Çdo kënd i shtëpisë së saj është i mbushur me krijime artistike. Kadife Karriqi ka realizuar mbi 300 panorama me rruaza, por zgjodhi një mënyrë më të shpejtë për të nxjerrë të ardhura: artin me fruta.
"Puna me rruaza është shumë e lodhshme, do tre muaj të realizosh një punim. Duke qenë se ushqimi është konsum i përditshëm, fillova të bëj art me fruta. Jam shumë e kënaqur sepse punoj me dashuri", tregon për emisionin "Një nga ne" në Report Tv.
E gjejmë duke përgatitur një porosi për ditëlindje, një kompozim me fruta, secila të gdhendura me forma të veçanta.
"Mund të bëhet edhe fotoja e personit mbi shalqi ose një urim, pastaj mbushet me fruta të tjera. Shumica e lënë në dorën time, por nuk i zhgënjej sepse i bëj mirë, ia kam marrë dorën. Është art dhe qetësi, futesh këtu dhe nuk mendon për asgjë tjetër. Është diçka e personalizuar që mund ta konsumosh.", thotë Kadife.
Skulptorja e frutave, siç e njohin të gjithë, e shfrytëzon kohën në maksimum. Kur porositë me kompozime mungojnë, merret me pirografi, një teknikë që po fiton vëmendje në vitet e fundit. Portretet me djegie në dru janë ato që kërkohen më shumë.
"Do të paktën 6 orë realizimi i një portreti, nga skica tek mbushja. Dhuratat e personalizuara janë gjëra që mbeten, pra një kujtim. Unë kam porosi nëpër rrethe apo jashtë shtetit, deri në Amerikë.", shprehet Kadife.
Në përfundim të ditës së saj, realizon një recetë të thjeshtë dhe të shpejtë: trileçen.
"Çdo punë ka sfidat e veta, por unë jam munduar t'ia dal me sukses. Asnjëherë nuk do dorëzohem derisa të më punojnë sytë dhe duart sepse kjo është një punë që unë e kam zgjedhur me zemër.", përfundon artistja rrëfimin e saj.
Emisionin "Një nga ne" mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente








