaqja”, “Esperanca” këngë kubane kënduar po në vitin 1962 në shoqërinë e kompleksit ritmik, këngë nga filmi “Karmen”, “Një zambak i bardhë në gur” etj. Vaçe Zela ka bashkëpunuar me kompozitorët më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, si: Tish Daija, Agim Krajka, Kujtim Laro, Shpëtim Kushta, Avni Mula, Limoz Dizdari, Pjetër Gaci, Aleksandër Peçi, Agim Prodani etj. Përfundimisht u largua nga skena në vitin 1990. Vaçe Zela u lind në Lushnje më 7 prill 1939 dhe vdiq në Bazel, Zvicër, më 6 shkurt 2014. Vaçe Zela ishte një nga këngëtaret ikonë të skenës shqiptare.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 11/08/2019 15:03

    Keqardhje qe fytyra nuk eshte ajo qe n'a prezantonte Vacja ne interpretimet e saj te paharrueshme. Duhet korrigjuar,,,,,ose keshtu nuk vlen.Vacja rrezatonte optimizem,,,jo si kjo ketu,me qurravitje.

    Përgjigju
  • xhufka: 11/08/2019 11:43

    Me vjen keq ta them, por zoti Dhrami e ka bere kengetaren e madhe si duke qare e jo si duke kenduar. Per nje artiste si vacja ndoshta duhet te kete nje komision vleresimi te vepres, nuk mundte vesh staturen e nje gruaje dhe te thuash kjo eshte Vacja. Vetem nga floket ngjason me artisten e madhe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Viti i Ri, origjina dhe karakteristikat e tij

Viti i Ri, origjina dhe karakteristikat e tij