Sekretet e stilit te “Njeriu me fat”
i Fatos Kongolit

Sekretet e stilit te “Njeriu me fat”<br />i Fatos Kongolit
 Fatos Kongoli shkruan me një lëvizje të hijshme të penës, me skicime të pastra të imazhit, ku kërkon të çojë fjala e tij si romancier. Frazat e tij të shkurtra depërtojnë në “sfungjerin” e imagjinatës. Kështu mund ta përshkruash teknikën e sofistikuar të tekstit të romanit të tij të ri “Njeriu me fat”, ku autori trajton një çështje thelbësore të mbijetesës dhe ekzistencës së bërthamës familjare në kohët moderne.

Në romanin e Fatos Kongolit “Njeriu me fat”, pasioni i çifteve të sapomartuara për të pasur apartamentet moderne, shtretër të butë e sterilë dhe parfume farfuruese nuk përfundon me dashurinë dhe joshjen ndaj njëri-tjetrit. Ftohtësia psikologjike e shpirtërore merr dimensionin e dhimbjes dhe trishtimit. Këtë e ka të vështirë ta kuptoj menjëherë personazhi kryesor i romanit, inspektori Sabit Kurti. Për të një vrasje e ndodhur në hotelin “Elsinor” nuk përfshihet më në logjikën skolastike të kriminalistikës.

Pse duhet të ishte një shkrimtar i ri, i quajtur Gentian Engjëlli, në një hotel luksoz në kohën e gabuar dhe vendin e gabuar, në vend të një tjetri që ishte shkrimtar shumë i njohur dhe quhej edhe ai me një ndrydhim të vogël Gentian. K. Engjëlli. Me një lëvizje inteligjente, me një të rënë të lapsit, Kongoli zhvendos vëmendjen e lexuesve nga protagonisti i veprës tek personazhet anonimë; Gentian Engjëllin pa K me bashkëshorten e tij Kleopatrën. Këtu tashmë ka filluar tregimi i jetës, i së padukshmes.

Kjo botë është e mbushur me martesa e dashuri, por çfarë fshihet pas tyre mbetet e panjohur. Vetëm pena e ngjyer me talent e shkrimtarit Fatos Kongoli arrin të depërtojë shumë përtej fasadës së këtyre marrëdhënieve, por edhe përmes dhimbjeve. Duhet të themi që në krye të herës se romani të shkakton dhimbje gjatë gjithë kohës që e lexon... edhe pse duket sikur autori rrëfen me thjeshtësi ndodhi në dukje të rëndomta dhe të përditshme.

Ja si i sjell në skenë personazhet, që për një kohë të gjatë ruajnë një lloj anonimati dhe zbulohen me delikatesë rrëfimi deri në ngjarjet e fundit: “E nesërmja e sjell rrëfimin në hollin e një apartamenti në katin e gjashtë të një pallati, në zonën e gjelbëruar jo fort larg Hotelit Sheraton, ku shtatore të ngrira prej dylli presin burrë e grua bashkë me fëmijën pas një nate jo të zakonshme. Për herë të parë çifti nuk ka ndarë të njëjtin shtrat, ka fjetur në dhoma të ndryshme”. Rrëshqitja joshëse e bashkëshortes së Gentian Engjëllit në një lidhje jashtëmartesore me bosin e firmës ku është punësuar, duket sikur bëhet butë, me delikatesë. Dhe eleganca e të mbajturit distancë nga ngjarja e autorit të romanit, lë lexuesin të kryesojë, i cili nuk mund të vazhdojë leximin pa ndjerë një pështjellim të ngjashëm me personazhin Gentian Engjëlli.

Për të përshkruar stilin dhe elegancën rrëfimore në romanin “Njeriu me fat”, vetë subjekti duket sikur e humbet rëndësinë dhe thërrmohet para faktit që romani vet të shkakton ndjesi, gëzime dhe hidhërime në një kohë reale me personazhet, sa në fund të duket sikur duhet ta pish shpejt dhe me fund një gotë të mbushur plot me dhimbje. Megjithatë kjo s’do të thotë se autori nuk e qëmton me kujdes subjektin. Inspektori Sabit Kurti është personazhi qendror që vuan për të lidhur ngjarjet, të cilat vijnë si zbulime të njëpasnjëshme të sekreteve në kapitujt e romanit. Në qendër të romanit “Njeriu me fat” janë dy histori paralele dashurie të personazhit kryesor Gentian Engjëlli, këtij përkthyesi me të ardhme siç e cilësojnë.

Dashuria reale është gruaja, një bionde me sy bojëqielli, e quajtur Kleopatra, dhe ajo virtuale është një vajzë me sy të zinj e të mëdhenj e quajtur Vega, që sillet pothuaj vetëm përmes ëndërrimeve të Gentian Engjëllit në roman. Inspektori Sabit Kurti lëviz mundimshëm në trajektoren e dukshme të jetës dhe Gentian Engjëlli, që nuk ka asnjë lidhje me të në roman krijon një trajektore tjetër të lëvizjeve bashkë me një ëndërr të fshehtë, përvëluese, që të bëhet shkrimtar i famshëm. Ai sillet në trajektoren e dukurive të pashpjegueshme dhe anonime. Prej kësaj skeme të rrëfimit, shkrimtari arrin të ngërthejë vëmendjen e lexuesit në një marrëdhënie absurde gjatë pikëtakimeve të personazheve anonimë, ku ndodh kryqëzimi i qenies inteligjente humane me materien e ftohtë, me sendet, objektet që bëhen të dëshirueshëm edhe nga personazhet Gentian Egjëlli, pedagog dhe përkthyes i frëngjishtes dhe bashkëshortja e tij, Kleopatra.

Romani “Njeriu me fat” vjen në dritën e botimit me një mesazh interesant për të kumtuar,duke iu nënshtruar një forme të përkryer narracioni. Edhe pse ka shkruar shumë romane të suksesshme, Fatos Kongoli ka gjetur një tonalitet të ri në stilin e rrëfimit. Stili shquhet për thjeshtësi dhe natyrshmëri, ku ka mungesa të zbukurimeve, por ka edhe gjurmë të sinqerta të një ironie të hollë të fatit, kundrejt personazhit që quhet “njeriu me fat” nga të gjithë. Në mënyrë letrare, Kongoli parashtron një filozofi, por stilistikisht të pavullnetshme, që vjen prej faktit që di sesi të shkruaj.

Vetëm lexuesi është ai që mundet, pas dhimbjes dhe reflektimit që përjeton, pasi ka lexuar romanin; të demaskojë, të përçmojë apo vetëm të hesht për mjetet që përdor shoqëria aktuale për ngjitjen e njerëzve në karrierë, ose për mënyrën e shpërblimit të veprave të tyre. Shkurt, vetëm liria që ka krijuar shkrimtari në marrëdhënien me lexuesin e tij, të cilit i shtohet etja për ta lexuar, mjafton për të thënë se Fatos Kongoli është një shkrimtar brilant në stilin e të shkruarit. .
 
 
Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në suplementin Rilindasi të  gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane